Pa identitet momentalisht
nga Halil Xani
Isha fëmiu i tretë, që prindërit më sollën
në jetë, isha i vogël sa xerrja, andaj s`mbaj mend a pat
krisur mamzerja. Mbase kam kërkuar qumësht por jo edhe bukë,
nëna nuk ishte police, por më lidhi më bëri tamruk.
U rrita ngadale duke lozur nëpër hi, dikur nisa të dal edhe
nëpër kojshi. E di se rrallë hanim mish, kurse natën e
madhe e për bajram, hanim edhe çervish. Vëllai më i
madh shkonte në shkollë fillore, unë isha kurreshtar të
shihja se ç,shkruante ai në fletore. Nuk kishim radio,
televizor, as kompjuter, me top leckash luanim në verë. Një
pranverë kur mugulloi mali, babi tha të lumtë ne na u rrit
djali. Më bleu opinga me baskija e një palë pantollona me
vija, një fyell të mirë e brisk, mellën me lara, më
tha këto janë armët tua të para. M`i lëshoi
lopët në lëndinë, kujdes më tha në drith
të huaj mos të hyjnë, se është gjynah e bëhemi
gazi i botës, të pijmë qumësht haram prej lopës.
Dy fletore
Në mengjez hijen e matnim me këmbë, kur prenim thupra i
matnim me pëllëmbë. Në drekë pas kulaqit kur i
hanim edhe qershitë, nëpër oborr i rrokullisnim tepsitë.
Kur u bëra i madh ihiiii- në moshën
shtatëvjeçare, babai m`i bleu dy-tri fletore, më bleu
dhe abetare. Nëna më përcolli më tha udhë e
mbarë, më uroi: u bëfsh o bir gazetar e shkrimtar. Kur hyri
në klasë mësuesi Hamit, nuk e harroj kurrë, thoshim
vetmevete as han as flen ky burrë. Pa humbur kohë ia nisëm
mësimit, A e madhe shtypit A e madhe e shkrimit, a, a, a, e b, b, b, b,
arritëm deri në zh. Vërtetë atëherë
s,kishim lidhje ç'është çipi a moduli, ishim
të barabartë të gjithë njehësonim me kokrra pasuli.
Rilindja
Nëpër shi e borë, me rroba të holla, por
asnjëherë nuk ndaheshim nga shkolla. Atje e gjenim xha Aliun e
Marinës që na i mbushte tasat me qumësht të
Amerikës. Pritnim në rresht për një gotë ujë,
ai vajzat i thirrte Bardhokë, Sykë, e Ftuë. Më kujtohet
kur pat ardhur një xhip nga qyteti, ishte shoferi vet i treti, na
thanë fëmijë mos u frikësoni, sot një film do ta
shikoni, u errësuan dritaret ne u bëmë sy e vesh tanksat i
pamë në mur, na u duk vinin drejt nesh. Atëherë si
fëmijë në vitin gjashtëdhjetë pata kontaktin e
parë me gazetë, në shkollë na i solli një njeri, e
lexonim Rilindjen për fëmijë.
www.neperju.org
|