
Ekspozitë retrospektivë e miqve nga Mitrovica
nga Arjan Kallço
Ditën e premte, datë 2 maj, nën kujdesin e Bashkisë Korçë dhe Qëndrës "Mio" miqtë nga Mirovica, Tafil Peci dhe Besnik Hasanaj, çelën ekspozitën me grafikë dhe fotografi. Në fjalën e hapjes drejtori i Qëndrës, Vladimir Topi, theksoi se është nder që dy miqtë vijnë në Korçë dhe sjellin për artdashësit e arteve vizive këtë ekspozitë. Peci vjet fitoi konkursin "Mio" dhe sivjet vjen me një vepër të plotë dhe dinjitoze. Në këtë ekspozitë-vazhdoi Topi-autori shfaqet me mjaft profesionalizëm në grafikët e tij bashkë me punët edhe të fotografit Hasanajt. Kryebashkjaku Peleshi uroi mirëseardhjen e Krytarit të Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Rexhepi, dhe të artistëve. Tafili-u shpreh Peleshi-është pjesë e Kolonisë së piktorëve që çdo vit do të vinë në qytetin tonë për të na dhuruar pejsazhe të mrekullueshme. Por ka edhe një motiv tjetër, qytetet janë në lidhje të ngushta mes tyre, udhë që ka nisur dhe vazhdon përmes binjakëzimit, me qëllim që nxjerrin në pah vlerat shpirtërore të dy qyteteve tona. Sivjet Kosova vjen me një pashaportë të re, atë të Pavarësisë dhe do synohet që bashkëpunimi të shtrihet edhe në fusha të tjera.
Më pas fjalën e mori Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Bajram Rexhepi, që u shpreh se ishte i nderuar që ndodhet mes vëllezërve korçarë. është hera e parë që ndodhet në Korçë për tu ndalur më gjatë, pasi kur ishte kryeministër i Kosovës nuk kishte pasur rast që të takohej me qytetin. Ishte i nderuar edhe për faktin që kishte ardhur me dy artistë, por u ndje i befasuar për praninë edhe të një fotografi mitrovicar. Korça-vazhdoi Rexhepi-ka qënë djepi i diturisë dhe i kulturës dhe besojmë se do të gjejmë edhe hapësira për bashkëpunim edhe në fusha të tjera. Integrimet janë të natyrshme dhe në vazhdë e sipër. Të dy artistët për Nositin shprehën kënaqësinë që ndodhen në Korçë: Peci në këtë vit, pas çmimit të parë në Korçë, ka pasur një axhendë të pasur si në Kosovë, ku fitoi një çmim, 4 javë pas çmimit të Korçës. Ka hapur ekspozita në Bullgari, Amerikë dhe është i angazhuar në mjaft ekspozita të tjera ndërkombëtare. Besniku u shpreh se e ka mendur ndryshe qytetin, në kujtime, si qytet të vjetër dhe të lashtë. Na u bë një pritje madhështore dhe shpresoj të mos ju zhgënjejmë. Kam sjellë-vazhdoi-përmes fotografive informacione për Mitrovicën dhe rrethinat e tij. Kam sjellë në focus Mitrovicën e pasluftës dhe deri në ditët tona. Është pozitiv fakti që ka shkëmbime kulturore mes dy qyteteve tona.
Më pas të pranishmit vizituan ekspozitën dhe falenderuan miqtë për këtë dhuratë të shkëlqyer që edhe korçarët të njohin historinë e Mitrovicës dhe vlerësuan punimet e dy artistëve kosovarë. Ndërsa drejtori i Qëndrës "Mio", Topi, shprehet entuziast për këtë bum aktivitetesh që synojnë të nxjerin në pah vlerat e artistëve shqiptarë, por edhe të huaj që kanë ardhur dhe do të vijnë në Korçë. Së shpejti do të organizohet edhe Simpoziumi Ndërkombëtar i Skulpturës "Parku Korçë 2008", ku do të marrin pjesë 8 skulptorë nga vendi, Europa dhe më gjërë, nismë që do të ketë mbështetjen e institucioneve locale.
Arjan Kallço
|
|
| |