TË LUTEM ZOTËRI MA ZGJEDH NJË " DREQ "!
nga Mehmet Bislimi
Një tregtar, kishte nxjerr në treg një thes me "dreqen" . Njëri nga blerësit e rëndomtë, po i thotë tregtarit: Të lutem zotëri, ma zgjidh një "dreq!". Tregtari futi dorën në thes dhe po hallakat në fund e në krye të thesit. Më në fund, duke mos gjetur dallim mes djajve, po i thotë blerësit: Qe besa mor burrë i dheut nuk kam se si ta zgjedhi, pasi që si në fund dhe si në krye të thesit, të gjithë dreqërit (djajtë), janë njësoj !
Nuk do të kisha dashur që qytetarin e rëndomtë të Kosovës ta zhgënjej (edhe ashtu mjaftë të zhgënjyer). Sidomos tani kur ka filluar të ndihet era e fushatës parazgjedhore e cila fillimisht të krijon përshtypjen e një fushate apatike, të paparashikuar dhe enigmatike, e cila shumë nga partitë e vogla detyrimisht i ka vënë në "litarin" e koalicionit të demokracisë! Koalicione të reja parazgjedhore në këtë histori të shkurtër të zgjedhjeve tona në sistemin e ri pluralist, sikur krijojnë përshtypjen e një misteri të frikshëm për qytetarin e thjeshtë nga vet fakti së këta aktor që sot u përqafuan, deri dje hidhnin gurë e baltë kundër njëri-tjetrit me vërsulje dhe qëndrime tejet meskine, skena këto deri edhe neveritëse për qytetarin e rëndomtë. Pa dyshim se të korrat nuk do t'i gëzojnë të gjithë njësoj. Varët se kush çka ka mbjellë dhepashmangshëm se atë edhe do korrë! Emra që do duhej t'i takoni të kaluarës!, emra gërdallë të lodhur e të stërkequr, këta Dinozaur të politikës si: Plaku Mark, Bukoshi, Vllasi, Daci, Pacolli, Kaça, Nekibja, Tërmkollka, Sejdiu, Kola e dhjetëra emra tjerë, edhe të ministrave dhe të kryetarëve aktual të komunave, do duhej të iknin sa më parë, në mënyrë që ky popull të merr frymë lirshëm, të paktën pas këtyre zgjedhjeve.
Kthimi i Bukoshit nën ex kurorën e divorcit, na bënë të kuptojmë ( pavarësisht deklarimeve të tij) se zotëriu në fjalë, i joshur nga ëndrrat e së kaluarës, iu rikthye kurorës së parë me qëllimin që të jetë diku afër arkës së shtetit e mundësisht sa më afër "groshëve të miletit!"... Bukoshi nuk mund t'i harrojë edhe aq lehtë kohët e arta të vjeljes së markave, frangave e dollarëve, atë kohë kur ai, bashkë me Isa Mustafën, në emër të "Qeverisë", trodhi mirë e mirë bashkatdhetarët tanë në mërgatë, atë kohë kur kuponët e fundit të Qeverisë së Kosovës në ekzil, botoheshin në gazetë me titull:" Për pavarësinë e Kosovës!", të cilët i shisnin nga 2 mijë Deutz Marka! Kjo figurë e divorcuar që tani kërkon t'i rikthehet bashkëshortësisë së parë, duke i premtuar asaj "besnikëri bashkëshortore!" , kërkon një vend në Parlament?! Në kushte dhe rrethana normale të një shteti të mirëfilltë demokratik Bukoshi dhe shumë nga shokët e tij do duhej ta kishin nga një vend të sigurt, por kësaj radhe në shtëpitë korrektuese të Kosovës! Por ja që nuk përjashtohet mundësia që këto figura dinake e të regjura, nesër t'i shohim në ulëset e Parlamentit të ri të Kosovës! çka të themi më shumë për një president që ka dalë nga arena e përleshjeve neveritëse të një kuvendi partie, apo për një kryeministër i cili u ngrit mbi fatkeqësinë e një kryeministri tjetër, i cili, për hir të një karriere edhe ashtu të para muzgut, ia ktheu shpinën me aq lehtësi Ushtrisë të cilën me gjak e mund e krijuam dhe më në fund i detyruar të ikë pa nam e nishan! Më tutje, me dhjetëra ministra tjerë të pa fre, si atllarët në lëmë, ku nuk dihej së kush hante e kush paguante, por që një gjë dihej saktë së populli i Kosovës po lante lamën e madhe e po pësonte dhe vazhdon të pësoi edhe sot në të gjitha segmentet e jetës. Edhe një gjë që më bëri përshtypje sot: një letër nekrologjie që e kishte shkruar Halil Matoshi në vetën e parë, me rastin e zhytjes së tij në lojërat e politikës të ORA-së ( mes mburrjeve në stilin e Bali Katravellës), sa nuk kishte thënë: "Lirinë nuk ua solla unë- por e gjeta mes jush!"...
Padyshim, bomba e humbjes dikujt do t'i pëlcas në dorë, ndërkaq që humbësit do behën pjesë përbërëse e të zhgënjyerve të cilët do mundohen që fajin t'ia hedhin, po ashtu njëri-tjetrit, si gjithmonë! Mbase edhe humbësit do të lidhen në koalicionin e të humburve përfundimisht dhe kështu do ta lehtësojnë Kosovën nga barra e rëndë dhe e pakuptimtë e politikës shterpë të cilën po e bartë mbi shpinë që sa vite pa fajin e saj. Konkretisht, sjelljet e aktorëve të koalicionit qeverisës për këto vite kanë qenë aq mospërfillëse ndaj interesave tona kombëtare. Ky komoditet, ka sjellë në pikëpyetje të madhe dyshimin për vet pozicionin e tyre i cili me të drejt në një të ardhme shumë të afërt do t'ia tregoi vendin secilit. Gjatë këtij rrugëtimi të dhimbshëm qeverisja në fjalë sikur tejkaloi të gjitha caqet e së mundshmes morale dhe njerëzore me sjelljet e tyre tejet të pa përgjegjshme duke e keqpërdorur deri në skajshmëri votën e qytetarit. Kjo sjellje krejtësisht e pa denjë dhe kjo padenjësi e paskajshme e koalicionit aktual ishte kaq e dobët, sa si rezultat i saj qe edhe krijimi e një imazhi të keq për shqiptarët në përgjithësi. Si në krye të thesit ashtu edhe ata në fund të thesit ishin të zgjedhur nga një kategori e njëjtë njerëzish dhe shtresash shoqërore! Kjo qeverisje e mbytur në mediokritet e megalomani, në hajni e korrupsion, nuk arriti të bëjë asgjë në fushat me gjendje më të rëndë dhe në proceset e përgjithshme kombëtare. Ata, le që nuk e shtynë as edhe një hap të vetëm përpara çështjen kombëtare, por nuk e lëvizën asnjë hap përpara ekonominë, infrastrukturën, energjetikën, kulturën, drejtësinë etj. Koalicioni qeverisës që veproi madje fare hapur mbi format e përshtatjes ku koncepti i mbijetesës do të shpërblehej nga dora e fuqishme e pushtetit e cila gjithmonë gjeti kompromis për hir të postit dhe përfitimeve tjera materiale personale e nepotike! Pakënaqësitë e masave ( duke pretenduar që pozicionin e tyre ta ruanin me çdo kusht), ata i survejuan përmes dylbive të UNMIK-ut, dhe në emër të çështjeve madhore maskuan abuzimet dhe spekulimet ekonomike jo të ligjshme. Me moton: " Duroni edhe pak, deri sa të zgjidhet statusi!" Kjo ishte motoja që e përdorën më së shumti gjatë këtij legjislacioni qeveritarët tanë, për të bërë ato që s'duheshin bërë ose për të mos bërë ato që duheshin bërë. Me përftimet e tyre ekonomike por edhe politike, postet etj. koalicioni qeverisës pasi kaloi "lumin" në fund fare hapur thanë: "Kaluam lumin dhe ua lodruam atkinë opaaa!"..
Nuk do duhet ndonjë shtjellim aq profesional në fushën e kriminalistikës për të parë bëmat e zeza të tyre që i bënë mbi kurrizin e Kosovës. Dështime të njëpasnjëshme u konstatuan në fushën e ekonomisë, të energjetikës, të shkencës dhe arsimit, të kulturës, të hapësirës dhe mjedisit, të mjekësisë dhe arsimit, të punësimit dhe të çështjeve sociale, të pensionistëve dhe të familjeve të Dëshmorëve, të të pagjeturve dhe të dënuarve politikë, të drejtësisë e deri të gjendja e alarmante e sigurisë madje edhe nëpër shtëpitë korrektuese siç ndodhi në Dubravë! Të gjitha këto të "arritura", pa dyshim se i dedikohen dikujt e ky dikush është koalicioni qeverisës aktual (që në një mënyrë apo tjetër, ka pasur frenat në dorë), ndër më të dobëtit që ndonjë herë kanë përjetuar institucionet e Kosovës apo edhe më larg, mbarë institucionet shqiptare. Edhe me larg, koalicioni në fjalë duke u shprehur në kuptimin më të butë të mundshëm, masakroi imazhin e Kosovës në aspektin shumëdimensional! Këto vite të humbura të kësaj qeverisjeje, do duhej kohë e gjatë dhe e mundimshme për t'i vënë në vendin e vet, madje mbështetur me një ligj të fortë i cili do të vepronte paanshëm dhe me kompetencë të plotë duke qëndruar ligji mbi të gjithë për ta vënë drejtësinë në vend. Nëse ky është realiteti, atëherë qytetari ynë me mekanizmin e votës e tij shumë sinqerisht e me plot guxim do duhej ta ndëshkonte dhe jo ta avanconte abuzuesin e votës së tij.
13 shtator 2007
Mehmet BISLIMI