NË TETË VJETORIN E RËNIES SË ADEM MULAJT nga Adem Gashi Vite të tëra e kam ndier në shpirt zbrazdësinë për të shkruar për mësuesin tim, Adem Mulaj. Do ta kisha të lehtë sikur të shkruaja për të si intelektual, si mësues e si humanist, por më mungonte guximi të shkruaja për të si hero e si dëshmor i martirizuar, qoftë nga dhembja që ndieja nga martirizimi i tij, qoftë nga pesha e veprës. Unë ua kam lakmi gjithë atyre që marrin guximin dhe shkruajnë për tema të mëdha. Në takimin e fundit me të kujtoj të më ketë thënë: "... mue më duhet me shkue atje në katun(d)(Fshat ). Nuk durohet ma kështu. Unë duhet me kanë atje, se ata njerëz që i kanë rrokë pushktë shumica janë të rinj dhe mujnë ( mund) me kanë edhe të papërvojë, por që kan vullnet të fortë për me u flijue duke i dalë shkaut ballë për ballë. Nuk asht madhështi me u vra në luftë, sepse ushtari asht personi që i shkakton dam anmikut dhe e vret atë, por që vetë shpëton. Natyrisht, luftë i thonë dhe mundet edhe me u vra – darsum pa mish nuk ka. Sa ma pak viktima aq ma mirë. Muj(mundem ) me u vra edhe unë...". Mësuesin Adem e njoh nga shkolla fillore. Në vitin shkollor 1967/68, në klasën e shtatë, kam qenë nxënës i tij. Ishte mësues i dashur dhe edukator i mirë. I zellshëm dhe i përpiktë në punë. Unë e kam dashur mësuesin Adem. Nga ne, me urtësi, kërkonte rregull, kërkonte të mësonim, ndaj, shpesh si fjalë parazite do ta përdorte shprehjen " pa e nxe shkamin..." dhe me këtë na linte të kuptonim se duhet mësuar. Dhe ky "shkami" ma kujton Drenicën e asaj kohe, të katandisur në varfëri, kur rrallë ndonjë familje kishte karrige. Si gjimnazist rrallë e kam takuar, bile një kohë nuk dukej gjëkundi. Më vonë mora vesh se kishte kryer një shkollë të oficerëve dhe kishte filluar punë në Shtabin e Mbrojtjes Territoriale në Gllogoc. Në vitet e 80-ta ( dikund 1983-84) rastisi të vinte me makinë në Sankovc. Nuk e pyeta, por, me sa duket, kishin pasur ushtrime ushtarake. Kur kishte marrë vesh se aty isha bërë mësues fshati, më thirri më zyrën e derjtorit, u ngrit në këmbë kur hyra dhe më përshëndeti: "Tungjatjeta mësuesi Adem". Unë s'di si u ndieva përpara ish mësuesit tim, por, pasi më priti derisa mbarova mësimin, me t'u kthyer rrugës për në Gllogoc mësova se dashuria për mësimdhënie i kishte mbetur e pashuar. Mësuesi Adem ka pasur shpirt prej humanisti. Në vitet e 90-ta kam punuar bashkë me të në SHHB „Nënë Tereza" Dega - Gllogoci(Drenasi) I. Ai ishte kryetar. Po nuk ishte nga ata kryetarët mendjemëdhenj që di vetëm për të udhëruar. Ai i urtë, përherë ishte me ne dhe bashkërisht bënim ngarkim - shkarkimin e mallit; gjithashtu përherë rrinte me ne derisa shpërndahej i tërë malli, me një mbikëqyrje të rreptë, sepse „ te ky mall duhet me pas' kujdes mos me ba ndonji gabim, a mos e ban Zot me e keqpërdor. Shiqoni mos po na jet (mbetet) ndonji nevojtar pa marrë ndihma". Sa keq ndihej kur vizitonim familjet e nevojtarëve dhe shihte se njerëzit jetonin në mjerim të skajshëm. Ka ndodhur shpesh që disa familjeve, qoftë pse ishin të sëmurë a të moshuar, vetë ua dërgonim mallin.Por, këtë humanitet e kishte mbëltuar edhe në familjen e vet. Do të mbetesha borxh nëse nuk e përmend rastin e luftës. Le që aso kohe na mungonte buka, por na mungonte edhe uji për pije. Derisa kishte njerëz që i mbyllnin bunaret ( puset) e veta me dryn, sepse po u turbullohej uji, familja e tij tha: "Edhe pikën e fundit do ta ndajmë bashkërisht"! Mësuesit Adem sikur nuk i mjaftoi gjithë kjo sakrificë. Tani i kishte ardhur radha të bënte edhe sakrificën e fundit – JETëN. Në takimin e fundit me të kujtoj të më ketë thënë: "... mue më duhet me shkue atje në katun(d)(Fshat ). Nuk durohet ma kështu. Unë duhet me kanë atje, se ata njerëz që i kanë rrokë pushktë shumica janë të rinj dhe mujnë ( mund) me kanë edhe të papërvojë, por që kan vullnet të fortë për me u flijue duke i dalë shkaut ballë për ballë. Nuk asht madhështi me u vra në luftë, sepse ushtari asht personi që i shkakton dam anmikut dhe e vret atë, por që vetë shpëton. Natyrisht, luftë i thonë dhe mundet edhe me u vra – darsum pa mish nuk ka. Sa ma pak viktima aq ma mirë. Muj(mundem ) me u vra edhe unë...". Më vonë kam dëgjuar se mësuesi i dikurshëm, major Ademi kishte dalë i suksesshëm edhe atje: nuk i kishte lënë djelmoshat e asaj Zone për të ushtruar gjetkë, sepse rrugës ushtarët edhe mund të binin në prita e të vriteshin, por stërvitjet i kishin bërë aty, në Tërstenik dhe kurdo që ishte zbatuar me përpikëri komanda e tij kishin korrur suksese dhe nuk kishin pasur humbje. Kështu pra e kam njohur mësuesin tim, Adem Mulaj. Unë nuk kam hyrë në detale dhe nuk jam marrë me thashetheme, sepse mund ta lendoja dikë apo personalitetin e tij; gjithashtu nuk i kam bërë vetes autobiografi, sic kam parë në shumë libra që autorët duke shkruar për dëshmorin i bëjnë vetës autobiografi. Jam në dijeni se është duke u përgatitur një libër monografi për mësuesin Adem. Për rënien e mësuesit Adem mësova në Danimarkë. Kishte rënë në pritë, me 15 maj 1999 në përpjekje për të hapur korridor për popullatën civile në luftimet me të vështira në Zonën Operative te Drenicës, Brigada 113 ,,Muj Krasniqi'', në të cilën ishte shef i operativës. Pasi kujtova çastet me të, thashë: Të QOFTË I LEHTË DHEU I KOSOVËS, MËSUES I DASHUR! Shënim: Në situata të veçanta, mësuesi Adem kishte sens për të përdorur me mjeshtri edhe thënie të njerëzve të mëdhenj, por më me dëshirë përdorte si aforizma strofa nga vjershat e rinlindësve tanë, herë - herë edhe duke i modifikuar ato e duke i përshtatur për situatat e rastit. Kështu nganjëherë kur na binte morali për tokë dhe kur dekurajoheshim dhe shihnim vetëm "zi", ai na jepte zemër duke cituar strofën e fundit të vjershës "Qëndresa" të Luigj Gurakuqit: "Vec nji qëllim i naltë t'ban me durue/ e zemrën të forcon;/ ndër kundërshtime s'vyen kurr me u ligshtue,/ mjer ai qi nuk qëndron"! Ndërsa kur i shkonim punës avash – avash, me urtësi recitonte një strofë nga vjersha "Guxo" e Mjedës: " Tue u tallë e tue pritue/ Kurrgja send nuk qitet n'dritë/ Çfarëdo sendi me fitue/ Trimni lypset e guxim". Dhe ne e kuptonim porosinë. Personaliteti i mësuesit Adem do të mbetet si një shëmbëlltyrë e mirë, jo vetë mpër mua si ish nxënës dhe bashkëveprimtar i tij, por edhe për gjithë ata që e kanë njohur. Ai ka dhënë shembullin më tipik se si duhet dhe si mbrohet atdheu. Unë bëra përpjekje që këtë shkrim ta bëj pa zbukurime e pa stërmadhime, sepse është vështirë të përshkruhet tamam vepra e dëshmorit - kuptimi i fjalës dëshmor. Kjo fjalë ngërthen në vete gjithë atributet e mirësisë, të sakrificës e të martirizimit që dora dhe mendja e njeriut është vështirë t'i përshkruajë. Do të dëshiroja që edhe libri monografi për të, të dilte kështu pa zbukurime. Fundja, ku ka vdekje më të mirë se të vdesësh për liri.
|