LINI GJURMËT NË KOHË!
nga Mehmet BISLIMI
Duke dëshiruar që ta them fjalën time për romanin më të ri të krijuesit Muharrem Blakaj, pa ekuivok mund të konstatojmë se si krijues që tanimë ka kaluar pragun e tre veprave në gjininë e prozës dëshmohet si i zot i kësaj gjinie, si më të ndërlikuarën nga gjinitë tjera letrare që kërkon arkitekturën e një ndërtimi të veçantë mbi një ngjarje të caktuar e cila ngërthen në vete në mënyrën më të përsosur transformimin sa më të kapshëm për lexuesin të një realiteti, qoftë ai i hidhur, lumtur, romantik, tragjik, historik, apo edhe filozofik për të shtjelluar e jetësuar një ngjarje, që ka ndodhur brenda një shoqërie në një kohë të caktuar.
Futja në vorbullën e fushës së krijimtarisë letrare e cila përkon me zhvillimin e ngjarjeve reale të një vendi, duke paraqitur po aq besnikërisht edhe rrethanat shoqërore të asaj kohe, bartësit e atyre proceseve që në fakt kërkon një punë të madhe, një imagjinatë të thellë krijuese dhe diapazon të gjerë njohurish. Tërë ky arsenal letrar i krijuesit ka për qëllim renditjen e ngjarjeve besnikërisht e sipas kohës së zhvillimit të tyre, duke jetuar me vetë personazhet dhe duke i dhënë secilit në çfarëdo momenti pozicionet e tyre të fiksuara e duke mos i ngatërruar mes vete ata për asnjë veçori edhe nga më e vogla.
Përshkrimi i rrethit jetësor e shoqëror ku veprojnë personazhet deri edhe në imtësitë më të vogla si dhe përshkrimin e tipareve dhe karaktereve të tyre, që kompletojnë çdo personazh të librit, arrihet në mënyrën më të mirë dhe bindëse. Të gjitha këto tipare që përmenda bëjnë të vlerësohet një vepër letrare nga kritika dhe lexuesi. Të gjitha këto tipare krijuesi Muharrem Blakaj na i sjell të bashkuara në librin e tij të ri dhe duhet që në fillim ta përgëzoj për këtë. Kjo punë kolosale, natyrisht se ka reflektimet dhe inspirimet nga rrafshi i literaturës së shumtë të kolosëve të mëdhenj të letërsisë botërore dhe shqiptare, të cilët autori i ka kaluar nëpër dorë por nuk mbetet peng i klasikes duke kaluar me mjeshtëri kufirin për të hyrë në modernen. Dhe ky kombinim shumë origjinal ia rrit vlerën veprës por edhe fuqinë autorit. Romani i autorit Blakaj: " Vrasje brenda germës L", është i begatë si nga kultura gjuhësore sidomos me leksikun e të shprehurit. Gjuha është mjeti më i mirë i autorit Blakaj për përshkrimin dhe shtjellimin e ngjarjeve që vijnë njëra pas tjetrës për të nxjerrë në pah një ngjarje më të madhe, më komplekse ku bartësit e zhvillimit të ngjarjes janë personazhe real, por edhe të imagjinuar, kështu duke krijuar portrete parësore e dytësore me karaktere të veçanta, punë kjo e cila do një imagjinatë të thellë krijuese si në një galeri arti, ku figurat janë në harmoni të plotë me njëra- tjetrën që ngjarjet i renditë aq harmonishëm.
Autori Blakaj, me veprën e vet, lexuesin e mirëfilltë e bind katërçipërisht se është i kompletuar me qartësinë e konceptit, se ka vrarë me punën e tij krijuese mjerimin brenda një rrethi të zbehtë, që kishin vu shumë nga krijuesit e dikurshëm para mëdyshjes - të shkruash a të mos shkruash?! Për fatin e kulturës sonë, autori nuk është viktimë e miklimeve të nënës parti,
apo shkrimit me porosi dhe me lek në dorë. Krijuesi Blakaj, nuk është nga ata, që ndihen të vrarë nga zhgënjimi i të papriturave, nga ata, që ishin fare të papërgatitur për t'u përleshur me ndodhitë të kohës të cilat furishëm përfshinë kombin tonë. Blakaj i zhveshi ata fare lakuriq para ngjarjeve madhore, siç ishin tërmetet për lirinë e atdheut, pjesë e së cilës ishte edhe vet autori dhe familja e tij, që mbi kurriz barti po aq burrërisht hisen e vet të detyrimeve për çlirimin e vendit të cilën e pagoi një për një dhe atë me shpirt e zemër!
Autori Blakaj, i vetëdijshëm se obligimet tona përballë atdheut nuk kanë përfunduar. Tani nga ana e një këndvështrimi tjetër, ai paguan taksën e tij në misionin e fjalës së shkruar e cila do të mbetët në letër për brezat që pasojnë, qoftë si mision, porosi, meditim, vazhdë, apo kronikë e një kohe me plagë të shumta. Autori nuk po kursen as kohën e mbetur, nuk po gjënë qetësin shpirtërore, pa i zbrazur prurjet e veta, duke lënë gjurmët e një kohe të shkruara, pa dyshim në shërbim të kulturës sonë letrare, por edhe të historisë më të re të Kosovës, gjithsesi edhe për popullit shqiptarë në përgjithësi.
Është fakt se krijuesit i gëzohen veprës së vet, sikurse krijesës natyrale të tyre. A nuk e ndiejnë këtë kënaqësi bujku me bereqetin e tij ndër ara, muratori kullës së gurit që atë ka ngritur me duart e veta, arkitekti urës që ka ngritur mbi lum, filozofi saktësisë së mendimit, piktori përsosmërisë dhe harmonisë se ngjyrave me plot performancë, skulptori shkrirjes së madhështisë së heroit në bronz duke i dhënë atij mesazhe përjetësie, krijuesit e letrave në gjininë e poezisë, prozës, dramës, romanit, komedisë, satirës dhe humorit etj. Zoti Blakaj me sukses e dashuri ka kurorëzuar krijesën e vet në jetë dhe krijimtari, kështu që meritueshëm ka të drejt të gëzohet për te. Duke e nxitur lexuesin që të krijojë konceptin e tij real dhe të paanshëm mbi ngjarjet e ndodhitë që kanë hapëruar së bashku me ne viteve që po lëmë pas, qofshin ato të hidhura apo edhe heroike e legjendare për kombin tonë, janë realitete që na ndoqën këmba këmbës deri tek ditët e sotme, por që pa dyshim se do t'i ndjenë edhe ata që nuk i përjetuan e që do të vijnë pas nesh në marshim!...
Përshkrimi i kësaj rruge, siç e përshkruan edhe autori Blakaj, ishte me dhimbje e mundime, me plagë e pranga, me burgime e arratisje, me plagë e gjak, me bukë e barot për të shënuar epokat e triumfit të bindshëm mbi të ligën e shëmtuar që pushtuesit shekullor mbollën mbi ne. Brezit të Blakajt dhe shumë krijueseve dhe atdhetarëve tjerë, që hise ju ra mërgimi e katandisja rrugëve të botës, ju takon që të lëmë gjurmët të shkruara në letër dhe të mburren sado në mënyrë modeste për këto gjurmë. Fundja ne as e kemi nisur të parët këtë rrugë as do të jemi të fundit. Që nga Rilindësit e deri më sot, letërsia jonë shqiptare, apo më mirë më thënë një pjesë e mirë e origjinës së letrave të shkruara në gjuhën tonë të bukur ka varguar nga rrugët e syrgjynit, pra të kurbetit të sotëm por gjithë herë me frymëzimin nga dhe për atdheun, për vendin dhe populli tanë. Prandaj, porosia e shkrimit tim është: Lini gjurmët tuaj të shkruara në letër, qoftë edhe me një kujtim, shkrim, poezi, ditar, shënim e diçka të vogël! Vetëm gjërat e shkruara mbesin dhe rrojnë. Që para erës sonë, kemi shënime të ndryshme si ato të Heraklitit mbi natyrën bie fjala, por që nuk kemi diçka më gjerësisht të shkruar për Millesh Kopiliqin i cili Sulltanit të madh të Turqisë , ia la kokën në Kosovë si hipotekë të historisë!...
Mbi këtë bazë dua ta përgëzoj autorin Blakaj i cili me përkushtim të madh ka shtjelluar, ngjarjet e hidhura por të vërteta kur UDB-ja jugosllave me mekanizmat e saja tejet tinëzare, kishte arritur të depërtonte thellë në poret e jetës sonë, duke i vu të gjithë mekanizmat mbytës e asgjësues të kundërshtarëve të saj e në veçanti të shqiptarëve liridashës e krejt veçantë të kokave të kombit tonë siç ishin: Haxhi Zeka, Bajram Curri, Avni Rrustemi, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Fazli Grajqevci, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Zija Shemsiun e dhjetëra pishtarëve tjerë të lirisë. Autori, duke e jetësuar ngjarjen deri në shkallën e një romani i cili do të jetoj gjatë, duke iu dhënë fuqi personazheve të përjetësisë siç janë Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, me saktësi dhe pa e devijuar realitetin futet poreve të veprimit të Shërbimeve sekrete të UDB-së duke i gjurmuar e denoncuar ato para opinionit të gjerë.
Përfitimi material dhe platforma e dikurshme politike, frymëzimin e krijueseve e turbullonte atë botë me dinar e verë të kuqe mes prehjeve tjera imorale. Për fatin tonë të mirë, sot poenta e krijuesit të ri Blakaj, kalon caqet e një qëllimi për të qenë vetëm emër krijues. Ky brez, ka qorr një herë e përgjithmonë shabllonet e një politike të ndyrë, që fuste hundët edhe aty ku nuk e kishte vendin, siç ishte mendimi i lirë i krijueseve në lëmi të ndryshme të artit. Krijuesi, si njohës i mirë i sistemit të vlerave, di ku ta fokusoj ngjarjen, di ta zbërthejë atë dhe di t'i japë shpirt asaj, duke e kompletuar me petkat e saj. Autori Blakaj me gjithë këto peripeci, ka dhënë vlera në këtë lëmi si në dy veprat e tij të para: "Misioni Sekret" dhe "Thesaret e Humbura", duke e dërguar misionin e vet edhe më tej në fushën e letrave me romanin e tij më të ri:" Vrasja brenda germës L". Romani plotëson të gjitha standardet e një vepre të lartë letrare dhe jo vetëm që do t'i qëndrojë kohës, por do jetë ajo shoqëruese e denjë kohës për shkak të kërkesës së lexuesit.
19. 04. 2008
Mehmet BISLIMI
|
|
|