HALIL XANI
Mësues, mos vdis në uikend!
Një kurorë hastreti dhe një fjalë e "lodhët" e drejtorit të shkollës, ishte e gjithë ajo që bëri (pu)shteti në përcjelljen e fundit (më 07.04.2007) të mësuesit Adem Koci nga Polaci, që edukoi breza e breza për gati 40 vite.
Mësuesi punoi edhe nëpër bodrume. Mësuesi punoi nëpër shtëpi private. Mësuesi punoi edhe atëherë kur çdo ditë kërcënohej nga policia serbe. Mësuesi punoi edhe kur nuk u pagua për punën që bëri, por nuk u dorëzua.
Mësuesi bën punë të shenjtë.
Por, edhe sot, tetë vite pas çlirimit, në shoqërinë kosovare, mësuesi është bira e fundit e kavallit. O Zot sa keq! O Zot sa keq!
Derisa një këshilltare, apo këshilltar i një ministrie harxhon (ndoshta nuk i ka harxhuar, por i ka marrë nga buxheti i Kosovës) 500 euro
për një muaj në emër të mbushjeve për telefonin celular, derisa ata lart vishen me paratë e popullit, ushqehen me paratë e popullit, vozitin xhipat e shtrenjtë edhe në dasma e syneti, për mësuesin thuren barcoleta: "Në varrimin e mësuesit të gjithë pyesin si vdiq, e askush nuk pyet si jetoi deri atë ditë". Deri kur kështu? Deri kur kështu?
Këto, e mendime, të tjera si këto, më silleshin nëpër kokë, të shtunën, më 7 prill, në ceremoninë e varrimit të arsimtarit të dalluar të matematikës, Adem R. Kocit nga Polaci i Skënderajt.
Njerëzit ngadalë flisnin ndërmjet veti. Sadriu ( arsimtar i gjuhës shqipe) tha se me Ademin ishte rritur, shkolluar dhe kishte punuar deri në ditën e fundit. Kurrë një fjalë të keqe nuk ia dinte.Tjetri shtonte se Ademi e kishte hequr tabunë tek nënësit se matematika nuk mësohet. Një tjetër theksoi se ai gjithënjë ishte i rregullt në punë. Një tjetër kishte vërejtur se arsimtari që kishte edukuar breza e breza, po varrosej pa kamera, pa fjalime, pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të pushtetit lokal e as të përfaqësuesëve të Drejtorisë së Arsimit të komunës, të cilët nuk kishin dërguar bile as një telegram ngushëllimi për familjen. Dikush si me ironi tha se ka qëlluar uikend dhe se ata lart ku ta dish ku janë duke "hequr keq".
Funerali ishte nisur nga shtëpia e të ndjerit. Rreshti ishte bukur i gjatë i farefisit, miqve e i njerëzve të tjerë që kishin ardhur t`i thonë lamtumirën e fundit. Te varrezat kishin ardhur edhe një grup nxënësish të shkollës fillore të fshatit ( shkolla ka gati 1000 nxënës) të shoqëruar nga arsimtarët e tyre. Të gjithë ishin të ngrysur si qielli para ndonjë rrebeshi shiu. Dy nxënësit e parë të reshtit, kukulur, mbanin një kurorë. Zatën ajo ishte e vetmja kurorë që u vendos mbi varrin e mësuesit, pas duave të hoxhallarëve, pas tallkinit si dhe pas fjalës së "lodhët" të drejtorit të shkollës.
Këtë shkrim, do ta përmbyllja me fjalët e një shokut im, Dr. Osman Veliut, i cili para pak ditësh në bisedë e sipër me internet më thotë:
Citoj " A e din se, nëse vdes, organizata për të cilën ke punuar do të ta gjejë zëvendësimin për disa ditë. Kurse familja është ajo që do ta ndjejë tërë jetën humbjen tënde. Prandaj të punojmë me nder aty ku punojmë por t`i kushtojmë një kohë më të madhe familjes sonë".
Dhe krejt në fund:
Mësues, mos vdis në uikend!
Apo, vdis kur të dush, (mos) kujdesin e shoqërisë e ke njësoj.
|