Eshtrat e Shotë Galicës të kthehen në Galicë!
Fatime Kulli
sNë Kuadër të Festivalit gjithëkombëtar "Takimet e Poeteshave Shqiptare 2008", i cili për të 26-n herë mbahet në Vushtrrinë e lashtë, një pikë e veçantë dhe mbase më kulmorja, u realizua në Galicën heroike, gjegjësisht në Kompleskin Përkujtimor "Azem e Shotë Galica". Ishte një takim impresionues dhe shumë mbresëlënës. Pritja e përzemërt dhe e ngrohtë që iu bë poeteshave të mbledhura nga të gjitha trojet etnike shqiptare nga banorët e këtij fshati me traditë atdhetarie ishte aq origjinale saqë u bë frymëzim e përtëritje ndjenjash poetike.
Fjala e profesorit dhe shkrimtarit Bedri Tahiri krijoi një përfytyrim të saktë për Epopenë e Arbërisë së Vogël..nga e cila po shkëpusim ca fragmente:
"Azem Galica, që nga rinia e hershme u radhit në çetat e lirisë dhe për 12 vjet rresht, bashkë me Nusen e maleve- Shotë Galicën, nuk i lëshuan armët nga dora. Ata zhvilluan mbi gjashtëdhjetë beteja fitimtare kundër pesë pushtuesve të mëdhenj perandorakë. Luftërat e tyre kishin karakter mbarëkombëtar dhe dirigjoheshin nga ideologu i madh, Hasan Prishtina dhe Komiteti i Shkodrës. Se ata punonin me PROGRAM tregon fakti që, gjatë Kryengritjes së madhe të vitit 1919, e cila nisi në Drenicë e përfundoi në Llapushë, ishin të mobilizuar 11 mijë luftëtarë nga të gjitha trevat shqiptare.
Në vitin 1923, Qeveria serbe u detyrua të lëshonte pe karshi luftëtarëve shqiptarë. Kështu u krijua Zona e lirë e Drenicës, që më shumë njihet si ARBËRIA E VOGËL, e cila fillimisht përfshinte të gjitha fshatrat e komunës së atëhershme të Prekazit e më vonë kufizohet në: Galicë, Lubovec dhe Mikushnicë. Kjo bërthamë shtetërore, për ca vite rrezatoi atdhedashuri mbi të gjitha trojet shqiptare dhe frymëzoi luftërat për liri...
Në Beograd, atëbotë, reagimet ishin të ashpra. Më 11. X. 1923, deputeti i Kosovës, Jovan Magovçeviqi, i inatosur tha: "Zotërinj, unë i kam dy vota: një si deputet i rregullt i Kuvendit Popullor dhe një si deputet i jashtëm i shtetit të Azem Galicës".
Mirëpo, Serbia dinake, më 15 korrik 1924, ditën e tretë të Bajramit të Vogël, në mënyrë tinëzare, me mbi 12oo veta, ushtarë e xhandarë, rrethojnë këto tri fshatra. Ata me vete kishin marrë edhe shtatë topa , të cilët i vendosën nëpër kodrat përreth...
Atë ditë të përgjakshme, nga të dy palët pati shumë të vrarë: 90 serbë e 83 shqiptarë, kryesisht pleq, gra e fëmijë (në Galicë 35, në Mikushnicë 23 dhe në Lubovec 24).
Kapedani i plagosur rëndë jetoi deri më 25 korrik 1924. Shokët e tij besnikë dhe e shoqja, Shotë Galica, trupin e tij e varrosen në varrin më të thellë në botë (73 m), në shpellën "Çuku që kërcet", në malet e Përçevës.
Në krye të Çetës kreshnike u vu Shotë Galica, e cila me ca fëmijë jetimë kaloi në Shqipëri, derisa vdiq në mjerim të plot, më 4 korrik 1927, në Fushë- Krujë. Shteti shqiptar e shpalli Heroinë dhe ia ngriti një Lapidarë të mrekullueshëm në Fushë- Krujë dhe në Kukës.
Edhe Azem Galicën, Sali Berisha, më 26. I. 1993, me dekretin nr. 435 e dekoroi me "URDHRIN E KLASIT TË PARË".
Sot, siç po e shihni edhe vetë, kapedani pushon në Galicën e tij të dashur, eshtrat e tij i nxori nga shpella atdhetari Abdyl Krasniqi më 1971. Ama, ai disi është i shqetësuar, sepse ky Kompleks, i filluar më 2004, në 80-vjetorin e Epopesë së Arbërisë së Vogël, ka ngelur në fazën fillestare dhe se po i mungon Shota..
Varri i zbrazët i Shotës në Galicë është kenataf i llojit të vet, për të cilin grekët e vjetër do të bënin çmos!!!
Bashkimi i tyre nënkupton bashkimin tonë shpirtëror e kombëtar!"
Edhe recitimet e nxënësve të kësaj ane ishin të shkëlqyera, ama kërkesa që doli aty për aty nga poeteshat për sjelljen e eshtrave të heroinës Shotë Galica në Galicë, pranë burrit dhe bashkëluftëtarit Azem Galica, e të cilën e lexoi poetja çame, znj. Fatime Kulli, ishte kulmi i të gjithave, andaj po e botojmë në tërësi:
Për: Institucionet më të larta shtetërore të Kosovës:
Presidencën e Republikës së Kosovës- z Fatmir Sejdiu
Qeverinë e Kosovës- z. Hashim Thaçi
Parlamentin e Kosovës- z. Jakup Krasniqi
Nga: Poeteshat shqiptare
Lënda: Kërkesë për lejimin e bartjes së eshtrave të heroinës Shotë Galica nga Fushë- Kruja dhe rivarrimin e tyre në Galicë, pranë bashkëshortit dhe bashkëluftëtarit Azem Galica.
Arsyetim:
Ne, poeteshat shqiptare, të mbledhura nga të gjitha trojet tona etnike në festivalin gjithëkombëtar të poezisë "Takimet e poeteshave shqiptare 2008", në qytetin e lashtë të Vushtrrisë, i bëmë një vizitë edhe Kompleksit Përkujtimor "Azem e Shotë Galica" në Galicë dhe kur e pamë varrin e zbrazët të heroinës Shotë Galica ngelëm të habitura. E shihnim me sy e nuk donim ta besonim një gjë të tillë! Diçka tepër shqetësuese që sikur na fanitej duke na rënduar në ndërgjegjen tonë si një mallkim i madh historik.
Dhe, bazuar në fakte konkrete vlerësuam se këta dy luftëtarë meritojnë më shumë. Veprimtaria e tyre luftarake e atdhetare është thuajse unikate. Pesëmbëdhjetë vjet luftëra, qëndresë e heroizëm dhe ende, as sot e kësaj dite, nuk ekziston një lapidar a shtatore e mirëfilltë për këta dy heronj të kombit!!! Madje, as kulla e tyre, që ishte simbol dhe sinonim i gjithë rezistencës sonë kombëtare nëpër shekuj, nuk po mund të jetësohet!!!
Aq më keq, këta dy bashkëshortë e bashkëluftëtarë, të cilët mezi arriti t'i ndajë vdekja, edhe sot e kësaj dite janë të ndarë!!!
Zotërinj të nderuar pushtetarë!
Duke iu bashkangjitur nismës së mëhershme të Këshillit Organizativ për të njëjtin problem, kërkojmë nga Ju që, urgjentisht e në mënyrë institucionale dhe shtetërore, të ndërhyni tek homologët tuaj të shtetit shqiptar dhe me autoritetin Tuaj të ndikoni e të bëni të mundur lejimin e sjelljes së eshtrave të motrës sonë, heroinës Shotë Galica, me të cilën mburret gjithë kombi shqiptar, pranë bashkëluftëtarit dhe bashkëshortit të vet, Azem Galica, në Galicë, aty ku e zhvilloi betejën vendimtar e ku, tash e katër vjet e pret varri i zbrazët!
Kur e bëjmë këtë kërkesë, nuk jemi nisur nga shpirtngushtësia e përvetësimit të këtyre figurave madhore kombëtare. Jo. Shteti shqiptar ka bërë mjaft për ta, i ka shpallur HERONJ Të KOMBIT dhe ata tashmë i përkasin gjithë SHQIPTARISË! Përkunsdrazi. Jemi nisur thjesht nga ndjenja e pastër e idealit të tyre, që, ashtu siç qenë nsë jetë- TË PANDAR&Eumsl;, edhe sot në amshueshmëri e në LIRI të pushojnë TË PANDARË!
Tekefundit, ky bashkim zemrash, eshstrash e idealesh ka simbolikë edhe më të thellë: Ai është amaneti i Tyre dhe paraprakisht nënkupton BASHKIMIN TONË KOMBËTAR!!!
Zëri ynë, si vajza, si gra, si motra, si nëna, si krijuese, i cili doli fuqishëm e natyrshëm nga zemra dhe arsyeshmëria, nuk do të pushoi përderisa kjo heroinë nuk vjen aty ku e ka vendin, në Galicë, pranë burrit të saj, pranë Azem Galicës!!!



Pranë Varrit të zbrazët të Shotë Galicës
|
|
|