|
(Me hapni udhë të shtegtoj atje ku nuk ka njerëz pa dashuri, atje ku populli nderon dhe i falët me përultësi veprës së gjakut të dëshmorëve, atje ku ZOTI lindi për njeriun Dashurinë, atje ku Dashuria lind dhe ushqen njeriun!) nga Riza GREIÇEVCI Aty ku dje ishin zjarr, sot përmendore e historisë Edhe ata kishin fatin e jetës. Një ligj të pashkruar, por që të ndjekë pas, si hija trupin. Fati i tyre vërtet ishte fat, por sikur dallohej dhe dallon nga fatet e tjerë të njerëzve. Se ishte fat, ishte, por ishte fat plot shkëlqim, historik. Ishte fat që rrallë u vjen njerëzve ta përjetojnë, të bëhen hise e tij. Ishte fat i bardhë: Rënia për të mos vdekur kurrë! Ishte rënia për liri. Ata, ku dje ishin zjarr, sot janë përmendore e historisë. Dhe, kaluan stinë e vite, dhe ndodhi e rrodhi e vërteta e hidhur dhe tepër e pakuptueshme e rodit njeri, e njerëzve më përgjegjës të dalë, siç po thonë, nga vota e lirë e popullit: Nuk u skuq askush në fytyrë! Nuk dha askush përgjegjësi! Shumëkushi deri me sot s’qau kokën për një borxh historik e kombëtar, për një vepër të lartë të moralit, të kulturës dhe të dinjitetit të krijesës njeri! Pas dymbëdhjetë vjet të rënies së komandantit legjendar Adem Jashari, kryeqyteti i Republikës së Kosovës ende s’e ka dhe, mjerisht, aq më turp, askush nga ata kompetentë të kryeqytetit (komunës së Prishtinës) nuk bëzan, hesht, që mbi dymbëdhjetë vjet kanë shti veshët në lesh për një yrt toke që të ngrehet një përmendore e lirisë, e pavarësisë, e komandantit legjendar Adem Jashari, që i priu epopesë së lavdishme me emrin UÇK! Zoti sheh, s’ngutet, s’harron! Hiri i të rënëve ka krijuar lirinë, pavarësinë, shtetin… Çdo popull ka datat e veta historike. Ka datat e fitoreve, të krenarisë kombëtare. Datat e tilla, thuhet, lindin me sakrificë, me gjak, dhe s’janë si datat e zakonshme. Edhe shqiptarët kanë datat e kohëve historike, që s’harrohen kurrë: Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë (1912). Kongresi i Manastirit 1908. Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972). Dalja e parë publikisht e UÇ-së, më 28 nëntor 1997, në Drenicë. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, më 2008. Autostrada e Kombit Shqiptar. Më 22 korrik 2010 GJND-ja botërisht dha verdiktin e drejtësisë ndërkombëtare të Hagës për legjitimitetin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, dhe ngjarja tjetër është miratimi i Ligjit për vlerat e Luftës Çlirimtare të Kosovës, me theks miratimi i Statusit të Veçantë për Familjen e shenjtë Jashari, me të cilin rast Adem Jasharit i jepet statusi: KOMANANT LEGJENDAR I UÇK-së. Gjithsesi, këto data historike janë disa nga ngjarjet më të rëndësishme të kombit shqiptar të shek. XX dhe fillimshekullit XXI. A s’janë këto ngjarje kolosale historike, si dëshmi e rrjedhave të ekzistencës, të luftës dhe të sakrificës për identitet kombëtar, si një dëshmi në ecje kohësh se specia e gjakut ilir ishte dhe mbetët etni e celulave etnike dardane këtu e deri ku sot e gjithë ditën dëshmojnë faktet e argumentet, trojet etnike, gjuha, kultura, luftërat dhe betejat për të ruajtur dhe mbrojtur identitetin, për të dëshmuar se ishim dhe jemi edhe sot ilir. Dhe, gjithçka patëm dhe kemi arritur sot, është fryt i sakrificës dhe i luftërave të shumta, është dëshmi se me hirin e të rënëve kemi gatuar lirinë, Pavarësinë, shtetin, prandaj, gjithë këto vepra që i kemi ngrehur i kemi arritur me gjakun tonë, siç i ngrehem sot, me gjakun e UÇK-së, lirinë, Pavarësinë, shtetin, Republikën. Hallall, Qeveria e Kosovës! Mendojmë se njeriu vdes dhe shkon, mirëpo të vdekurit janë ata që edukojnë fëmijët tanë, që na mësojnë dituritë dhe shkencat, kur marrim në dorë një libër dhe e lexojmë në vetmi, dhe, sipas rastit, ata na bëjnë të qeshim, apo të qajmë. Njeriu nuk është i përjetshëm, por njeriu le të përpiqet të jetë e pavdekshme ajo që do të thotë me gojë e shpirt e mendje, dhe ajo që do të bëjë me djersë e sakrifice e luftë e punë. Erdhi në momentin kur ishin humbur shpresat se Qeveria e Kosovës, sot e dymbëdhjetë vjet, do të kthehej nga fytyra, identiteti, historia, sakrifica dhe vepra e të rënëve, të kthehemi vetëm një çik prapa vetes dhe të shohim ku ishim dje, ku jemi sot. Për të parë gjurmët e robërisë shekullore, rrënojat dhe pasojat e saj, për të parë dhe për t’u bindur para gjakut të dëshmorëve, para bukës e maleve me krisma lirie,për të ndjerë veten paksa krenar se kështu siç jemi sot, a thua e kemi larë borxhin për lirinë, për Kosovën, për Zotin dhe për fëmijët tanë. Për t’u bindur se Lirinë, Pavarësinë, shtetin, dhe gjithë çka kemi arritur sot e gatuan sakrifica e popullit, buka dhe djepi i tij, gjaku i dëshmorëve, u gatuan në shpirtin e mendjen e krenarinë e të ardhmen e Kosovës: Liria, Pavarësia, Shteti, Lumturia… Dhe, lajmi i Qeverisë së Kosovës, i kryeministrit, ish-drejtorit të Drejtorisë Politike të UÇK-së, vizionarit, veprimtarit, çlirimtarit, Xhorxh Uashingtoni i Kosovës (Bajden), bëri me dije se ka përfunduar projektligji që përcakton të drejtat e familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së, për viktimat civile të familjeve kosovare, aprovohet status i veçantë për Familjen shenjtërore Jashari, por ajo që mbushi gëzim, falënderim është lajmi se Qeveria Thaçi, i jep status të veçantë: KOMANDAMNT LEGJENDAR Adem Jasharit, lexo, kupto dhe falëndero: Pas dymbëdhjetë vjet të rënies heroike të kryekomandantit të UÇK-së. Ky lajm ishte lajm tepër i mirë, i këndshëm, që ndërpreu hamendjet dhe pritjet, ndërpreu thashethemnajat, dhe hoqi perden mbi sytë e lëbyrtë të atyre që dymbëdhjetë vjet s’u ra ndërmend, apo s’deshën të pranojnë sakrificën, heroizmin, vetëflijimin shenjtëror të Familjes Jashari, e të komandantit legjendar Adem Jashari. Hallall Qeveri e Kosovës! Jo vetëm në Drenicë, falënderimi për Qeverinë Thaçi s’mungoi edhe gjithandej Kosovës dhe shqiptarisë: Hallall Hashim Thaçi! Veprat që i bëtë dhe ia falet shtetit të Kosovës pas 17 shkurtit 2008 janë dhe do të mbetën vepra historike, për dy vjet e pak më tepër qeverisjeje: Sa kilometra rrugë e asfaltuar. Sa shkolla të reja. Verdikti historik i GJND-së. Autostrada e kombit! Sot statusi për UÇK-në, veçmas për Familjen Jashari, dhe veçmas për komandantin legjendar Adem Jashari. Këto s’janë përralla, janë vepra për popullin e Kosovës, për Kosovën e lirë, për shtetin e lirë, për ecjet drejt Evropës moderne e demokratike, drejt Aleancës Veri-Atlantike - NATO-s, drejt Kombeve të Bashkuara…As Kosova, as historia, as sakrifica dhe kontributi Juaj, zotëri Thaçi, me shokë, s’do të harrohen nga shteti i Kosovës, nga populli dhe veçmas nga Drenica. Për kësi veprash ka nevojë Kosova, shteti, ardhmëria e fëmijëve tanë. Hallall!Shëndet dhe suksese! Por…Familjes Jashari t’i jepet statusi: NDER I KOMBIT! E keni krah historinë. Sakrificën e Familjes Jashari. E keni krah të drejtën historike dhe të Qeverisë. E keni krah popullin e Kosovës, gjakun dhe varret e dëshmorëve i keni krah. E keni krah nderin dhe etikën e dinjitetin qytetar. E keni krah të madhin ZOT, dëshmi lirinë, Pavarësinë, shtetin që e solli gjaku e lufta e tyre e shenjtë për Kosovën e lirë. Zoti kryeministër, ju i dhatë besën popullit kur u nisët në male. E mbajtët. Mbi të gjitha e keni krah Drenicën tuaj e timen. Statusi: NDER I KOMBIT t’i jepet FAMILJES SHENJTËRORE JASHARI NGA PREKAZI I DRENICËS, është nder e obligim për Ju Qeveri e Kosovës, për Ju, kryeministër, për Ju Parlament i Kosovës dhe kryetari, dr. Jakup Krasniqi, për Ty, populli i Kosovës! Ky status nderi mund të bëhet dhe do të bëhet, pse jo! |