MINISTËR PO, POR NJERI JO!
Shkruan: Mehmet Bislimi
Na ishte një herë një Pasha i cili kërkoi që të ia sillnin në pallatin e tij, të lidhur me pranga babanë e vet! Pashai në fjalë, kishte për qëllim që babait t'i tregonte fuqinë e pushtetit që ai e ushtronte, dhe po i thotë babës së vet: " A e sheh se unë jam Pashai !"- babai i tij i lidhur dhe i turpëruar në pranga, duke e parë injorancën dhe naivitetin e të birit - ia ktheu: "Ti Pasha po, por njeri jo!"...
Me datën 19. shkurt 2007 në gazetën "Express", lexova një lloj interviste, ku kishte dalë sheshit mjerimi i një ministri të Qeverisë së mjerë të Kosovës. Ai, ndër tjera thotë: "Adem Demaqi dhe Albin Kurti janë spiunë të Serbisë, për ndryshe Serbia nuk do t'i lëshonte të gjallë nga burgu, do t'i vriste siç e ka vrarë edhe Ukshin Hotin!"...
Këtë gjë të shëmtuar, lexuesi i rëndomtë ka mundësi ta dëgjoi nga një ministër i "kulturës, rinisë dhe sporteve" të Qeverisë së Kosovës - siç është zoti Astrit Hraqia. Në fakt, mua nuk më befasoi mendimi i çoroditur i një këlyshi të UDB-së, sa më befason e shqetëson njëkohësisht fakti se; prej nga "pikën " një dorë ministrash të tillë në Qeverinë e Kosovës?! Të cilët deri dje, nuk i ka njohur as mëhalla e vet, këta nxënës të dobët që mezi kanë mbaruar shkollat fillore e të mesme, disa edhe ndonjë fakultet, por pasi që janë bërë ministra! E që "diplomat" i morën nën mbrojtjen e bodiguardëve të tyre me revole në brez! Të mjerin ministër të "kulturës"- në këtë post e sollën nga kafetëritë e Gjakovës, ku ishte duke lozur "Domino"- e drejt e në ministri! Kjo u bë në saje të kumbarive dhe ndrikullive, që kishte ky dhe disa ministrat tjerë me ish presidentin e ndjerë të ndrikullave z. Rugova. Këtij çunaku të ri i ra bingo ministria e kulturës!
Në intervistën e cekur më lartë z. Haraqia, simbolit të rezistencës zotit Adem Demaqi, i bënë një fyerje aq të rëndë që mund ta kemi dëgjuar dikur, vetëm nga gojët e UDB-së. Adem Demaqi është simbol i rezistencës, është mishërim i së djeshmes dhe i të sotmes, është idol i mjera ish të dënuarve politik shqiptarë në të gjitha hapësirat e trevave tona. Pra, fyerja që iu bë z. Demaqi, do të thotë fyerje e të gjithë atyre që lanë vite të tëra rinie nëpër kazamatet serbe, që lanë shëndetin, që lanë edhe jetën, që më në fund, si rezultat i finalizuar edhe me gjakun e bijve më të mirë të popullit tonë, nën petkun e UçK-së, u bënë edhe institucionet e vendit, ku sot nga karrigia e këtyre institucioneve, zoti Haraqia fyen, madje as më pak e as më shumë se këtë shtresë të shoqërisë, të cilët e quan spiunë të Serbisë!!!
Ky është shpërblimi që Qeveria e Kosovës po ua kthen ish të dënuarve të ndërgjegjes- ndryshe po të kishte Qeveri, për 24 orë, nuk do të kishte më Haraqi!- flas për vendet demokratike. Kjo ndodhë vetëm në Kosovë, si pa të keqe, as që e brenë ndërgjegjja kënd për këtë skandal- deri me sot, nuk dëgjova as edhe një zë!
Stigmatizimi i pjesës kryengritëse të shoqërisë Shqiptare, nga pushtuesi dhe shërbëtorët e tij , që nga kohërat e lashta, ky stigmatizim ka evoluar, dhe është lakuar në kohë. Thjeshtë për faktin që akuzat e plasuara në gjirin e popullit shqiptarë të bënin efektin e vet negativ, këto mbrapshti u barten në fshehtësi deri tek ditët e sotme, nga shërbëtorët besnik të pushtueseve tanë të të gjitha kohërave, dhe të të gjitha llojeve.
Bie fjala në kohën e pushtuesit Otoman-të gjithë ata që ngrehnin krye kundër "babë Dovletit", pra kundër Sulltanit-siç ishin: Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Ymer Prizreni, Haxhi Zekën, Ali Pash Gucinë, Idriz Seferi, Mic Sokoli e deri të Ismail Qemali, ishin të anatemuar e të akuzuar si të pa fe: " Din sëz!". Ishin të akuzuar si spiunë të Evropës që po donin ta prishnin mbretërinë Otomane etj. Këto akuza që i plasonte pushtuesi, kundër bijtë më të devotshëm të popullit tonë atë kohë, i bartnin dhe i përhapnin në gjirin e popullit tonë, hafijet shqiptarë- në mesin e të cilëve ishte edhe stërgjyshi i ministrit- po sikur sot i stërnipi i tij bastardi Haraqi!
Në kohën e ish Krajlit të Serbisë- kur mbretëria e Serbisë po shtypte çdo lëvizje kryengritëse të popullit tonë për liri, në të njëjtën kohë, po luftonte dhe akuzonte të gjithë të rebeluarit shqiptarë, që nuk po i bindeshin pushtuesit Serb. Me theks të veçantë prijësve dhe ideatorëve tanë siç ishin: Isa Boletini, Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Azem Bejat e plot të tjerë. Po të njëjtat akuza : si pro turq, si të shitur tek Austro- hungarezët, si pro Serb, si tradhtarë të popullit "shiptari", që po donin luftë e nuk po i binden Krajlit të Serbisë! Të gjitha këto akuza, kundër bijve tanë më të mirë, i bënte pushtuesi duke i përhapur përmes shërbëtorëve të Krajlit, që ishin me bollëk - në mesin e të cilëve ishte edhe gjyshi i Haraqisë- njëjtë si edhe i nipi i tij sot ( Haraqia i vogël!)
Në kohën e ish Jugosllavisë së LKJ- po të njëjtat akuza kundër të gjithë atyre shqiptarëve të cilët- thjeshtë po kërkonin lirinë e vendit të vet. Akuzat po ashtu varioin nga. Ballist e Nacionalist, spiun të Anglo- Amerikanëve e deri të Inforbyroista, më pas Stalinista e Enverista. Më vonë pro rus e Irridentista, Seperatista dhe krejt në fund deri të pjesëtarët e UçK- të cilët i akuzuan si dorë e zgjatur e Serbisë e njerëz të frustruar!
Të gjithë këta që u akuzuan nga UDB-ja e ish Jugosllavisë, ishin po ashtu prapë bijtë më të mirë të popullit, si: Shaban Polluzha me shokë, Hysen Terpeza, Omer Muhaxheri, Ali Aliu i Preshevës, Adem Demaqi, Fazli Grajqevci, Metush Krasniqi, Ahmet Haxhiu, Zija Shemsiu, Ukshin Hoti, Halil Alidemaj, Afrim Zhitia, Fadil Vata e mjera të tjerë. Këto akuza barteshin mbase edhe në mënyrën më naive, por shumë besnikërisht prapë, po nga veglat e pushtuesit Jugosllav, për mes mekanizmave të UDB-së, në mesin e tyre sigurisht edhe babai i ministrit-si edhe vet ministri sot i cili tha, po e përsërisim: -Adem Demaqi dhe Albin Kurti janë spiunë të Serbisë- sikur mos të ishin të tillë, ata Serbia do t'i vriste në burg-siç e vrau edhe Ukshin Hotin!?"
...
Shtrohet pyetje, po të ishte sot Ukshin Hoti në mesin tonë-sigurisht se z. Haraqia, do thoshte njëjtë: Ja, shikoni këtë Ukshin Hotin, pasi që ky doli gjallë nga burgu i Serbisë, edhe ky është spiunë!- dhe këtë ia kanë thënë dikur Ukshint, Haraqitë e tjerë!
Se pari, më duhet të them se familja Hoti, do duhej të drejtohej nga ti zoti ministër, dhe të kërkoi sqarim për tri gjëra:
1- Prej nga e di ti që Ukshin Hoti është i vrarë në burg?- për derisa një gjë të tillë e pohon ti vet në atë intervistë.
2- Ku e ka varrin Ukshini, ku e kanë vrarë, dhe cilat organe të kanë njoftuar ty për këtë?
3- Përse ti e ke mbajtur fshehur vrasjen e Ukshin Hotit, deri sot? Nga kush ke qenë porositur që ta mbash fshehur këtë rast- për derisa familja Hoti nuk ka lënë guri pa lëvizur për ta mësuar të vërtetën për birin e tyre.
Po të niseshim nga kjo logjikë naive e tepër cinike e ministrit të "kulturës"- (pasi që kjo qenka pjesë përbërëse e kulturës së tij, dhe ministrisë së tij, që të akuzoj e fyej bijtë e denjë të kombit), atëherë e sqarojmë ministrin, se ( për deri sa nuk i paska mbytur në burg Serbia të dënuarit shqiptarë, atëherë të gjithë ata paskan dalë si spiunë!- gjithnjë sipas konstatimeve tuaja). Të dënuarit që kanë vuajtur dënimin dhe kanë dalë gjallë nga burgu si: Adem Demaqi (tri herë i dënuar), Ali Aliu, Metush Krasniqi, Ahmet Haxhiu, Ukshin Hoti ( dy herë dënuar) , Halil Alidemajn, Afrim Zhitia, Fadil Vata, Ekrem Kryeziun, Hidajet Hysenin, Jakup Krasniqin, Besim Rama, Nait Hasani, Azem Syla etj. madje gjithnjë sipas Haraqisë- i bie që janë liruar edhe si "Spiunë ndërkombëtarë!", për shembull si zoti Limaj me Isak Musliu- nga se edhe këta dy dolën të gjallë prej burgut të Schweningenit!!!
Ku t'i shpie mushka drutë o i çorodituri e vëthatori i Qeverisë, o medalja e turpit të Qeverisë e cila ka futur kokën mes këmbëve dhe nuk do të shoh e as të dëgjoi më përtej.
Nga burgjet e Serbisë, dhe nga duart e UDB- së nuk kanë dalë të gjallë dhjetëra veta si: Omer Muhaxheri, Fazli Grajqevci, Zija Shemsiu, Ibrahim Krasniqi, Abedin Bala, Ibrahim Kelmendi e dhjetëra tjerë. Në Ferrin e Dubravës nga gjakatari Serb janë ekzekutuar 173 të dënuar politik shqiptarë, bijtë më të mirë të popullit tonë! Sipas "filozofisë" së ministrit të "kulturës" na del se Nait Hasani dhe Bajrush Gjemajli qenkan spiunë të Serbisë-për deri sa ata kanë shpëtuar të gjallë nga ekzekutimi!!! Ku po t'i shpie mushka drutë o baba i mushkës!
Nëpër duart e UDB-së në një mënyrë ose tjetër, kanë kaluar mbi shtatëqind mijë shqiptarë, prej të cilëve diku mbi 90% kanë dalë të gjallë e që sipas logjikës sate qenkan që të gjithë spiunë të Serbisë!- na u paska mbushur Kosova plot me spiunë, mor zoti ministër... Nga llogoret e Serbisë, gjallë kanë dalë edhe rreth dy mijë robër të luftës- a thua edhe këta i lëshoi Serbia të gjallë, pasi që i bëri spiunë?!... zoti Haraqia, a i ke bërë mirë llogaritë?!....
Kjo çorodi, kjo pjellë bastarde që ka zënë vend , madje në Qeveri!? Nuk do të kalonte as kund, dhe tek as një popull tjetër. Popujt tjerë, krijojnë me mund legjenda e idhuj, para të cilëve përkulen me respekt e dinjitet, lindin, kultivojnë dhe respektojnë heronjtë e tyre. Fyerja dhe nënçmimi i këtyre figurave, në shtetet ky ka ligj, do të thotë përballje me ligjin!
Zvicra edhe sot pas një mileniumi, ruan dhe respekton legjendën për Wilhelm Telin, as edhe një herë nuk e ka sharë e quajtur atë "aventurier"- ta zëmë, Mandelen, populli i tij e ka ngritur në piedestal- po edhe bota. Osman Kazazin dhe Pjetër Arbënorin, Shqipëria demokratike- në as një moment, nuk i akuzuar si spiunë të Enverit, por i ka nderuar dhe i ka ngritur edhe më lartë! Adem Demaqin për hir të rezistencës së tij tri dekadash - kundër një pushtuesi lubi siç ishte Serbia- bota e laureoi me çmimin "Saharov"- e ministri Haraqia e laureon me çmimin SPIUN! Nuk e besoi të ketë dëgjuar kush diçka më të ultë e më të shëmtuar deri me sot në Kosovë, po as edhe më tej!
Ju, ish të dënuarit të ndërgjegjes (ose politik), që në për burgje të Serbisë, keni lënë vitet më të mira të rinisë suaj, keni lënë shëndetin, keni lënë gjymtyrë të trupit, keni lënë shokët e mbytur, varur, pushkatuar, keni lënë nënat e motrat me duar në gji, keni lënë nuset e reja dhe fëmijët çilimi, keni lënë punën, shkollën, fakultetin të këputur në mes, shokët dhe dëfrimet e rinisë- a thua të gjitha këto i bëtë që të futeshit nëpër burgjet e Serbisë që pas 5, 10, 15, e 20 vitesh burg të fitonit titullin SPIUN?!
Sot në Kosovë ka mbi dhjetë mijë ish të dënuar të ndërgjegjes, prej të cilëve rreth 1/3 e Kuvendit të Kosovës në krye me kryetarin Kolë Berisha, kanë kaluar nëpër burgjet e Serbisë në kohëzgjatje të ndryshme- pritni tani dylberin e Gjakovës, kur të vjen në një seancë plenare, dhe të ju drejtohet nga karrigia e ministrit, me fjalët: "Të nderuar deputet, ministra, qeveritarë, dhe ju spiunë të Serbisë, që keni shpëtuar gjallë nga burgjet e saj- mirë dita!"
Me kujtohet një thënie e Sheshelit, kur në Kuvendin e Serbisë, pati thënë: " Samo mrtvi Albanci su dobri!"- vetëm (Shqiptarët e vdekur janë të mirë). Pa dyshim se nga ky frymëzim është nisur edhe dylberi i Gjakovës- Haraqia. I cili në atë intervistë thotë troç: "Me pas qenë Ademi e Albini patriot, Serbia i kishte mbytur aty, brenda në burg!
Për Ademin dhe Albinin- Haraqia në mënyrë të hapur kërkon vdekje. Pra, ai kërkon vdekjen e tyre! Për të parin mbase nuk mund të zbatohet, ngase tani ai nuk është në burg, por për Albinin kjo kërkesë mbetet në fuqi, nga se ai tanimë veç është në objektet e burgut, dhe mbase kërkesa dhe dëshira e ministrit mund të plotësohet! Nëse Albinin do ta mbysnin në burg, vetëm atëherë zoti Haraqia do të bindet se Albini na qenka patriot, pasi që nuk doli i gjallë nga burgu, dhe sigurisht se ministria e kulturës do të organizonte më pastaj, mbledhje komemorative e vet ministri do të vëntë kurorë lulesh mbi varrin e Albinit e madje edhe do të betohej në emrin e tij prej patrioti!...
Kjo nuk do të kalonte me kaq, as kund në botë-veç në Kosovën e plagosur rëndë nga këta lloj ministrash të kësaj lloj Qeverie!....