Botuar ne "Kosova sot" me 29 mars 2008
Portreti i javës: MEHMET BISLIMI
RRAFSHI ORGGANIZATIV I PANDARË NGA AI ARTISTIK
Mehmet Bislimi i takon brezit të intelektualëve, të cilët tërë energjinë e jetës rinore e të pjekurisë, ia ka kushtuar çështjes kombëtare. Jeta e këtij krijuesi dhe veprimtari mund të ndahet në disa kapituj, ku secili prej kapitujve është histori e veçantë. Mehmet Bislimi për veprimtari ilegale "kundër popullit dhe shtetit" vite të tëra përjetoi burgjet famëkeqe jugosllave, u detyrua të përjetonte bukën e hidhur të mërgimit për shumë vjet, pas bombardimeve të NATO-s shijoji lirinë duke dhënë kontributin në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës. Ai krahas krijimtarisë artistik dha maksimumin në organizimin e luftëtarëve të lirisë. E vetmja gjë që asnjëherë nuk ka arritur ta bëjë e madje as që ka tentuar ta bëjë është lufta e bërrylave me shokë. I vetëdijshëm se lufta për karrierë, për para, për poste të rëndësishme e dëmton çështjen kombëtare Mehmet Bislimi gjithnjë i ka evituar gjerat që çonin ujë në mullirin e armikut. Në raste të tilla, për ta konsoliduar shpirtin, i qaset krijimtarisë artistike herë duke thurë vargje e herë përmes analizave të shumta politike.
Thirrja e poetit është thirrje e sinqertë
Si çdo krijues, edhe Mehmet Bislimi tërë mllefin kundër padrejtësive të ndryshme e shpreh përmes artit, por tek ky autor më së shumti potencohen padrejtësitë kombëtare përmes të cilave ka kaluar populli ynë. Në segmentin e vuajtjeve të përgjithshme kombëtare vërehen edhe vuajtjet individuale të vetë krijuesit, sepse është dëshmitar aktiv i proceseve përballë të cilave u ndodh populli shqiptar.
Mehmet Bislimi nuk qëndron pasiv as në rrafshin organizativ e as në atë artistik. Në rrafshin organizativ i sfidon problemet që shfaqeshin. E në organizimet kombëtare e sidomos në diasporë nuk mungonin problemet që në të shumtën e rasteve vinin nga hafijet që në dukje të parë nuk lënë as shenjen më të vogël për dyshim. Ata behën më të urtë se i shenjti, të dëgjueshëm, të sjellshëm, të ngjisin në qiell që një ditë të të zbresin shtatë pashë nën tokë.
Përjetimet e jetës së përditshme do t'i shohim në rrafshin artistik. Në vargjet poetike të M.Bislimit do të vërehet këshilla e tij që përpiqet t'ua japë ndoshta shokëve me të cilët ka vepruar në ilegalitet dhe të cilët janë në poste kyçe kur shkruan: " Me duar të përgjakura/
Ju ngritën/ Në majat më të larta/Kujdes nga rënia/ Më lartë nuk ka/Panë tmerrin ata
Nga mundi i ngritjes/Me duar të këputura në bërryl/Bërrylin atyre mos ua tregoni/
Kujdes".
Ata që e njohin veprimtarinë e Mehmet Bislimit nuk kanë nevojë për ta gjetur kodin sekret të këtyre vargjeve, dhe t'i japin një interpretim komplet. Autori nuk është kundër atyre që ishin ose që janë në poste të larta, por atyre u tregon, ua rikujton nëse ndonjëri prej tyre ka harruar se në ato vende u gjenden falë luftëtarëve të lirisë. Kushdo që ndodhet në ato poste duhet ta ketë të qartë së është vetëm në saje të luftës sepse gjaku i tyre i solli në majat më të larta. Ata nuk kanë ku të shkojnë më lartë dhe nuk mund të rrezikojnë asgjë tjetër përveç rënies së vetë. Nëse ata nuk kujdesen për gjakun e derdhur, për njerëzit e sakrificës, rënia e tyre do të jetë e tmerrshme dhe e paharrueshme.
Poeti u bënë thirrje atyre që të kenë kujdes e të lënë njëherë e përgjithmonë luftën e bërrylave e sidomos ndaj atyre me të cilët dikur ishin bashkë. Thirrja e poetit është thirrje e sinqertë siç e ka edhe vetë natyrën.
Mehmet Bislimi është i vetëdijshëm se vargu poetik nuk është asgjë më shumë se sa shprehje kreative dhe rrëfim individual. Nocionet si përjetësia, ideali, absolutja apo e pamundura që i gjejmë në vargjet poetike të poetit M.Bislimi, që i trajton në mënyrë të veçantë mbase edhe vetë jeta a poetit i ka veçantitë e saj. „Kur kthehen nga larg/ Pesha e mallit i rëndon/Nizamët të syrgjynosurit/ Mërgimtarët dhe të burgosurit/Aromën e dheut ndjejnë/Ata/Dhe vetëm ata e ndjejnë".
Poeti është i bindur se çdo i mërguar në vete e bartë mallin për atdheun dhe vetëm ata nga largësitë e tyre që janë e ndiejnë aromën e vendlindjes.
Poeti që ndien aromën e atdheut
Të mërguarit kurrë nuk do i hiqet nga mendja momentet më të bukura që kishte kaluar në vendlindje, i mërguari me mallëngjim do i rikujton çastet më të lumtura të jetës se tij në atdhe, të cilat do t'i paraqitën në formën e një arome që poeti i quan aroma e atdheut. Dihet se atdheu është diçka abstrakte që nuk preket as nuk shijohet, por në poezinë e M.Bislimit atdheu është konkret. Atdheu i poetit tonë prekët, duket, ka formën e tij, ka bukurinë e madje edhe aromën. Aroma e atdheut të poetit tonë kalon qindra e mijëra kilometra për të shkuar që mërgimtari ta shijojë. Kjo është mënyra e të shprehurit poetik, sepse gjuha e artikuluar e Mehemt Bislimit regjistron një të vërtetë më shumë se sa mund të rrëfehet në biseda.
Për poezinë e Mehmet Bislimit me të drejt Bedri Islami shkruan: „. Ritmi i brendshëm i poezive, më shumë se harmonizimi i jashtëm janë në thelbin e poezisë që u jepet lexuesve. Ka shumë vargje që të mbesin në mend, ashtu si ka edhe poezi të tëra, të cilat shfaqen herë pas here si vazhdë e vuajtjes poetike dhe e mendimit poetik, si shpërpjesëtim i së bukurës në formën e të shprehurit, si gjetje e figurës poetike, jo në klasiken, por në një formë të brendshme poetike. Normalisht, poezia e re e Mehmet Bislimit rrjedh e qetë. Ajo është në shtratin e vet në këtë formë që ka zgjedhur, dhe kësaj i është përshtatur edhe gjetja tjetër poetike e formës së shkurtër të paraqitjes së poezisë".
Për poezinë e Mehmet Bislimit letrari Isamil Syla shkruan: „ Zbrazja lirike e autorit është një manifest ironik për kohën nëpër të cilën shoqëria pluskon midis vlerave dhe pseudo vlerave, ndërthurja e të cilave krijon përshtypje mikste...".
Mehmet Bislimi është një individ që nëse nuk ka çka të bëjë nuk e lë vetën të qetë dhe i nxjerrë punë vetës aty ku tjerët nuk e presin. Kur tjerët mendojnë se çdo gjë ka përfunduar, Mehmeti ia fillon. Me shkrimet e tij publicistike kritikon vetitë negative të të gjithë atyre për të cilët mendon se e kanë keq. Nuk mendon për konsekuenca edhe pse e din se jemi në fazën e tranzicionit ku të kritikosh është punë e sizifit. Po ndoshta pikërisht nga të tillët që mendojnë si Mehmet Bislimi ndikojnë në përmirësimin e jetës dhe gjendjes së një shoqërie. Ata që mendojnë të kundërtën nuk mund të lëvizin as gurin e as fjalën. Mehemt Bislimi e vë në lëvizje atë që mundet dhe aq sa mundët. Po të ndalët, ka bindjen se i pushon edhe jeta. Kur vepron ndien qetësi shpirtërore dhe lumturi. Kur e din se me veprimtarinë e tij i kontribuon çështjes përjeton kënaqësinë dhe një herë sikur lirohet nga një barrë e rëndë. E di se barrën askush nuk ia ka ngarkuar, e di se ajo është një barrë që është përcjellë gjeneratë pas gjenerate e deri në ditët tona dhe se secili shqiptar ka lindur me të njëjtat barrë- çlirimin e atdheut. Dikush këtë peshë vetës ia ka ngarkuar më pak e dikush aspak, por ka shumë tjerë si Mehemt Bislimi , që vetëm tash në Kosovën e pavarur janë çliruar nga kjo peshë që na ka rënduar supet shekuj me radhë.
29 mars, 2008
Reshat SAHITAJ
Kontakt reshat80@hotmail.com
|
|
|