| |
|
 |
 |
 |
|
|
|
Limaj përuroi dy rrugë në Skenderaj |
|
|
|
|
Fillimi -
Fillimi
|
|
Publikuar nga Manager
|
|
Wednesday, 01 September 2010 |
|
 Skenderaj. Në kuadër të përurimeve të rrugëve të reja, ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj i shoqëruar nga kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, sot përuroi dy rrugë të asfaltuara. Rrugën për fshatin Kotorr e cila ka një gjatësi rreth 4.5 kilometra si dhe rrugën e Radishevës mbi 5 kilometra.
Sikurse në rajonet tjera të vendit tonë, Qeveria e Republikës së Kosovës, edhe në komunën e Skenderajt ka bërë ndërtime të fuqishme në infrastrukturën rrugore, tha në prononcimin e tij për media ministri Limaj.
“Qëllimi ynë është për të vazhduar që qytetarëve të vendit tonë, t’ua bëjmë jetën më të mirë, në mënyrë që të vazhdojnë të jetojnë në vendbanimet e tyre. Dora e shtetit dhe përkujdesja ndaj qytetarëve të tij po shihet konkretisht, duke e transformuar për të mirë jetën e tyre, por dhe duke ofruar më afër bukuritë e vendit tonë”, u shpreh ministri Limaj.
“Jam i bindur se me investimet tona, që janë bërë në këtë komunë, ju kemi mundësuar qytetarëve të kësaj komune, përmirësimin e kushteve të jetesës si dhe duke ju ofruar mundësinë për të zhvilluar ekonomitë e tyre shtëpiake”, vlerësoi ministri Limaj.
Duke folur rreth përmirësimit të inftasrukturës rrugore në vendin tonë, kreu i MTPT-së, theksoi se premtimet e dhëna po i përmbushim.
“Kemi thënë që po bëjmë zhvillim harmonik të Kosovës, fshatrat kosovare po transformohen dhe po marrin një pamje tjetër, ky shembull është një shembull konkret, se me angazhimet tona të përbashkëta, kemi ndryshuar për të mirë jetën e banorëve të Skenderajt dhe kështu jemi duke vazhduar dhe do të vazhdojmë edhe në komunat tjera të vendit tonë”, tha ministri i transportit.
Kjo zonë dhe ky rajon ka qenë tërësisht të harruar në të kaluarën, sa i përket infrastrukturës rrugore, potencoi ministri Limaj, dhe ceku se nga informacionet e siguruara nga kjo komunë, del që deri në vitin 2007, në fshatrat e komunës së Skenderajt ka pasur vetëm 1 për qind të rrugëve të asfaltuara, ndërsa tani kjo infrastrukturë ka arritur që të ketë një ngritje deri në 75 për qind.
“Besoj se deri sa të përfundohet mandati i qeverisjes aktuale të kësaj komune, ne do ta rrumbullakojmë 100 për qind asfaltimin e rrugëve të kësaj komune”, tha në fund të fjalës së tij ministri Limaj.
Ndërsa kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku lidhur me realizimin e projekteve rrugore në komunën të cilën e drejton, falënderoi Qeverinë e vendit dhe ministrinë e transportit të udhëhequr nga ministri Limaj, për ndërtimin e rrugëve të reja në këtë komunë. |
|
Azhornuar së fundi ( Wednesday, 01 September 2010 )
|
|
Sektori për Rini Skenderaj |
|
|
|
|
Fillimi -
Fillimi
|
|
Publikuar nga Manager
|
|
Thursday, 26 August 2010 |
Komuna e Skenderajt ,Sektori për Rini ka si mision përkrahjen dhe fuqizimin e të rinjve ,si dhe krijimin e mundësive për promovim,zhvillim dhe pjesëmarrje te të rinjve ne jetën aktive shoqërore. Duke u mbështetur ne ato qe u ceken me lart Sektori i Rinisë hap:
AUDICION Sektori i Rinisë fton te gjithë të rinjet e Komunës se Skenderajt të cilët shprehin talent për
- Muzikë. -Vallëzim. -Humor - Aktrim ,etj që të jenë pjesëmarrës ne audicion. i cili mbahet me dat.13 shtator2010 duke filuar prej ores 10:00
Zyra për Rini inkurajon të gjithë nxënësit,këngëtaret ,grupet muzikore ,humoristët që të paraqiten ne audicion që ju të jeni pjesë e suksesit dhe pjesë e programeve që do të prezantohen për ju të rinj në të ardhmen.
Forma e paraqitjes Individuale dhe grupor
Pjesë e audicionit do të jetë juria e cila do të bejë përzgjedhjen e paraqitjeve më të mira. Afati i paraqitjes është i kufizuar prej datës 26 gusht -10 Shtator 2010
Paraqitja behet në : Drejtorinë për Kulturë,Rini dhe Sport Sektori i Rinisë kati i II Zyra Nr. 47.
Ju mirëpresim !
Zyrtari për Rini Xhevat Dervishi |
|
Ema Imeri: Nuk gjuhen ëndrrat me gurë! |
|
|
|
|
Fillimi -
Fillimi
|
|
Publikuar nga Manager
|
|
Thursday, 26 August 2010 |
|
Emine (Ema) Imeri nga Skënderaj, ndoshta është e vetmja e re e talentuar që i ka mbetur besnik mjedisit të vet, ndonëse ka pasur rast të ik në ndonjë mjedis, ku ka kushte më të mira për afirmim dhe depërtim. Mirëpo, ajo ngul këmbë se arti, mund të krijohet edhe në provincë, edhe pse vështirësitë janë të shumta dhe gjithfarë. Bisedoi: Shaqir Foniqi Ema Imeri deri më tashti e ka sprovuar veten (me sukses) në film, në drama, në vallëzim, në koreografi, në skeçe, në poezi, në recitime dhe në këngë, duke fituar edhe çmime të rëndësishme. Të krijosh në provincë, është sikur të shohësh një ëndërr të bukur, por ëndrrat nuk duhet gjuajtur me gurë, sepse, pastaj zemra bëhet gur,e guri bëhet zemër; pra, krijohet togfjalëshi zemërgur! Na i përmendi angazhimet tuaja në këto fusha, Ema? Qysh si fëmijë kam filluar të shkruaj poezi dhe të recitoj, ku shumë herë jam shpallur recituesja më e mirë e shkollës dhe e komunës sime. Meqë kam marrë guxim për shkrim, së shpejti do të dal me përmbledhjen e parë me poezi ‘Lufta dhe Dashuria’, por, t’i kthehem edhe njëherë rrjedhës së karrierës sime modeste. Në Festivalin ‘T’i këndojmë Lirisë, kam fituar vendin e parë si valltare autentike (origjinale), me vallen e Shotës, bashkë me të ndjerin, valltarin e talentuar, Bislim Mehaj, po ashtu aktor i Teatrit të Skënderajt. Dy vjet kam punuar si koreografe në Teatrin e këtij qyteti, kurse më vonë jam angazhuar në filmin e Adem Mikullovcit ‘Nusja e Sadullahut’, ‘Bukurija’, në rolet kryesore, kurse më vonë jam angazhuar në disa skeçe me Lecin, Cimën, Zenel Tufen, etj. Aktualisht jam duke u përpjekur për ta realizuar një spot muzikor me titull ‘Kam frikë mos po të humbas’, ku shpresoj se do të pritet mjaft mirë nga publiku, mirëpo, kjo punë kërkon shumë mund dhe përkrahje. Të shpresoj se do t’ia dal mbanë. Të shohim se si do të ecin punët.  Deklaruat se shkruani edhe poezi, madje i këndoni luftës dhe dashurisë, por titulli i librit tuaj do të jetë Loti dhe deti. Po, titulli i vëllimit tim poetik do të jetë Loti dhe deti. janë disa përsiatje të mia, të cilat, besoj shpalosin edhe botën e brendshme, të trazuar të shumë moshatareve të mia. Mirëpo, ka edhe lot të gëzimit, nuk ka vetëm lot të hidhërimit. Loti i gëzimit mund të bëhet sakaq loti i hidhërimit dhe e kundërta. Mund të quheni vajzë me shumë talent dhe më pak përkrahje? Kjo është mëse e vërtet. Kultura kudo që është, nuk trajtohet mirë, madje as në kryeqytet, e lëre më në provincë, por unë i inkurajoj të gjithë talentet që të mos dekurajohen, sepse arti dhe kultura gjithmonë janë trajtuar njësoj, por vlerat një ditë depërtojnë, sepse ato janë si uji, që e shpojnë edhe gurin. Unë falënderoj Zotin për talentin dhe familjen time për përkrahjen e pakursyer brenda mundësive të tyre, prandaj i falënderoj shumë, pa fund! Meqë e përmendet dashurinë, është e dashuruar, Ema? Ema është e dashuruar, hë për hë, vetëm në art, hahat, ndërsa mashkulli që Ema e kërkon ende nuk e ka shijuar dashurinë që mund t’ia ofrojë (nuk e di kush do të jetë ai, le të lajmërohet sa nuk është bërë vonë, hahah)...Janë një kategori e njerëzve të pasur, të cilët mendojnë se dashurinë mund ta blejnë me para. Ata mund të kenë sukses vetëm tek femrat naive dhe me moralin zero. Dashuri dhurohet, falet, fitohet, por kurrsesi nuk blihet. Disa njerëz të pasur, mund të jenë të veshur në ar, por, pa dashuri, prapë, mbesin lypsar! Ju folët se si duhet të duket mashkulli, por si duhet të jetë femra? E sjellshme, e dinjitetshme, e moralshme, e shkolluar dhe, natyrisht e bukur... E di se, aktualisht që të dy e kanë vështirë, edhe femra edhe mashkulli. Disi ka ndryshuar shumëçka dhe ka hyrë në mes shumë dyshim, sikur, askush askujt nuk i beson, ose i beson me rezervë. Pra, duhet krijuar raporte miqësore dhe duhet luftuar xhelozia e sforcuar, e cila shkon deri në mani! Femrën e bën të dinjitetshme, dinjiteti dhe morali i fortë, kurse mashkullin serioziteti dhe besnikëria!  Si kalohet një ditë në provincë? Për sa i përket jetës argëtuese, provinca nuk e arrin qendrën, por fal internetit, TV-së dhe formave të tjera, jeta, pothuajse nuk ndryshon shumë nga ajo që bëhet në Prishtinë. Po e shihni, femrat vishen kudo njësoj, dëgjojnë të njëjtën muzikë, janë të bukura njësoj... kafenetë njësoj... vetëm mbrëmjet ndryshojnë. Unë, ndjehem mirë në qytetin tim dhe i falënderoj bashkëkombësit e mi, të cilët më respektojnë dhe më çmojnë, por edhe më përkrahin në çdo hap. Diçka për fund? Të përkrahen talentet kudo që janë (pa kushtëzime), të bëhet decentralizimi i kulturës dhe të mos lejohet shuarja e talenteve, vetëm pse nuk janë në qendër. Kultura nuk njeh gjeografi, as miqësi, ajo lind dhe zhvillohet vetiu, por duhet përkrahur dhe ndihmuar pa paragjykime dhe pa lidhje farefisnore e gjinore, klanore. Mjerë ai njeri që nuk është në vendin e vet, por e vendosin si kukull pa pushtet dhe autoritet. Autoriteti nuk dhurohet me dekrete dhe letra, por fitohet. Arti nuk e pranon intervenimin, sepse skena është hakmarrëse e tmerrshme. Le të mbesin në skenë, vetëm ata që e meritojnë skenën. /Telegrafi/ |
|
Reportazh kulturor-historik |
|
|
|
|
Fillimi -
Fillimi
|
|
Publikuar nga Manager
|
|
Monday, 23 August 2010 |
Bedri TAHIRI
Arbëria e Vogël e Azem Galicës bërthama e shtetësisë së Kosovës Galicë, e enjte, 15 korrik 2010. Dielli përcëllinte ashpër, si gjarpër helmues, por kot, krushqit e atdhetarisë nuk i pengonte dot. Atë ditë, të gjitha rrugët e rrugicat, shpienin në një vend, në Galicën heroike të Drenicës së pamposhtur. Që me kohë, dy javë më parë, ishte lëshuar kushtrimi: Në 86-vjetorin e Epopesë së Arbërisë së Vogël, në Galicë, do të vihej gurthemeli i Kullës së Azem Bejtë Galicës! Dhe, paskëtaj, i madh e i vogël, burra e gra, luftëtarë e komandantë, invalidë e veteranë, qytetarë e politikanë, deputetë e misnistra, kryetarë e parlamentarë, policë e ushtarë, historianë e shkencëtarë, artistë e këngëtarë, valltarë e krijues, diplomatë e ambasadorë, majtistë e djathtistë, priftërinj e hoxhallarë, nxënës e studentë, për fat edhe shumë e shumë mërgimtarë tanë zemërzhuritur, ngarendnin drejt Arbërisë së Vogël. Ajo, e stolisur si nuse dhe tërë buzagaz, të gjithëve u bënte temena dhe i priste me dorë në zemër. Organizatorët, Galica dhe Kuvendi Komunal i Vushtrrisë, kësaj here ndjeheshin më të lehtësuar së kurrë, ngase ua kishte shtrirë dorën i forti, PTK-ja. Ndarja e pesëdhjetëmijë eurove për fillimin e rindërtimit të Kullës- Muze ishte një sihariq i mirë edhe për vetë historinë tonë kombëtare. Ora 11 e 45 minuta. Kënga e vallja jehonin deri në qiellin e ndezur flakë nga të nxehtit. Bina e bukur moderne, me foton e madhe të heroit kombëtar, Azem Bejtë Galica, dhe me flamujtë që valviteshin hareshëm, priste folësit e këngëtarët. Të gjithë po vinin radhë- radhë. Galicasit po i prisnin dhe po i përcillnin sipas rendit dhe zakonit. Në rreshtat e parë të ulëseve zinin vend më të meriturit: bacë Rifat Jashari, akademik Rexhep Qosja, z. Bajram Rexhepi, z. Naim Tërnava, ambasadori i Shqipërisë, z. Islam Lauka, deputetë të Kuvendit të Kosovës, kryetarë komunash, ministra, zëvendësministra, drejtorë e shefa departamentesh..... Mirëpo, ende nuk po dukej ai që më së shumti kontribuoj për këtë ditë, z. Shyqyri Haxha! Jo, ai nuk mund të vijë, sepse EULEX-i e ka penguar. Ky lajm na ra si rrufeja për së kthjellti. Obobo, sa keq! Vallë, ishte kjo një koinçidencë apo...
Lufta e Azem Galicës më e madhe sesa legjenda për të
-Të nderuar të pranishëm mirë se erdhët në Arbërinë e Vogël të Azem Galicës!- ishin këto fjalët e shqiptuara ëmbël nga moderatorja, Gresë Pallaska, me të cilat nisi këtë eveniment të madh kulturor- historik e artistik. Fjalën e hapjes e mbajti i pari i Komunës së Vushtrrisë, z. Bajram Mulaku, i cili, pos tjerash tha:” Azem Bejtë Galica ishte frymëzim legjendar i gjeneratave që erdhën pas tij, i shumë heronjve të UÇK-së, ishte edhe frymëzim i komandantit legjendar Adem Jashari. Vushtrria, Drenica, Kosova dhe gjithë Shqipëria sot jemi krenarë me historinë e këtyre burrave që jetën e tyre dhe të familjeve e flijuan për lirinë kombëtare, për tokën e Kosovës. Përveç ndërtimit të Kullës ka kohë që ekzistojnë iniciativa të institucioneve të vendit për rivarrimin e eshtrave të Shotës nga Fushë - Kruja në Galicë… Ndërkaq kryekuvendari dhe historiani, z. Jakup Krasniqi theksoi se: ”Na ka bashkuar sot, këtu në Galicën e traditës trimërore, përvjetori i një epopeje të lavdishme të luftëtarëve trima të këtyre maleve të lirisë, të prirë nga strategu i mençur dhe trimi me fletë, Azem Bejtë Galica. Azem dhe Shotë Galica në ballë të çetave në dhjetëra beteja mbrojtën jetën dhe dinjitetin e pjesës së kombit të pushtuar, duke shpallur të lirë dhe të paprekshme Arbërinë e Vogël, që përbën bërthamën e shtetit të Kosovës. Në këtë vend me gur stralli, si një pirg vëzhgues ngriheshin bedenat e Kullës së Azem Galicës. Ajo nuk ishte thjeshtë një objekt banimi me vlera të traditës sonë të pasur të arkitekturës popullore, por edhe kështjellë e pamposhtur e qëndresës shqiptare nder vite. Sot po ngremë nga themelet, Kullën kala të Azem Galicës, për të kujtuar luftën heroike që bëri në krye të çetave çlirimtare, për t’i bërë roje të zotit të kullës dhe fitoreve të atdheut të tij dhe për të simbolizuar pavdekësinë e idealeve që ai përfaqësonte. Kulla e Azem Galicës përbën vlerën e një monumenti kulturor, historik dhe muzeor. Këtu, në afërsi të kullës, prehet i qetë në tokën e lirë të Kosovës së tij të dashur, trimi i Shqipërisë - Azem Galica i madh. Ai ishte i pandarë ndër beteja me shoqen e tij të jetës e të luftës, heroinën e popullit, Shotë Galicën, prandaj edhe këtu duhet të jenë bashkë e të pandarë, ashtu siç ishin të bashkuar për idealin e çlirimit e të bashkimit të Atdheut. Akademik Rexhep Qosja në fjalën e tij tha:”Sot, këtu, vihet gurthemeli i një kulle historike. Është kjo kulla të cilën historike e ka bërë Azem Galica, me luftërat dhe sakrificën e vet. Është kjo kulla në të cilën janë mbledhur ata që kanë krijuar dhe ata që e kanë qeverisur shtetin e parë shqiptar në Kosovë: Arbërinë e Vogël. Është kjo kulla që ishte zemra e Drenicës, që Drenicën do ta bëjë zemër dhe mendje të Kosovës... Kulla e Azem Galicës po rindërtohet me gurët e Kullës së rrënuar, që e ka rritur Azem Galicën. Kosova po e gjen identitetin shtetëror, jo vetëm në të sotmen, por edhe në të kaluarën e vet. Dhe, po e gjen në zemrën e saj; në Drenicë. Dhe, po e gjen në zemrën e Azem Galicës...me jetën, me luftërat dhe me vdekjen, Azem Galica është historia e ngjeshur e Kosovës...sot është dita kur duhet të thuhet: Azem Galica ishte shumë më tepër se ç’është ditur për të, shumë më tepër se ç’është thënë në legjendën epike për të, shumë më tepër se ç’është kënduar për të. Ai nuk ishte vetëm luftëtar me pushkë; ai ishte edhe luftëtar me mendime, me ide, me program politik. Me jetën, me trimërinë, me idealin dhe me vdekjen ai na përkujton trimin tjetër legjendar të Drenicës: Adem Jasharin. Edhe fati i Kullës së tij dhe fati i kullës së Jasharëve janë i njëjti fat: tragjik dhe madhështor... Liria dhe zhvillimi i çdo populli varet nga dy faktorë: mençurisë së të urtëve dhe trimërisë së heronjve. Kjo u arrit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Dhe, ky njësim i mençurisë dhe i heroizmit, i frymëzuar në zemrën e Kosovës, në Drenicë, i solli Kosovës sendërtimin e idealit të Azem Galicës dhe të luftëtarëve të tij: lirinë dhe pavarësinë. Le të jetë e përjetshme lavdia e tyre!
Referatin kryesor për veprimtarinë luftarake të Azem Galicës dhe sidomos për betejën e tij të fundit e mbajti eksperti i kësaj lëmie, prof. dr. Liman Rushiti, duke kostatuar:”Figura më e ndritur e kombit tonë mbetet Azem Galica. Ai, gjatë jetës rrezatoi me trimëri, përkushtimin kombëtar dhe aftësitë për organizimin e luftës guerile kundër okupatorëve të trojeve shqiptare. Aftësitë i trashëgoi, por edhe i mësoi nga rinia Për së gjalli u bë legjendë, ngeli dhe do të jetë ndër legjendat shqiptare me luftën dhe kontributin e tij për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin kombëtar...” Azem Galica na ka mbajtur gjallë edhe ne në Shqipëri Në foltore, për ta pëshëndetur manifestimin mbarëkombëtar te Galicës, dolën edhe personalitete nga të gjithë trojet shqiptare: Për kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), z. Ali Ahmeti, luftërat e Azem e Shotë Galicës kanë bërë që kombi ynë të radhitet ndër kombet që mburren me historitë e bujshme dhe heroike...“Një popull që e nderon të kaluarën dhe e ndërton të ardhmen e ka të sigurt fatin e vet, sepse e di se kush dhe ku ka qenë si dhe e ka të qartë se çka dhe ku synon. Çdokush që ka sadopak informacione nga historia jonë dhe lufta e popullit tonë për liri e ka të qartë se emri i Azem Galicës është i lidhur në mënyrë të pandashme me atë të Shotë Galicës, bijës së Drenicës trime e bujare. “Gjithë bëmat e tyre, krejt historia e asaj periudhe lidhet me ata dy emra të cilët gjithmonë kanë shkuar bashkë: Azem e Shotë Galica. Breza të tërë jemi frymëzuar, jemi rritur dhe kemi vepruar sipas shëmbëlltyrës së pavdekshme të birit të Drenicës heroike dhe luftëtarit të madh Azem Galica. Ky fillim simbolik që po shënojmë sot për rindërtimin e Kullës zulmëmadhe të Azem Galicës dëshmon se Kosova tashmë është bërë shtet dhe shtetësinë e vet e vërteton edhe me kujdesin që po tregon për familjet e mëdha të kauzës sonë kombëtare”. Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Islam Lauka, i entuziazmuar nga kjo madhështi ka thënë se vënia e gurthemelit të kësaj kulle është nderim dhe përjetësim i figurës dhe veprës së Azem Galicës. Në fund ai u shpreh: “Azem Galica na ka mbajtur gjallë edhe ne në Shqipëri. Duke nderuar atë, nderojmë historinë... Ai, paskëtaj foli edhe për probleme dhe sfida të ndryshme nëpër të cilat po kalon populli shqiptar, në përgjithësi. Pos tjerash ai njoftoi të pranishmit edhe për pullën e re postare “Azem e Shotë Galica”, të cilën, po të mos kishte pengesa do ta promovonte vetë menagjuesi i PTK-së, prof. dr. Shyqyri Haxha. Profesoreshë Salë Ahmeti, tepër e emocionuar, që mezi i nxirrte fjalët nga goja, pos tjerash tha:“Azem e Shotë Galica janë shembull unik në historinë e popujve të Evropës se si duhet luftuar për lirinë e Atdheut. Shota dhe Azemi janë metaforë e lirisë. Kjo metaforë u rilnd me shëmbëlltyrën e tyre, tek brezi i luftëtarëve të UÇK-së”. Në emër të Këshilit Organizues dhe në emër të Arbërisë së Vogël përshëndeti profesori, shkrimtari dhe veprimtari galicas, z. Bedri Tahiri: ”Sot gjendeni në truallin ku, para 86 vjetësh, pra më 15 korrik 1924, u zhvillua beteja e fundit e Azem Galicës, e cila në histori njihet me emrin Epopeja e Arbërisë së Vogël. Ardhja Juaj është një nder i veçantë për ne dhe për heronjtë, sepse: Kush nderon historinë, krijon ardhmërinë! Azem e Shotë Galica për 12 vjet rresht nuk i lëshuan armët nga dora. Ata zhvilluan mbi gjashtëdhjetë beteja fitimtare kundër pesë pushtuesve të kohës. Më 1923 krijohet ARBËRIA E VOGËL, e cila, si bërthamë e parë shtetërore, pati jehonë të madhe, saqë shpejt u detyrua ta njoh edhe mbretëria serbosllave. Më 11 tetor 1923, deputeti i Kosovës, Jovan Magovçeviqi, u tha në Beograd: “Zotërinj, unë i kam dy vota; një si deputet i rregullt i Kuvendit Popullor dhe një si deputet i jashtëm i shtetit të Azem Galicës”. Pra, Azem Galica, mbetet frymëzuesi më i madh i brezave liridashës. Edhe luftëtarët e UÇK-së shumicën e betejave i fituan nën thirrjen: O prite, prite Azem Galicën!
Jubileun e sotëm po e shënojmë me vënien e gurthemelit te Kullës së kryekomandantit, e cila është simboli më i qëlluar i rezistencës për liri. Roje e saj do të jetë vetë kapedani, eshtrat e të cilit, më 1971, i nxori nga shpella atdhetari i madh Abdyl Krasniqi. Ama, atij po i mungon Shotë Galica. Bashkimi i tyre nënkupton bashkimin tonë shpirtëror e kombëtar! Falënderim i veçantë u takon atyre që bënë hapin e parë në mbështetjen e Projektit, PTK-së, me drejtuesin e suksesshëm dr. Shyqyri Haxhën dhe KK të Vushtrrisë, udhëhequr nga Bajram Mulaku. Shpresojmë së kjo nismë e mbarë do të përkrahet nga Qeveria, nga Ministria e Kulturës, dhe nga donatorë të tjerë, sepse vetëm ashtu lajmë një borxh të vockël ndaj atyre që sollën Ditën e Bardhë- LIRINË! Ju mirëpresim vitin e ardhshëm në përurimin e Kullës-MUZE!
O prite, prite Azem Galicën! Dhe, vapa përvëluese na sulmonte pamëshirshëm. Njerëzit që ishin thelluar në histori e sfidonin suksesshëm. Sakaq erdhi edhe pika kulmore e manifestimit: Vënia e gurthmelit! Sipas skenarit ai vinte fill pas programit foljor. Në fakt, pritej edhe Dekorata e Presidentit të Kosovës për heronjtë Azem e Shotë Galica, por ajo mungoi, pa i ditur arsyet. Dhe, Gresa, ftonte gurëvënësit; z. Jakup Krasniqi...z. Bajram Mulaku...z. Rifat Jashari...z. Ali Ahmeti...z. Bedri Tahiri...z. Qamil Sahiti...z. Ismet Haxha...
Lart, mu tek trualli, ku 86 vjet më parë themelet e Kullës së vjetër u kishin bërë ballë topave serbë, u hodhën themelet e Kullë së re, e cila për jetë e mot do të rrezatojë atdhedashuri. Jehu i këngës së Arif Vladit ”O prite, prite Azem Galicë!” dhe betoni që hidhej në themel, u mbuluan me krisma armësh. Ashtu e do puna, këto krisma i kanë hije këtij vendi e kësaj ngjarjeje, sepse, mu këtu, para 86 vjetësh është luftuar gjithë ditën!- u pajtuan të gjithë të pranishmit. Atmosfera festive vazhdonte. Tashmë Galica gumëzhinte nga këngët dhe vallet. Ilir Shaqiri, Ganimete Asllani, Qazim Beka dhe anëtarët e SHKA ”Hasan Prishtina” të Vushtrrisë përformonin dhe promovonin para një publiku të larmishëm, që në fakt përfaqësonte gjithë shqiptarinë...
|
|
Vizitë punimeve fillestare në Parkun e Biznesit |
|
|
|
|
Fillimi -
Fillimi
|
|
Publikuar nga Manager
|
|
Thursday, 12 August 2010 |
Skenderaj, 11 gusht –Punëtorët e kompanisë “Europrojekt” nga Skenderaj, me makinerinë e tyre rifilluan në mëngjesin e sotëm punimet në ndërtimin e Parkut të Biznesit “Tehnopolis”, në zonën afër ish Fabrikës së Municionit sipër qytetit.
Para një viti, kompania sllovene “Tehnopolis” nga Celja ka filluar realizimin e këtij projekti, por për shkaqe administrative, punimet nuk kanë mundur të zhvillohen deri më tani. Drejtoresha e kompanisë sllovene e cila kryen investimet e projektit të parkut, Sonja Rutar, ka thënë të mërkurën se është e gëzuar që përfundimisht ka filluar realizimi i projektit. Ajo ka treguar disa nga arsyet që kanë shkaktuar vonesa për fillimin e realizimit të projektit. Sipas saj shkaqet janë të natyrës gjeologjike, e jo për shkak të fondeve siç është thënë, si dhe përgatitja e dokumentacionit të nevojshëm, i cili është kompletuar me dhënien e lejes nga ana e Komunës. Ajo ka sqaruar se zona e parkut përfshin një sipërfaqe prej 14 hektarëve tokë neto, dhe është llogaritur të zhvillojnë veprimtari 33 biznese. “Gjithashtu është një parallogaritje se në këtë park do të punësohen 500 punëtorë. Falënderoj për bashkëpunim Komunën e Skenderajt dhe kryetarin e saj Sami Lushtaku, pa ndihmën e të cilit ky park nuk do të ishte i mundur”, ka thënë drejtoresha e Tehnopolisit në Skenderaj, duke shtuar se afati i përfundimit të projektit është 15 muaj. Ndërkaq kryetari Lushtaku, në takimin këtë takim të organizuar nga Tehonpolisi, Komuna e Skenderaj dhe Oda Ekonomike e Kosovës, me qëllim të inspektimit të punimeve, ka shfaqur bindjen se Parku i Biznesit “Tehnopolis” në Skenderaj është shembulli më i mirë për t’ua hapur dyert investitorëve të huaj. Ai në vazhdim ka treguar për vizitat që i ka realizuar në shtete të ndryshme të Evropës, me qëllim që t’i joshë investitorët dhe kapitalin e tyre me mundësitë që ofron Komuna. “Përpos kërkesave që i kemi pasur për investitorë, u kemi ofruar kushte të mira për investime. U kemi ofruar lehtësirë për investime, që për 5 vite janë të liruar nga tatimet komunale”, ka thënë ai. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, për kryetarin Lushtaku tha se betejën e luftës të cilën e fitoi me shokë, e ka shndërruar në formë të mirë të zhvillimit ekomomik. “Betejën ekonomike ai e ka si prioritet dhe kjo që po shohim sot është rruga më e mirë që duhet ndjekur, se ardhmëria e Kosovës është zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të reja të punës dhe eliminimi i procedurave burokratike, të cilat do të jenë atraktivitet për të tërhequr investitorë të huaj. Nga kryetari Lushtaku dëgjova një koncept që ka përgatitur për investitorët e huaj, të cilëve iu ofron lehtësira, pa procedura burokratike që janë një sëmundje e shoqërisë kosovare. Ky koncept duhet të jetë një model edhe për të tjerët dhe të përdorët edhe në forma të tjera edhe jashtë Kosove”, ka thënë Gërxhaliu. Ai tha se duhet të kuptohet nga të gjithë realiteti dhe fakti se investitorët nuk do të vijnë në Kosovë pse e duan atë, apo kosovarët, por për shkak të profitit. “Kemi obligim moral të krijojmë ambient në mënyrë që investitorët e huaj ta gjejnë veten dhe interesin e vet”, ka shtuar ai, sipas të cilit, është obligim i institucioneve të nivelit më të lartë që politika të tilla të promovohen edhe në komunat e tjera të Kosovës. “Kjo që po bëhet në Skenderaj me siguri se do të jetë model edhe për komunat tjera. Iniciativa të tilla do të përkrahen gjithmonë dhe kudo është nevoja ju garantoj se do të jemi në shërbimin tuaj 24 orë”,ka premtuar kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu |
| << Fillim < E mëparshme 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 Tjetra > Fund >>
| | Rezultatet 1 - 5 nga 135 |
|
|
 |
|
 |
|
|
 |
 |
 |
|
|
Anket
REKLAMAT
libri i pare
Doli nga shtypi libri"Rrenjet e Lirise",i autorit Sabit Istogut,qe i kushtohet Prekazit ne te gjitha periudhat e luftes.
Statistikat
Anëtarë: 356
Artikuj: 325
WebLinks: 5
Vizitoret Online
Momentalisht janë11 vizitorë online
|
|
 |
|
 |
|
|