| Përkujtohet masakra e qytetit të Skenderajt |
| Publikuar nga Manager | |
| Monday, 15 February 2010 | |
|
Lot pikëllimi, por edhe krenarie të familjarëve për më të dashurit e tyre, mbretëruan të shtunën në vendin e quajtur “Te pishat”, sipër spitalit të qytetit të Skenderajt, me rastin e përkujtimit të 11 vjetorit të masakrimit të 24 qytetarëve civilë nga policia dhe ushtria serbe në luftën e Kosovës. Familjarët kanë vënë buqeta me lule pranë lapidarit të ngritur në shenjë respekti për viktimat e asaj masakre, tetë nga të cilët u pushkatuan mu në të atë vend. Megjithëse ishin ftuar si përfaqësuesit e pushtetit lokal ashtu edhe organizatat e dala nga lufta, ata nuk u panë të jenë të pranishëm në këtë ceremoni, e cila u organizua nga vetë familjarët e viktimave. Dibran Shala, të cilit në këtë masakër ju vra djali dhe dhëndëri, tha se gjakatarët serbë, të tërbuar nga humbjet e tyre në vijën e parë të luftës përballë luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ju sulen civilëve të pafajshëm dhe të pambrojtur. “Ata, të etur për gjakun e shqiptarëve, na i nxirren nga shtëpitë familjarët dhe na i vranë e i masakruan vetëm se ishin shqiptarë” , ka thënë Shala, duke shprehur pakënaqësi me punën e institucioneve të shtetit për të sjellë para drejtësisë kriminelët serbë. Duke bërë thirrje në emër të familjarëve për angazhim më të madh në këtë drejtim, ai përmendi disa serbë që, sipas tij, kanë marrë pjesë në masakrën e 20 marsit të vitit 1999, në qytetin e Skenderajt. “Momqillo Preleviq, Zoran Jovanoviq, dhe dy djemtë e Rashës, Zorani dhe Dejani, kanë marr pjesë në masakrimin e familjarëve tanë. Unë i kam njohur ata dhe jam i gatshëm te dëshmojë për këtë” ka thënë Shala, duke i ftuar familjarët e viktimave që të hënën, në ora 10 të mblidhen para ndërtesës së Komunës së Skenderajt, me qëllim për të iniciuar kallëzim penal ndaj pjesëmarrësve të masakrës. Ai ka falënderuar shoqatat që merren me evidentimin e dëmeve të luftës dhe dëshmive për krimet e kryera në Kosovë, duke veçuar Organizatën Joqeveritare “Ngritja e Zërit” dhe aktivistin për të drejtat e njeriut, Halit Beranin nga KDMLNJ-ja e Mitrovicë. |
|
| Azhornuar së fundi ( Tuesday, 23 March 2010 ) |