POLITIKA HAKMARRËSE E MASHTI-it !nga Mehmet BISLIMI
Ditë më parë nga Ministria e Arsimit të Kosovës u mor një vendim për suspendim nga puna të Tahir Krasniqit - drejtor i shkollës fillore "Gjergj Fishta" në Prishtinë. Vendimi u mor me shkasin e vizitës që asaj shkolle i bëri zoti Hashim Thaçi, ish lideri i UÇK-së, tani lider Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtar i Grupit të Unitetit të Kosovës!
Paradoksi ynë shoqëror me tërë kompleksivitetin e vet ngërthen brenda vetes edhe elementë të padiskutueshëm që transmetojnë hapur pasione të ulëta hakmarrjeje. A vuajnë institucionet e Kosovës nga pasionet hakmarrëse?! Ky vendim tepër i njëanshëm e skajshmërisht me prapavijë politike, sikur na i kujton vendimet, dhe diferencimet ideopolitike të ish politikës së LKJ-së së Titos e Millosheviqit të cilëve populli ynë i vu shqelmin dhe pushkën. Në atë kohë, kur liderët shpirtërorë të popullit, siç ishin të dënuarit politikë e të tjerët që gëzonin reputacion të gjerë tek masat popullore, detyroheshin të rrinin të izoluar në shtëpi, të mos lëviznin, të mos vizitonin shkollat, fabrikat, dasmat, ahengjet apo edhe ndonjë ngushëllim për mort nga se pësonin përgjegjësit e shkollave, fabrikave dhe të tubimeve tjera. Disa përfundonin në burg, disa të përjashtuar nga puna, madje disa edhe në arrati. MASH-ti, për fat të keq vuan nga mungesa e një ligji të tillë të LKJ-së së dikurshme, ligj i cili zotin Thaçi për atë vizitë do ta dërgonte në burgun e Smrekovnicës për dy- tri vite rresht! Kështu që do të vinin mend edhe liderët tjerë të luftës e të mos ofroheshin nga shkollat, fabrikat, dasmat e ahengjet tjera!...
Nga ana tjetër, i plotfuqishmi i kësaj ministrie, deri me sot nuk ka pasur guximin të suspendoj as edhe një drejtor tjetër serb të shkollave të Graçanicës, Mitrovicës apo të shkollave tjera serbe gjetiu nëpër Kosovë, në të cilat shkolla kanë bërë vizitë liderë serbë të luftës, kriminelë politik e ushtarak, madje edhe qeveritarë të shumtë serb që shajnë dhe thërrasin kundër shqiptarëve natë e ditë! Në këto shkolla serbe në Kosovë mësohet me planprogramet e Serbisë, dhe brezat e rinj serbë edukohen me frymën e urrejtjes dhe luftës hakmarrëse kundër shqiptarëve. Këto shkolla janë dhe do të jenë barrierë e pakapërcyeshme për të ardhmen e Kosovës sepse pikërisht institucionet e Kosovës nuk duan t'i shikojnë ashtu siç janë. Përmes këtyre shkollave Serbia po vepron dhe jeton në Kosovë derisa ministrisë në fjalë i "mungon" plotfuqia e ligjit dhe veprimit !...
Ministrinë e Arsimit të Kosovës e pengojnë vetëm prijësit e luftës çlirimtare, duke u frikuar se fëmijët do të indoktrinohen me patriotizëm dhe vendosmëri për të luftuar për Kosovën e lirë siç kishte bërë edhe vet "vizitori" i shkollës "Gjergj Fishta" dikur. Nga ana tjetër në librat shkollorë janë futur edhe liderë partiakë e që nuk na ka rënë të dëgjojmë deri me sot që kjo ministri të ketë suspenduar dikë për këto veprime. Liderë dhe militantë të këtyre partive nxorën dhe vazhdojnë të nxjerrin në mitingjet e tyre fëmijët e shkollave dhe nuk i shkon mendja askujt nga kjo ministri të marrë masa për mësimdhënësit apo drejtuesit e shkollës. Përderisa javë për javë mund të shkojnë tek varri i një njeriu me një kaluar fare të zbehtë në Prishtinë, fëmijët shqiptarë nuk duhet të shohin e të prekin luftëtarin e lirisë që në momentet më të rëndësishme për Kosovën nuk ishte me kravatë siç është këto ditë, por me çizme dhe uniformë ushtarake së bashku me qindra pjesëtarë tjerë të UÇK-së, në mbrojtje të Kosovës dhe të popullit tanë liridashës.
Mendoj së motivi i rënë pre i shtytjes nga ndjenjat për të bërë të kaluarën tonë historike të zezë, duke mohuar çdo gjë që vjen nga tabori i bartësve të luftës çlirimtare, nuk e justifikon ashpërsinë e ligjit të MASHT-it, që zbrazet mbi kurrizin e mësimdhënësve, siç e bënë këtë mbi drejtorin e shkollës, zotin Tahir Krasniqi në këtë rast. Si shpjegohet ndryshe suspendimi i një drejtori që në gjirin e nxënëseve zbriti njërin nga udhëheqësit e një lufte çlirimtare e historike. Pse, qenka e ndaluar që fëmijët tanë të shohin, dëgjojnë, prekin, apo shtrëngojnë duart me Hashimin, Ramushin, Çekun, Limajn, Krasniqin, Selimin, Bashotën, dhe të tjerët që nuk i mori plumbi gjatë luftës!? Me Demaqin, Albinin dhe dhjetëra simbole tjera të rezistencës... Kjo shoqëri që është duke u krijuar nga kopjet e atyre të MASHT-it, nga njëmendësia politike dhe e hakmarrjes, nga totalitarizmi dhe diktatura, nga servilizmi dhe tradhtia. Këto institucione të sendërtuara mbi baza të përçarjes, ku ministrat veprojnë me kapriçiozitetin e tyre, nuk mund t'i shërbejnë zhvillimit të një shoqërie demokratike. Me këtë veprim, ministria në fjalë tregon një mospërfillje për të gjitha të arriturat e deritanishme, për gjakun e derdhur dhe jetët e këputura në mes për liri të atdheut. Po të ishte gjallë edhe vet komandanti legjendar, do të thahej nga dëshira për të përkëdhelur nxënësit nga frika e goditjes së ligjit i cili këtë radhë është në dorën e ministrisë së "Maliqit !"...
Respekti natyrisht se duhet të jetë i ndërsjellë dhe absolut. Vetëm mbi këtë bazë ndërtohet ndjenja e mirënjohjes njerëzore. Nga ana tjetër gjërat e liga, do duhej të jenë shqetësimi ynë, para se ato të marrin një epilog irritues e të parevokueshëm. Rënia e një ministri kaq ulët, i shtyrë nga pasioni i hakmarrjes kundër një ushtari të lirisë, që fatkeqësisht dhe krejt padrejtësisht bie edhe mbi një drejtor, mbi një institucion arsimor!? Kjo ka të bëjë me atë pjesë të antikulturës së një ministrie të tërë, por edhe të një qeverie e cila pretendon të hiqet si demokratike! Nuk duhet lejuar komoditetin e atyre që në emër të ligjit të spekulojnë me lirinë e të tjerëve. Kjo nuk është në etikën e sistemeve demokratike, aq më pak në kodin e ligjit demokratik.
Këto veprime kaq mohuese dhe të papërgjegjshme të institucioneve tona, përcjellin vetëm mesazhe negative të një shoqërie në zhvillim, çmimin e së cilës do ta paguajmë ne qytetarët e saj në rend të parë. Në asnjë moment pushtetarit nuk duhet t'i lejohet që ligjin ta përdor si forcë për nënshtrimin dhe zbehjen e peshës së diversitetit politik. Ka ikur ajo kohë dhe ky doracak veprimesh së bashku me tanket dhe ushtarët pushtues, që i ndoqi e madhja UÇK. Tanimë jemi në kërkim të rrugëve të reja të integrimeve shoqërore drejt demokracive më të zhvilluara në botë duke u përkulur ndaj atyre që me djersën dhe gjakun e tyre na bënë të mundur të frymojmë lirshëm në vendin tonë.