fotokabshi psikologji
diskutimeharta
poezihartafemirijaimehartapsikologjipsikologji
skenderaj
Mirë se vini në www.skenderajlive.com




PËR FLAMURIN KUQEZI...
nga Bedri TAHIRI

Për Flamur e për Atdhe
Japim jetën si me le...
(Populli)

Flamuri!
Një emër krenarie, që në vetvete ngërthen tërë qenien e kombit. Aty sintetizohen për mrekulli: bujaria, besnikëria, trimëria, burrëria e mbi të gjitha sakrificat tona shekullore për liri e pavarësi.
Dhe, përherë i pandryshuar, kuqezi.
Ngjyra që flasin shumë. Toka mëmë e larë me gjak.
Flamuri ynë histori në vete. Pas atij te Danimarkës, më i vjetri në Evropë. Sa bukur! Sa krenari! Sa madhështi! Mbi pesë shekuj jetë e rezistencë. Për herë të parë valoi në Krujën legjendare. Ishte 28 Nëntori 1443. Ditë e mbarësisë që u skalit përjetësisht në faqet e historisë sonë. Plot njëzet e pesë vjet rresht frymuan lirshëm trojet e Arbërisë dhe mbarë krishterimi evropian. Por, sakaq, fatkobe të tjera u rrokullisen drejt nesh. Barbarët sërish u vërsulen këtej, duke përlarë çdo gjë nga Etnosi ynë. Edhe flamurin e përpiu vala shkatërrimtare...
Dhe, kur të mallkuarit menduan se ai humbi e treti përjetë, ngjau katarzisi në shpirtrat tanë. Mendjendrituri ynë, i madhi Faik Konica, duke qëmtuar thellë e thellë në histori, e rizbuloi dhe, pas katërqind e ca vitesh, sërish në trojet tona valoi Flamuri i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut...
Koha dhe ngjarjet rridhnin lumë. Të robëruarit kërkonin atë që u mungonte, L I R I N Ë. Atdhetarët tanë nuk pushonin së vepruari. Me penë e me pushkë, brenda e jashtë. Çetat çlirimtare kishin mbushur malet. Qielli i Kosovës përflakej nga betejat e pareshtura. Këtij djepi të shqiptarizmës i takoi fati ta përgatiste edhe terrenin e shpalljes së Pavarësisë. Në gjakun e derdhur brenda viteve 1910-1912 zuri embrion shteti i vockël shqiptar...
Dhe, më në fund, ditë e bardhë agoi. 28 Nëntor 1912. Vlora kishte festë, ajo do bëhej nuse dhe tundej nga gëzimi. Po hynte në histori për të ngelur legjendë. Plaku shtatëdhjetëvjeçar, Ismail Qemali, po dridhej nga entuziazmi. Mezi e mbante në dorë flamurin e Marigonës, që e kishte qëndisur brenda natës. Brohoritjet e fuqishme: Rroftë Flamuri! Rroftë Shqipëria!- e ngazëllyen edhe më. Me mund nguli shtizën në ballkonin e shtëpisë së vjetër stërgjyshore dhe masës së pafund iu drejtua:
"-Vëllezër shqiptarë!...Ja, pra, ky është Flamuri ynë...Sot dhe këtë minutë Kongresi shpall MËVETËSINË E SHQIPËRISË..."
Flamuri ynë i shenjtë, edhe në trojet e mbetura jashtë kufijve londinez, vazhdoi jetën e tij të përvuajtur nëpër arkat e nusërisë, në djepat përplot e në zemrat e ndrydhura të kosovarëve të panënshtruar. Ai veçan qëndroi krenar në ballë të çetave çlirimtare te Shaqir Smakës, Azem e Shotë Galicës, Bajram Currit, Shaban Palluzhës e Mehmet Gradicës, Ukshin Kovaçicës, Tahir Mehës e shumë e shumë luftëtarëve tjerë, të cilët kurrë nuk u pajtuan me robërinë.
Edhe më vonë i njëjti avaz. Rrahje, burgosje, vrasje. Qëndresë, heroizëm, pathyeshmëri. Sa e sa gjaku u derdh për këtë të shenjtin Flamur! Mësuesi atdhetar Fazli Greiçevci vulosi dashurinë për këtë simbol kombëtar
Dhe, fare në fund, edhe këtyre trojeve u buzëqeshi fati. Më 28 Nëntor 1955, në Prekaz ngjau mrekullia, u lind Adem Jashari, njeriu që do ta ndërrojë historinë. Edhe shumë fëmijë u lindën atë ditë, edhe shumë djepa u nanurisën, por vetëm ky kishte dhuntinë e shqiponjës. I ati, mësuesi Shaban Murat Jashari, e mbështolli me flamurin kuqezi dhe duke ia vënë armën në djep i uroi fat në rrugën e madhe të lavdisë. Kjo nuk qe rastësi. Jo, jo, kjo qe një mrekulli, që rrallë përsëritet nëpër shekuj...
Dhe, kështu, me këtë Flamur u mishëruam dhe u bëmë NJë Me të jetonim, me të gjallonim, me të mbijetonim. Për të sakrifikonim e për të vdisnim. Me të kudo: në lindje, në dasma, në vdekje. Ai përherë në ballë të luftërave tona çlirimtare.

Po me këtë Flamur fituam edhe LIRINË, të cilën sot po e gëzojmë!!! Kryekomandanti ynë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, i cili më shumë së askush tjetër u identifikua me të, po me këtë Flamur e nisi dhe e mbrojti dinjitetin tona kombëtar. Me fjalë të tjera Flamuri është vetë jeta. Pa të nuk mund ta paramendojmë fare ekzistencën. Edhe më parë patën provuar të hedhin ndonjë njollë përmbi Të, por nuk i duroi dot, shpejt i hodhi si lecka të pavlera.
E sot, pas 564 vjetësh, ç"duan vallë?!!!
Ne, asgjë. Tekefundit, Populli jo. Ai, asgjë nuk do më shumë së të tjerët dhe asgjë nuk do të duroj që të bie ndesh me pastërtinë e Tij kombëtare. Jo, ore jo! Nuk mund të heq dorë dot nga shpirti i vet, nga pjesa kryesore e qenies së tij, pa të cilën nuk mund të rroj as edhe një ditë! Jo që është i prapambetur, arkaik e folklorik, siç edhe mund të mendoj ndonjë miop trurrjedhur, por mu pse është autokton, heroik e autentik. Këtë po e duan të tjerët, arsyetohet dikush tjetër. Ani, ata lë ta bëjnë dhunshëm. çdo gjë e dhunshme është e përkohshme dhe e paqëndrueshme. Tanët, dihet botërisht se nuk kanë gjë në dorë, por, mjerisht, të verbuar nga lakmia a mosdija, herë-herë bëhen rrahagjoksë dhe ia kthejnë grykën vetes. Oh, sa keq! Veç mos të harrojnë së ngado që të pështyjnë në gjokset e tyre u bie pështyma! Edhe konkurruesit për bërjen e një "Flamuri", pa asgjë kombëtare, nuk di ku e marrin gjithë atë vullnet e gjithë atë guxim!!! Mbase nuk janë aq të babëzitur për para!!! Sakaq, seç m"u kujtua Ernest Koliqi dhe libri i tij "Tregtar famujsh"! Hajde botë, hajde! Hiç nuk ma merr mendja se do të ndjehet mirë akëcili, që do ta fitojë konkursin dhe që nesër do të thuhet: Ja Flamuri i filanit!!! Çdo turpërim a pendim i mëpastajmë do të jetë i vonshëm dhe i kot! Edhe një gjë është mese e sigurt, dënimit të historisë nuk i ka shpëtuar askush!
Vallë, po cili popull, me vetë dëshirë, do të hiqte dorë nga simboli i vetë kombëtar?!!! Asnjëri, as edhe fiset që ende komunikojnë me gishtërinj!
Andaj, ç"kërkoni nga ne, zotërinj të nderuar?! Mos na ngushtoni deri aty ku nuk do të duronit as vetë! JU zotërinj kërkoni prej nesh të pamundurën, na thoni ta mohojmë vetveten!!! Nuk jemi aq naivë sa na pandehni. Jo, jo. E dimë që shteti i ri kërkon edhe një Flamur të ri. Dakord. Edhe ne pajtohemi me ndonjë ndryshim të arsyeshëm. Ama, jo të heqim dorë nga simbolika thelbësore, nga ngjyra kuqezi! Kjo do të thotë të heqim dorë nga gjaku ynë i derdhur nëpër shekuj. Ah, na falni, këtu nuk mund të pajtohemi kurrsesi!!! Kjo është e tepërt. Edhe nëse ne të gjallët i mbyllim sytë dhe bëjmë sikur pajtohemi, një gjë të tillë nuk do ta lejojnë të pavdekshmit, ata që dhanë jetën mu për këtë Flamur, DËSHMORËT! Mallkimi i tyre do të na zë dhe më nuk do të na lëshojë përjetë!!! Sigurisht, një gjë të tillë nuk do ta pranonit as ju për veten Tuaj! Bëhuni realist dhe pranojeni këtë të vërtetë. Mos na sakrifikoni sërish për teke të atyre që historikisht e kanë në shpirt ligësinë dhe gjakpirësinë! Edhe kësaj here nëse nuk i keni kuptuar hilet dhe djallëzitë e tyre, më kurrë s"do t"i kuptoni! E ne shqiptarët, që nga lashtësia jemi udhëhequr nga parimi: Atë që nuk e do për vete mos ia bëj askujt! Është mirë që edhe Ju të mos i gjykoni punët në stilin: E drejta në anën e të fortit!
Zotërinj të respektuar, Ju jemi mirënjohës për të gjitha që keni bërë dhe që po bëni për ne, por, nëse doni ta qetësoni këtë Ballkan të trazuar, mos na ngacmoni, duke luajtur me nderin dhe sedrën tonë. Mos na i shprushni plagët, që ende kullojnë gjak e të cilat dhembin më së shumti. Ne për to (Flamur, Besë e Dinjitet) jetojmë dhe për to edhe vdesim! Pra, kujdes!!!Për çdo gjë që do të ndodh, ne nuk jemi fajtor! Atë po na imponojnë rrethanat, po na e impononi Ju, andaj edhe përgjegjësia bie mbi Ju!
Edhe njëherë kujdes, sa nuk është bërë vonë!!!

(Autori është shkrimtar, publicist dhe profesor i letërsisë në Gjimnazin "Eqrem Çabej" në Vushtrri)


VEND KËRKIMI
 









fotokabshi
logologo


reklam


fotokabshi
reklam
logo
reklam
logo
reklam
logo
fotokabshi
logo
reklam
logo
reklam
logo