TË LUTEM QEVERI MË BËJ NJË VARR !
Shkruan : Abaz Pllana
Të premtën, më 20 prill 2007, në Lyon të
Francës tragjikisht humbi jetën 28 vjeçari B.H. nga
Prishtina. Duke mos qenë në lidhje me shqiptarët e Lyonit,
ishte vetëm komisiariati i policisë së Lyonit që merr
kontakt me kryetaren e Shoqërisë Shqiptare ILIRIA, zonjën
Rina çela, të mërkurën më 25 prill 2007 për
t'i kumtuar lajmin e rëndë. Tashmë shtroheshin dy
mundësi: që trupi i bashkatdhetarit tonë të varrosej
në varrezat e përbashkëta të endacakëve dhe të
atyre pa emër ose të procedohej me riatdhesimin e tij. Për
riatdhesim, familja e varfër nuk kishte mjete të siguronte,
ndërsa zyra franceze në Prishtinë edhe përkundër
vullnetit shumë të mirë nuk kishte mundësi të
financonte këtë veprim. Mundësia e vetme mbeti
vetëorganizimi i shqiptarëve të Lyonit, Saint Julienit dhe
Annemasit për t'i dalë në ndihmë për të
fundit herë bashkatdhetarit të tyre. Nisma del nga Shoqëria
Shqiptare ILIRIA dhe lajmi shkoi deri te secili mërgimtar.
Bashkatdhetarët tanë nga të gjitha trojet shqiptare u
bënë krah për krah për të mbledhur ndihmat që
të sigurojë riatdhesimin e të riut të ndjerë nga
Prishtina. Agjensioni turistik Reisburo Prishtina nga Gjeneva, mori
përsipër transportin pa para të të ndjerit dhe
çështja ngeli vetëm tek dikush që duhej patjetër
ta shoqërojë arkivolin deri në Prishtinë për shkak
të çështjeve administrative. Azizi, një punëtor
nga Vitia, me leje e lë punën dhe paraqitet vullnetar për
të kaluar edhe këtë pengesë. Të premten, më 27
prill 2007, u arrit që të mblidhet shuma që duhej paguar
morgut të Lyonit, pagesa për arkivol, transporti deri në
aeroportin e Gjenevës dhe taksat tjera në aeroport. Të
premten në orët e para të pasditës, trupi i pajetë
i bashkatdhetarit tonë arriti në aeroportin e Gjenevës
për t'u nisur në udhëtimin e tij të fundit, për
në Kosovë të nesërmen e hershme. Ai varroset të
shtunën në Kosovë, ku do të pushojë
përjetësisht pranë nënës së tij.
Ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes me
rastin e humbjes të birit të tyre. I qoftë i lehtë dheu
i Kosovës !
Kjo ishte në pika të shkurtëra kronologjia e kësaj
ngjarje të dhimbshme. Do të kisha dashur që familja e të
ndjerit të mos lexojë shkrimin tim nga këtu e tutje për
shkakun e vetëm se biri i tyre u bë shkak për refleksione dhe
mendime të tjera të ngacmuara nga ky rast.
është hera e tretë që në Lyon ndodhin ngjarje
të tilla dhe duke u lutur që të mos ketë tjera,
prapë mendoj se do të jenë të përsëritshme.
Dhe çdo herë mërgimtarët tanë duhen të
vetëorganizohen siç dinë dhe siç munden. Dikush mund
të thotë se shumë mirë që arrijnë ta
bëjnë këtë. Por çështja është se
ç'bëhet aty ku nuk mund të vetëorganizohen? Si
do venin punët po që se nuk do të kishte një komisioner
policie si Kristensen apo zonjat Masson dhe Landra nga morgu i Lyonit?
Si mund të lihen të vetëorganizohen mbi 700 mijë
shqiptarë të diasporës pa gëzuar mbështetjen ose
ndihmën e qeverive të Tiranës, Prishtinës, Shkupit ose
Podgoricës që u dalin në pritje të qyetetarëve
të tyre përgjatë kufirit për të mbledhur kursimet e
tyre sa herë që ata kthehen në atdhe? Si ka mundësi
që qeveritë tona të mos qajnë kokën për fatin
e gati një milionë mërgimtarëve që marrin
pjesë aktivisht në ekonominë vendase? Deri kur
qeveritë tona do t'i duan bashkatdhetarët e tyre në
mërgim vetëm sa të jenë të gjallë, dhe posa
të ndalojë zemra e tyre se rrahuri, do të ndalojë edhe
"dashuria" për ta? Qeveritë tona që
harxhojnë kohën, paranë dhe mundin e tyre për koncerte
apo manifestime të tipit "miss", "mister",
"top bukuria" e të tjera si këto dhe nuk mund të
gjejnë mundin, kohën dhe paranë në rastet e riatdhesimit
të bashkatdhetarëve të tyre në kohën kur ata nuk
mund ta bëjnë vetë sepse nuk janë më në mesin
e të gjallëve? Pse duhet të presin bashkatdhetarët
tanë në arkivole për katër javë (rasti i të
riut nga Tirana) , tre javë (rasti i të riut nga Shkodra) dhe
një javë (rasti i fundit) për t'u kthyer në atdhe.
Më duket se qeveritarëve dhe institucioneve tona, nuk iu
bëhet vonë as edhe për katër vjet se një familje
shqiptare nuk ka apo nuk pati mundësi ta marrë trupin e familjarit
të tyre nga vendi i largët ku e gjeti vdekja.
Shtroj pyetjen se si do të vepronte një qeveri tjetër e
botës kur një qytetar i saj do prekej nga vdekja? Me siguri se
nuk do të shprehte një moskokëqarje si qeveritë tona.
Jo, jo. Këtë nuk e bëjnë as qeveritë e vendeve
më të varfëra se qeveritë në tokat shqiptare. Kjo
çështje nuk është e lidhur me varfërinë apo
me paranë. Kjo çështje është e lidhur me
njerëzinë që qeveritarët tanë nuk e kanë.
Fatkeqësisht, ne nuk kemi atë ç'kanë të
tjerët.
Mërgimtarët e Lyonit, Saint Julienit dhe Annemassit, deri të
shtunën në mëngjes arritën të paguajnë 2100
euro për morgun e Lyonit, 160 euro në aeroportin e Gjenevës
dhe biletën e shoqëruesit e pagoi vetë Azizi. Pra, të
gjitha këto nuk kalojnë shumën 2500 euro. Shqiptarët u
treguan edhe më afër familjes së të ndjerit duke iu
dhënë edhe 1000 euro dhe 100 franga zvicerane për ditën
e varrimit. Ata ndoshta do të mund të u dërgojnë
familjes edhe ndonjë ndihmë tjetër në të ardhmen,
por, kjo nuk ka rëndësi sa ka rëndësi varrimi i
mërgimtarit pranë nënës së tij nga familiarët
e tij. A mund ta marrë me mend lexuesi se çfarë
lehtësimi i dhembjes për familjen ka qenë arritja e arkivolit
të birit të tyre në Prishtinë, kur deri të premten
në ora 11 nuk dihej se ç'fat e priste trupin e
bashkatdhetarit tonë dhe familjarit të tyre.
Zyrtarët e qeverive tona shkojnë deri në tre herë
mbrenda ditës në ambasadat apo zyrat ndërlidhëse të
vendeve perëndimore për të siguruar një vizë
për vete apo për familjarët e tyre për ikur për
turizëm apo biznes jashtë atdheut. Si nuk mund të shkojë
asnjëri prej tyre për një javë, dy javë apo me muaj
të tërë në këto zyra, për çështje
si kjo që ndodhi këtë javë me bashkatdhetarin
tonë? Si mund të jenë aq moskokëqarëse
qeveritë tona për familjet dhe për ata që vdesin
jashtë vendit duke siguruar bukën e gojës, atë që
nuk mundën t'ua sigurojnë qeveritë e vendit?
Të premten kur shkova në aeroportin e Gjenevës të paguaj
fakturën e fundit, përgjegjësi i ndërmarrjes më
pyet për emrin e bashkatdhetarit tonë të vdekur. I
përgjigjem, sepse atë na kishte thënë komisioneri i
policisë. Më pyet për adresën e tij në Kosovë.
I them se nuk e di dhe se nuk e njoh dhe nuk kam pasur rastin ta njoh
asnjëherë. Më thotë se do të ishte mirë
që të kontaktoj Azizin, ai që do të shoqëronte
arkivolin për të marrë informatën që kërkonte.
I them se as ai nuk e njeh. Ndoshta në fillim e ka marrur edhe si
tallje nga ana ime, por kur i them se fakturat e riatdhesimit paguhen nga
mërgimtarët shqiptarë që nuk e kishim pasur rastin ta
njohin asnjëherë për së gjalli bashkatdhetarin
tonë, me shef me habi duke më thënë se "solidaritet
të tillë nuk mund të haset diku tjetër në
botë". Në vend që t'i them se gjithkush në
botë ka qeverinë e vet, e ne nuk kemi qeveritë që i ka
bota, mjaftohem të ngris supet që të mos e zgjas më
shumë këtë dialog. Merr grumbullin e letrave që kishin
ardhur nga Lyoni dhe nga aty ndau dy fleta dhe duke mbajtur në
dorë më drejtohet : "Më lejoni që edhe unë
të marr pjesë në dhembjen e familjes së bashkatdhetarit
tuaj. Dua që edhe unë të bëj pjesë në
këtë solidaritet tuaj". Zemra e këtij zvicerani derdhi
dy lot për fatin e një shqiptari, të një shqiptari me
fat tragjik. Në fakturën e re të gjitha shpenzimet që do
të duheshin fakturoheshin nga ndërmarrja e tij Transit'air
(rreth 60 euro) u dhanë dhuratë për humanizmin dhe
solidaritetin e njerzve që nuk kishin qeveri të tyre. Si mund
që një zviceran që jetën dhe fitimin e tij e ka në
të ardhurat e kësaj pune, të heq dorë për një
moment për të ndihmuar një njeri që nuk do ta shohë
kurrë më, për një njeri që nuk do të
presë kurrë nga ai t'ia kthejë një të mirë
për kompensim, një njeriu që do ikte nga sipërfaqja e
tokës përgjithmonë? Pse nuk mund të gjykojnë e
veprojnë qeveritarët dhe institucionet tona si njeriu që
unë e quaj zviceran? Por përgjigjen mund ta jap edhe vetë
që besoj është e saktë. Unë takova një njeri,
një krijesë humane, që mentaliteti i tij ndryshon nga ai i
qeveritarëve tanë.
Zvicerani, Rina, unë, zyra franceze në Prishtinë, Azizi dhe
të gjithë bashkatdhetarët tanë që ndihmuan që
B.H. të varroset në vendin e tij, ndjenë një lumturi
në shpirtin e tyre. Ata bënë një vepër humanitare,
ata lehtësuan dhimbjen e familjes dhe treguan se janë qenie
njerzore. Prandaj, edhe njëherë në emrin e familjes
falenderoj të gjithë ata që bënë që kjo
çështje u mbyll kështu e nuk u la nën
mëshirën e qeverive dhe institucioneve tona.
Do të kisha dashur shumë që ky shkrim të mos shihet nga
ndonjë prizëm tjetër siç kanë qejf ta shohin disa
"rraxhagji" por një ide e re për punën e qeverive
në Tiranë, Prishtinë, Shkup e Podgoricë. Ata duhet
të mendojnë të krijojnë organizmat përkatës
pranë ambasadave apo zyrave përkatëse të vendeve ku
qytetarët e tyre kanë emigruar për të sjellur një
kafshatë bukë për familjarët e tyre në atdhe.
Nëse nuk mund të "sjellin" për së gjalli
qytetarët e vet në vend, së paku të bëjë
një gjest të vogël që ata të pushojnë të
qetë përjetësisht në dheun e tyre. Nëse nuk mund
t'ua ndalin vdekjen edhe nga sëmundjet e "lehta" së
paku t'ua lehtësojë dhimbjen familjes duke riatdhesuar
për së vdekuri të afërmit e tyre.
Qeveri të lutem, më gjej një varr, nuk është
një thirrje dëshpërimi. As një thirrje revolte. Kjo
është thirrje e mëse 700 mijë shqiptarëve
anëkënd Evropës dhe botës që edhe fundin e
jetës së tyre e lidhin me tokën mëmë. Prandaj,
Qeveri të lutem, mos na leni pa varr...
28 prill 2007
|