Kurse për muzikë, gjuhë të huaja, vallëzim pastaj shfaqje teatrale, shfaqje e filmave me përmbajtje edukativo-arsimore për të rinjtë, këto janë vetëm disa prej aktiviteteve që organizohen rregullisht në Shtëpinë e Kulturës “Hasan Prishtina” në Skënderaj. Një mori e organizimeve të tilla padyshim që e bëjnë këtë ndërtesë strumbullarin e organizimit të aktiviteteve rinore. Por, ç‘është edhe më e rëndësishme ky është vendi ku rinia e kësaj qyteze të vogël gjejnë një shtëpi të dytë ku ata mund të shoqërohen dhe të angazhohen në aktivitete argëtuese dhe edukativo arsimore. Nuk vonoi shumë dhe ne patëm rastin që personalisht të bindeshim për këtë pasi nga njëra prej sallave të kësaj ndërtese doli një grup të rinjësh. Ata ishin pjesëmarrësit e kursit kompjuterik të organizuar nga Qendra Trajnuese Profesionale Mobile. Mevlude Hetemi dhe Nezir Thaçi, ishin dy të rinjë pjesëmarrës në këtë kurs, të cilët u shprehën shumë të kënaqur për punën e kësaj qendre trajnuese me të cilët ne patëm rastin të bisedonim. Mirëpo, sipas tyre përkundër se është punuar mjaft shumë për të rinjtë, ky angazhim duhet të vazhdoj edhe më tej pasi siç thanë ata gjithmonë ka vend për përmirësim. Nga ana e tij z. Rasim Behrami, ligjërues në këtë kurs, tha se të gjitha kurset e organizuara në këtë qendër janë falas dhe qëllimi i organizimit të tyre është që të rinjëve mbi moshën 18 vjeçare t’u mundësohet të mësojnë punën me kompjuterë dhe në këtë mënyrë të përmirësojnë gjasat e tyre për punësim. Sipas tij kjo qendër zhvillon veprimtarinë e saj tash një vit e gjysëm dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen për aq kohë sa të rinjtë e kësaj komune do të jenë të interesuar që të ndjekin kurset e tilla. Ndërsa me të rënë interesimi kjo qendër do të zhvendoset në ndonjë komunë tjetër. Në fund z. Behrami theksoi se nuk duhet harruar se një faktor tjetër shumë i rëndësishëm në pasurimin e jetës së të rinjëve është puna e kuvendit komunal gjegjësisht zyrës për rini. Xhevat Dervishi, zyrtar për rini, thotë se arritja më e madhe e zyrës që ai drejton është zhvillimi i një bashkëpunimi shumë të mirë me organizatat e ndryshme qeveritare dhe joqeveritare vendore por edhe ndërkombëtare me qëllim të bashkërendimit të aktiviteteve për të rinjtë. Si rezultat në fund të vitit 2009 komuna e Skënderajit ishte nikoqire e takimit mes përfaqësuesve komunal të drejtorive për kulturë, rini dhe sport si dhe OJQ-ve të cilat punojnë me të rinjtë nga komuna e Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Drenasit. “Gjatë këtij takimi ne diskutuam për gjetjen e mundësive të zhvillimit të aktiviteteve në nivel rajonal ku do të përfshiheshin të rinjtë nga komunat e sipërpërmendura. Deri tani kemi arritur që të veçojmë pesë fusha në të cilat mund të zhvillojmë bashkëpunim. Hapi i radhës është organizimi i një mbledhje tjetër ku do të përcaktohemi edhe më konkretisht për mënyrën se si do të mund të bashkëpunojmë” tha mes tjerash z. Dervishi. “Skënderaj Live” është njëra nga OJQ-të, e cila është aktive në këtë komunë dhe që synon përmirësimin e njohurive rreth teknologjisë informative tek të rinjtë e Skënderajit. Njwri nga themeluesit e kësaj organizate z. Arben Veliu theksoi se deri tani ata kanë organizuar kurse të ndryshme kompjuterike për të rinjtë e shkollave fillore dhe të mesme në këtë komunë dhe në të gjitha rastet kanë qenë të përkrahur nga autoritetet komunale. “Më duhet të theksoj se gjatë organizimit të çdo aktiviteti ne e dimë gjithmonë se autoritetet komunale janë një partner i yni dhe ata janë gjithmonë të gatshëm që të na përkrahin dhe ndihmojnë.”