19 VITE MË PARË NGRIU PLUMBI NË ZVEQAN!
nga Mehmet BISLIMI
Mbase pak kush e di sesi iu zu plumbi në "fyt" shkritores së Zveçanit, këtu e 19 vite më parë. Se cili është personazhi i kësaj ngjarjeje, ende nuk e di as opinioni ynë. Në fakt të bllokosh tonelata të tëra plumbi që ishin në formën e lëngët, duke u shkrirë në Furrnaltën e Zveçanit, në ish shtetin Jugosllav, kjo vepër automatikisht kualifikohej si vepër e rëndë, që rrezikonte rëndë interesat e ish Jugosllavisë, atëbotë kjo vepër mund të ndëshkohej në bazë të nenit 114 të LPJ- së, që nënkuptonte dënim drakonik!
Furrnaltës së shkritores së Zveqanit, ia zuri plumbin në fyt, Ismet Bislimi nga Prekazi!
Ismet Bislimi, pas dëgjimit të aktgjykimit të të vëllai ( Mehmetit) në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, kur ia shqiptuan dënimin prej 8 vitesh burg për pjesëmarrje dhe organizim të demonstratave të Pranverës se së madhe të vitit 1981, u zotua se nuk do të ndalej së vepruari në shërbim të çështjes kombëtare, duke vazhduar kështu traditën e rrugës së familjes së tij. Ismeti atë kohë, punonte në Mitrovicë dhe kjo ishte mundësia që ai të ishte në kontakt të vazhdueshëm edhe me shumë shokë të ilegales të cilët po vepronin në qytetin industrial.
Në banesën e Ismetit, shokët që vepronin në atë grup, të cilëve po u printe Jonuz Mustafa, ishin të kujdesshëm që Ismetin ta kursenin shumë në mënyrë që aktiviteti i tij mos të bie në sy të UDB-së, për shkak se ai kishte mbetur kujdestar i familjes dhe duhej të përkujdesej edhe për të vëllanë e tij në burg, por edhe duhej të kursehej banesa ku ata vepronin, në mënyrë që koha e veprimtarisë së shokëve të zgjatej sa më shumë.
Ismet Bislimi në banesën e vet në Mitrovicë, kishte sistemuar disa nga shokët që vepronin duke shtypur traktet të cilat i shpërndanin më pas në qytetin e Minatorëve, por edhe në rrethinë e deri në vendin e quajtur "Vojtesh". Shpërndarjen e organizonte Jonuz Mustafa me shokë kurse, Ismetit i ishte besuar që traktet dhe pamfletet t'i shpërndante vet në Zveçan, pra edhe brenda në repartin e shkritores ku ai punonte, nga ku edhe siguronte letrën për trakte si dhe materiale tjera.
Nga banesa e Ismet Bislimit në Mitrovicë, shpërndaheshin edhe gazetat ilegale me përmbajtje kombëtare si: "Lajmëtari i lirisë" dhe "Liria Nr.1", pastaj u shpërnda edhe numri 5 i "Zërit të Kosovës". Po aty shpërndahej e lexohej edhe literaturë tjetër si librat për "Shotë e Azem Galicën", "Hasan Prishtinën", "Bajram Currin" e literaturë tjetër. Shumica e anëtarëve të grupit ishin studentë të Fakultetit të Xehtarisë në Mitrovicë. Sigurimi i shtetit kishte vu në veprim mekanizmat e vet hulumtues, duke rënë në gjurmë të këtij grupi. Më parë ishte arrestuar Jonuz Mustafa, i cili pas shumë torturave e peripecive, kishte arritur që të mbajë betimin e dhënë para shokëve dhe ua kishte mundësuar atyre që të vepronin edhe më tej. Kishin filluar arrestimet e radhës më pastaj. Jonuzi ( pas mbarimit të dënimit ), nga Ismeti ishte lajmëruar që të kalonte në ilegalitet, ndërkohë arrestohen Salih Maliqi, Murat Mehmeti, Safet Latifi, Hafiz Gara, Ismet Bislimi, Enver Balaj etj. Të gjithë këta, në saje të vendosmërisë së tyre, por edhe të pjekurisë, kishin arritur që të mbajnë sekretin, edhe përballë gjithë atyre torturave që pasuan. Ismet Bislimin e kishin torturuar më së rëndi, nga se kishte edhe të vëllanë e tij në burg dhe mbi këtë bazë, kjo familje me qëndrimet e saja të çarta kundër pushtuesit serb, do duhej të "mblidhte mend" e mos të punonte më kundër Jugosllavisë! "Do t'ju mbysim me dajak", " Do të dërgojmë në burg, dhe atë, në një shtrat me vëllanë tënd!"- i kishte thënë një inspektor i sigurimit të UDB-së Ismetit gjatë torturave të rënda, që i bëheshin atij në hetuesi!
Mirëpo Ismeti nuk u tund për as një çast, pas shërimit të plagëve që i kishin bërë inspektorët e UDB-së, Ismeti vazhdoi veprimtarinë, tani më duke e zgjeruar rrethin edhe me veprimtarë të tjerë. Ai sa herë që kthehej nga vizita, që i bënte të vëllait në burgun e Pozharevcit, sikur mbushej me urrejtje kundër pushtuesit serb, ngase atje po shihte padrejtësitë e shumta, që po i bëheshin të gjithë të burgosurve politikë shqiptarë, dhe këtë urrejtje e zbrazte duke u organizuar me shokë për të vepruar kundër pushtuesit serb.
Ishin ditët e mëdha të grevave të Minatorëve të Trepçës ( shkurt 1989). Asokohe në muajt shkurt, mars, Kosova po ziente me demonstrata, greva, kishte dhjetëra të vrarë, të plagosur, qindra të arrestuar!... Ishte koha kur Millosheviq po përgatiste planin për marrjen e ish autonomisë së Kosovës, gjë të cilën e realizoi mbi gjakun e shqiptarëve me tërë arsenalin e vet ushtarako- policore, madje edhe me zinxhirë tankesh! Prandaj, ishte i pa shmangshëm shpërthimi i përgjithshëm popullor, Kosova, për ditë e më çartë po rrugëtonte drejt realizimit të aspiratave të saja për liri.
Asokohe vepronte edhe grupi tjetër i veprimtarëve: Xhavit Bajraktari, Shyqeri Miftari, Agim Bajrami, Hysni Hajrizi, Musli Binaku, Enver Haliti nga Pasoma, Elheme dhe Myrvete Bajraktari, Mexhit Peci, Gani Baliu, Shyqeri Ahmeti, Hajriz Bajraktari e tjerë. Të gjithë këta po kërkonin rrugë të ndryshme për të dëmtuar armikun, madje me aksione konkrete, të cilat do të fillonin që të bëheshin edhe brenda fabrikave të caktuara ku ata punonin. Në një rast kishte ardhur edhe deri te kërcënimi publik para organeve të sigurimit, të cilët kishin shkuar në shkritoren e Zveçanit enkas për të kërcënuar e frikësuar punëtoret. Mirëpo minatori, Shyqeri Ahmeti nga Radisheva ( sot Dëshmor i kombit), publikisht dhe sy patrembur, ua kishte plasur në fytyrë organeve të sigurimit, duke ju thënë: "Në qoftë se vetëm një minatorë vdes, ne të gjithë punëtorët e Zveqanit do të hidhemi të gjallë në furrë!"...
Këtë Shyqa i madh e kishte thënë fuqishëm e shumë seriozisht! Shyqeri Ahmeti, ishte burrë i vendosur, dhe fjala e tij nuk kthehej mbrapa! Prandaj kishte përkrahjen e pa diskutueshme të të gjithë punëtorëve, i tillë ishte Shyqeriu nga Radisheva, i cili ra dëshmor në luftë për liri, së bashku me të birin e vet dhe me burrat tjerë të Radishevës kreshnike të Shote Galicës dhe Mehmet Delisë në vitin 1998.
Xhavit Bajraktari, kishte biseduar me shokët e LPRK- së, në mënyrë që të ndërmerren edhe aksione konkrete!? Ai kërkonte që të shqyrtohej mundësia për të bllokuar shkritoren e furrnaltës së Zveçanit, në mënyrë që Beogradi të kishte më pak plumba të cilin po e përdorte kundër popullit dhe demonstruesve shqiptarë! Kjo, natyrisht së nuk ishte e lehtë për t'u realizuar, prandaj kërkohej studim e analizë e thellë, pa dyshim se kërkohej edhe guxim e vendosmëri...
Më pastaj ishte bukur e rëndë të vendosej se kujt do t'i besohej një detyrë me përmasa e rreziqe kaq të mëdha, detyrë kjo që duhej të përfundonte pa tjetër me sukses?!... Pas shumë bisedimesh, studimesh, analizash, por edhe hamendjesh, ishte Ismet Bislimi i Prekazit, ai, që mori për sipër këtë aksion të një rëndësie dhe përgjegjësie të veçantë!
Ismeti punonte aty, e njihet mirë ternin, dhe kishte bërë tanimë mbi 7 vite veprimtari në kuadër të organizimit të fshehtë që vepronin për ditë e nga pak, kundër pushtuesit serb. Ismeti vendosi që ta ndalte shkritoren atëherë kur ajo të ishte e mbushur plotë me lëndë të shkrirë plumbi, dhe këtë e bëri me sukses! Atë çast, kur Ismeti ngrehu zinxhirin dhe ndali shkritoren e plumbit në Zvaçan, atë çast u trondit dhe u tmerrua UDB- ja e Beogradit, kur mori lajmin se: "Furrnalta e shkritores së Zveçanit, pushon se shkriri plumb për ushtrinë dhe milicinë serbe, nga se e kanë bllokuar irredentistët shqiptarë!"... Kjo ishte një goditjet e rëndë, që i ishte bërë regjimi të Millosheviqit atë kohë.
Në momentin kur Ismeti e ndali furrnaltën, me te, të pranishëm kishin qenë edhe Habib Latifi, Xhevdet Ibrahimi dhe Pajazit Ymeri.
UDB-ja, kishte filluar fushatën e hulumtimeve, dhe Ismetin për ditë të tëra e marrin në pyetje, duke e torturuar rëndë e çnjerëzisht, sidomos inspektorët Radojqeviq dhe Dragan të cilëve ai kurrë, nuk ua kishte mësuar mbiemrat. Ismetin, ata e kishin kërcënuar edhe me vdekje, me djegie në furrë, me vrasje, me varje etj. Por që ai, kishte qëndruar stoik dhe nuk e kishte pranuar veprën!... Pas shumë e shumë torturash, në mungesë dëshmitarësh (pra as një nga shokët e pranishëm), në momentin kur Ismeti e kishte ndalur shkritoren, nuk kishin pranuar e treguar se kush e kishte ndalur furrnaltën, pa varësisht torturave dhe kërcimeve që u kishin bërë edhe atyre.
Nën presionin e ngjarjeve të furishme që kishin përfshirë Kosovën gjatë muajve shkurt- mars 1989, që pasuan Ismetin e lirojnë me kërkesën që ai të paraqitet të nesërmen prapë në zyrat e UDB-së. Me t'u lirua, Ismeti për disa kohë kaloi në ilegalitet, duke u strehuar në fshatin e tij të lindjes në Prekaz, i vendosur që më në as një mënyrë të mos bie i gjallë në duar të UDB-së.
Organet e UDB- së, nuk e kaluan kaq lehtë këtë rast, ata nuk e harruan Ismetin dhe u hakmerren në format tjera, kështu që, ata më vonë Ismet Bislimit ia morën banesën e tij që e kishte në Mitrovicë, (pronë të babait të), duke i ia hedhur plaçkat e tij nga dritarja në rrugë, në mënyrën më të dhunshme, pastaj e suspenduan atë nga puna. Ismeti pati edhe pasoja të tjera shëndetësore nga torturat e shumta si ato që pësoi nga torturat e vitit 1982 edhe më keq me 1989. Me gjithë këtë, UDB-ja kurrë nuk e mori vesh se kush e ndali Furrnaltën e shkritores së Zveçanit!...
Që prej17 vitesh nga ish regjimi i Millosheviqit, Ismeti është i privuar dhunshëm nga puna e tij, është i larguar dhunshëm nga banesa e tij në Mitrovicë buzë lumit Ibrë në rrugën e Kolashinit Nr: 1a. Ismeti, i dëmtuar rëndë nga shëndeti si pasoj e torturave më çnjerëzore që përjetoi nga UDB-ja, një ditë më tha:
- " Mendova se më në fund erdhi dita e drejtësisë, dhe pasi që u ankova tek institucioni i quajtur Habitat, për padrejtësinë që m'u kishin bërë, ku pushteti i Millosheviqit ma kishte marrë banesën time me dhunë, në seancën gjyqësore për të drejtën mbi pronën, në fakt ata ma kthyen banesën!"...
- Eh, thash me vete: " Drejtësia vonon, por nuk harron! Më në fund, drejtësia ndërkombëtare, do t'i kthej gjërat në vend të vet.
Kështu mendove, por kjo nuk ndodhi fatkeqësisht, pas ankesës së UDB- së nga Beogradi, me motiv se kemi të bëjmë me një familje armiqësore
( Bislimi) e cila po që se kthehet aty, do të shqetësojë banorët serbë!.... Për ironi të fatit, Habitati, tërhoqi vendimin e vet të mëparshëm, dhe banesën time prapë ia la Serbit në shfrytëzim!?... ashtu siç ia kishte lënë edhe administrata e Millosheviqit 17 vite më parë!"... A thua, kjo na qenka drejtësia ndërkombëtare e UNMIK-ut dhe e Habitatit?!...
Më hiqen nga puna, më rrënuan shëndetin, më larguan nga banesa, dhe prapë fajtor Ismet Bislimi nga Prekazi i Epërm i Skenderajt.
| |
|