NË Ç'GJENDJE PAVARËSIA DO TA GJEJË KOSOVËN
nga Adem Gashi
ANARKIA DIKUJT I SJELL PËRFITIME PËRRALLORE
Mosbashkëpunimi POPULL - PUSHTET burim i shumë të këqijave dhe dështimeve
Pas konsultimit me shumë dëgjues-lexues të kësaj radioje, më në fund po e nxjerr këtë temë me keqmenaxhimin e deritashëm në Kosovë. Përgjigjet e shumë lexuesve ishte që ta publikoja këtë temë, meqë është koha të bisedohet edhe për tema "të nxehta".
Sa pë orientim lexojeni në radhë të parë mendimin tim, në anën tjetër dhe jepni edhe ju një mendim. Megjithatë, unë lutem ishalla atë që e kam thënë ËSHTË KREJT GABIM!
Ka vite që më ka munduar gjendja në Kosovë, sepse më është dukur se po menaxhohet keq atje, duke bërë shpenzime të paarsyeshme që për botën e qytetëruar ndoshta do të quheshin anomali, por kurrë s'e kam pasur guximin ta thosha hapur, duke menduar se këto që më silleshin në kokë i përkasin një teme të nxehtë dhe duke ditur mentalitetin tonë - kam heshtur. Por, tani që Kosova po bëhet një shtet i pavarur është koha t'u biem edhe temave "tabu". Unë do të jem i pari. Le të shahem unë i pari që të shpëtojë Kosova. Pavarësia nuk guoxn të ne gjejë kështu të përgjumur. I pranoj edhe sharjet, por një e di që bota nuk do të na ndihmojë për këso investimesh të gabuara ( është mendim imi ky) që kemi bërë deri tash.
Këtë hap e ndërmora nga shkaku se më dhem zemra kush shoh në televizor fëmijë dëshmorësh pa kulm mbi kokë e pa kurrfarë ndihme; më dhem zemra kush shoh ushtarë të UÇK-së pa kulm mbi kokë, të gjymtuar(të sakatosur – që kanë lënë pjesët e trupit skërkave të Kosovës për të pasur një Kosovë të lirë dhe për të pasur një jetë më të mirë) pa pasur mundësi për shërim dhe pa iu dhënë asnjë ndihmë; më dhem zemra për faktin se në 14 fshatra e lokacione tjera, fëmijët tanë- ardhmëria jonë ende mësojnë në kontejnerë; në shumë lokacione shkolla të vjetra ku u rrezikohet jeta vogëlushëve tanë, në shumë shkolla të tjera duke punuar me 4 ndërresa; me dhem zemra edhe për mësuesit - kolegët e mi që ende vazhdojnë me altruizëm ( deri kur?! - Këtë askush nuk e di ); më dhemb zemra.... eh! Dhembje, dhembj edhembje... Dhembje dje, dhembje sot. Kosova e plagëve të zemrës!
Unë jam i vetëdijshëm se do të ketë edhe reagime euforike dhe nëse ka reagime kryesisht do të vijnë për rastet që kam cekur: PERMENDORET, XHAMITË, KISHAT dhe HAXHILERËT dhe në reagim pres të më thuhet: „po njeriu me "para" të veta bën çka të dojë e çka t'i teket". Dakord! Por ku është humaniteti dhe mbi të gjitha ku është ATDHETARIA. Po e jap edhe një sqarim të vogël, ashtu siç ma e ndjen dhe ma ka ndierë zemra dhe mendja ime në vite. Logjika ime kurqysh nuk e kap, ta zëmë një dëshmori t'i bëhet një permendore e kushtueshme dhe nga ana tjetër familja e tij mos të ketë kulm mbi kokë e të vuajë edhe për kafshatën e gojës; logjika ime gjithashtu nuk e kap të ndërtohet një xhami a një kishë ( ku shkojnë 4-5 pleq dhe festave pak më shumë) dhe nga ana tjetër shkolla me shtylla ku rrezikohet jeta e 700-800 nxënësve; ndërsa për haxhinjtë që nxjerrin 5 milonë euro në vit nga Kosova nuk po flas Sipas një llogaritje të thjeshtë del se nga Kosova për këto 8 vite kanë dalë së pakut 100 milonë euro ( ndonjë gojëkeq do të thoshte - janë shkuar si të ishin hedhur në zjarr. Unë këtë nuk e them). Poashtu sipas një llogarie del se në Kosovë me 10.000 euro ndërtohet një shtëpi komode. Pjestoni 100 milionë euro me 10 mijë euro ( kupto: një shtëpi për dëshmorin e të pastrehun ) dhe shih rezultatin. Dhe përfundimisht, njeriu i mahnitur me këto „xhevahire" pyet veten: Si është e mundur kjo?! Kosova me kaq para, por nga ana tjetër me kaq varfëri!!
Unë nuk po zgjatem më shumë, por po e përfundoj me këtë përkufizim: Ai që i kontribuon vdekjes dhe punon për të, vdekje do të gjejë, krojon vepra të vdekura, jeton i vdekur derisa t'i vie koha e stërvdekjes, prandaj mirë thotë fjala e urtë: „I gjalli me të gjallët i vdekuri me të vdekurit".
Vallë a do të na ndihmojë bota e civilizuar për këso investimesh?!
radioprojekt.dk
|