
Qyteti i Vushtrrisë mbledh poetet shqiptare
Shkruan: M. BERISHA
Për dy ditë radhazi me 6 dhe 7 qershor në qytetin e vjetër të Vushtrrisë, do të mbahet manifestimi Takimet e Poeteshave Shqiptare. Për këtë manifestim tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet ka bërë të ditur drejtori i arsimit dhe kulturës Qerim Selimi në një konferencë për shtyp të Këshillit organizativ të këtij manifestimi. "Ky manifestim tashmë tradicional i cili mbahet për të 26 herë me radhë në Vushtrri. Këtë herë është i veçantë për faktin se për herë të parë organizohen në Kosovën e pavarur për të cilën femra shqiptare dha një kontribut të veçantë", ka thënë Selimi. Ai në vazhdim bëri të ditur se përveç poeteve nga Kosova në këtë manifestim letrar, do të marrin pjesë edhe shtatë poete nga Shqipëria, dy poete nga Maqedonia, dhe një poete nga SHBA-të, poezia e së cilës është përzgjedhur për orën letrare. Ndërkaq, anëtarë i Këshillit Organizativ (KO) Sabit Kadriut ka thënë se me këtë manifestim qyteti i Vushtrrisë gjatë dy ditëve do të ketë mysafire të veçanta si poeten e njohur shqiptare Mimoza Ahmeti, pastaj shkrimtaren Natasha Lako dhe aktorët e famshme shqiptare Tinka Kurti, Margarita Xhepa, dhe Roza Anagnosti. " Në këtë manifestim përveç përfaqësuesve të institucioneve qendrore të kulturës dhe artit në vend, po ashtu është i ftuar edhe simboli i rezistencës tonë kombëtare dhe shkrimtari Adem Demaçi", ka bërë të ditur Kadriu. Edhe anëtari i këshillit organizativ Xhevat Lahu vlërsoj se pjesmarrja dhe vlera e poezisë që ju janë përgjigjur këtij manifestimi letrar është mjaftë e mirë. Ai bëri të ditur se vlera e poezive konkurruese e veçanërisht atyre të përzgjedhura është mjaftë e mirë dhe se ka një numër të madh të poeteve që kanë bagazh në fushën e poezisë dhe se kanë të botuara nga dy e deri në 15 përmbledhje me poezi. "Nga gjithsejtë 96 poezi konkurruese, në orën letrare të këtij manifestimi janë përzgjedhur 40 poezi", ka thënë Lahu. Drejtori i Qendrës së Kulturës Habib Mustafa, ka thënë se për ndryshim nga vitet e kaluara, hapja e manifestimit këtë vit do të bëhet me leximin e poezive jashtë konkurrencës në ambient të hapur në Sheshin Adem Jashari në qendër të qytetit. Ndërkaq ora letrare do të mbahet në mbrëmje në Qendrën e Kulturës "Hasan Prishtina". Shkrimtari vushtrrias Bedri Tahiri i cili gjithashtu është pjesë e këtij manifestimi, ka thënë se përveç karakterit garues që ka ky manifestim në ditën e dytë do të mbahet edhe një tribunë letrare për figurën e heroinës sonë kombëtare në letërsinë e shkruar dhe gojore. Manifestimi gjithëkombëtar "Takimet e Poeteshave 2008" fillon sot (e premte) në orën 10:00 ku hapja e manifestimit kësaj herë do të mbahet para sheshit "Adem Jashari", pastaj do të mbahet Orë letrare me poezi të lexuara nga poetë dhe poete. Pjesëmarrësit e manifestimit do të vizitojnë Varrezave të Dëshmorëve në Bletajë, dhe do të kenë një vizitë në Galicë, dhe Prekaz. Po ashtu në orën 18:00 do të hapet një ekspozitë. Në orën 19:00 mbahet Ora e Madhe Letrare. Ndërsa, manifestimi do të vazhdoj edhe ditën e shtunë me 7 qershor, ku nisja e pjesëmarrësve do të bëhet nga Prishtina në Vushtrri në orën 9:00 nga Instituti Albanologjik. Ndërsa, nisja e poeteshave do të bëhet nga Hotel Amazona në orën 9: 30. Pritja e mysafireve speciale dhe poeteshave në zyrën e kryetarit të Komunës së Vushtrrisë Bajram Mulaku do të mbahet në orën 10:00. Në orën 11:00 mbahet Tribunë letrare, dhe ndarja e çmimeve letrare.
www.vushtrriapress.shqipo.com
|
|
| |