
PARATHËNIE
Kadri REXHA
Poezinë e Mehmet Bislimit e përcjelli tashti e sa vjet me radhë. Është kjo një poezi e natyrshme, e thjeshtë, emocionuese dhe plot me ndjenjë. Kjo poezi për subjekt ka njeriun e thjeshtë dhe i drejtohet pikërisht njeriut të thjeshtë. Në thjeshtësinë e saj, poezia e tij për motiv qendror ka dhembjen e thellë për popullin, urrejtjen e madhe kundër pushtuesit dhe shërbëtorëve të tij si dhe shpresën e sigurt për të ardhmen e ndritshme në liri.
Mehmet Bislimi i takon plejadës së liridashësve të viteve të tetëdhjeta, të atyre viteve të stuhishme që shqiptarin e ngritën në lartësinë e emrit dhe në lartësinë e tokës së vet. Ai i takon gjeneratës së studentëve të atyre viteve të mëdha që zbritën nga shtiza flamurin e urryer të pushtuesit serb dhe në vend të tij e ngritën flamurin fitimtar kuq e zi, flamurin e lirisë, të cilin me guxim e nisen në ballë të betejave të ardhshme drejt çlirimit dhe bashkimit kombëtarë. Ai i takon plejadës së të burgosurve politikë të cilët qëndruan të patundur para sprovave të mëdha të historisë me besimin e paluhatshëm në diellin e lirisë së popullit të vet. Ai i takon gjeneratës së artë të veprimtarëve, të cilët Ğluksiğ i perëndimit nuk i tjetërsoi, përkundrazi, ai së bashku me shokët e idealit vepruan natë e ditë me qëndrim të drejtë e të paluhatshëm për të dhënë gjithçka në shërbim të çlirimit të atdheut që u kurorëzua me luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mehmet Bislimi i ndërgjegjshëm për misionin e tij të luftëtarit të lirisë, dëshmoi edhe një dhunti tjetër e cila atë e radhiti në rreshtin e luftëtarëve që për armë kanë penën dhe fjalën e shkruar analitike dhe artistike.
Poeti Mehmet Bislimi shkruan lehtë sepse e njeh jetën në thellësinë e saj shumëdimensionale, kurse në veçanti i njeh të dyja faqet e saj: të bardhën edhe të zezën. Për autorin Bislimi, roli i poetit është mision, ndërsa ai i poezisë është mjet sendërtimi i qëllimit, armë dhe flamur në duart e popullit:
Kalorës
Mbi shpinë i kam hipur kësaj nate
Deri me të zbardhur do ta shalojë
Mbase do ta arrijë cakun
Kohën e largët ta afroj
Me këtë vlerësim të lartë të autorit për muzën poetike, ngadalë e pa zhurmë, kjo poezi po bëhet pronë e lexuesit tonë të rëndomtë, por edhe pronë e kulturës sonë të përgjithshme.
|
|
| |