VASO PASHA
nga Mehmet Bislimi
Jeta, vepra dhe krijimtaria e tij letrare
Vaso Pasha, njeri ndër figurat e moteve të hershme mes shumë personaliteteve tona kombëtare të asaj kohe që lanë gjurmë të lavdishme në historinë tonë, pa dyshim gjurmë të pakalueshme edhe në krijimtarinë letrare. Pashko u shqua si atdhetarë i denjë si krijues, por pa dyshim edhe si diplomat i asaj kohe. Vaso Pasha ( i njohur edhe si Pashko Vasa) rreth viteve 1870- 90-të, ishte si të thuash në kulmin e veprimtarisë së tij për realizimin e aspiratave tona kombëtare. U lind në Shkodër me 17 shtator 1825, me interesimin e tij të pa shoq për kulturë e dituri, arriti të jetë njohës i shkëlqarë i disa gjuhëve të huaja si: Italisht, Frëngjisht, Anglisht, Turqisht, Arabisht dhe Kroatisht. Për një kohë punoi si nëpunës i konsullatës Angleze në Shkodër, pastaj si nëpunës në krye të një komisioni reformash që Turqia e kishte dërguar në Hercegovinë. Më pas si këshilltar i vilajetit të Edrenës dhe së fundi si guvernator i shtetit të Libanit deri në fund të jetës së tij, ku edhe vdiq në Bejrut me 1892.
Vaso Pasha, frymëzuar nga ide të reja për liri kombëtare i shtyrë nga ndjenja e atdhedashurisë dhe përkushtimi për drejtësi- siç shprehej ai, iu përvesh punës, studimit dhe krijimtarisë në shërbim të popullit tonë me punë dhe sakrifica për liri të popullit tonë! Veprimtaria e tij kap dimensione të gjëra në hapësirat gjithëkombëtare. Ai u njoh dhe veproi përkrah figurave më të ndritura të kombit tonë, si me Kristoforidhin, Hoxha Tasimin, Abdylin, Naimin dhe Samiun, Vreton, Isamil Qemalin etj. Vaso Pasha, së bashku me këta burra të shquar e mendjendritur të Rilindjes sonë kombëtare bënë përpjekjet e para për nxjerrjen e alfabetit tonë të përbashkët të gjuhës shqipe, madje krijuan edhe shoqërinë kulturore, ku më vonë do të botonin libra shqipe për përhapjen e diturisë dhe arsimit në gjuhën tonë të bukur shqipe. Me këtë synohej edhe ngritja e vetëdijes tek popullin ynë si dhe krijimi i një uniteti të brendshëm kombëtar, shumë të nevojshëm për atë kohën për të krijuar forca të reja që do t'i shërbenin nesër çështjes madhore kombëtare. Kjo punë dhe dëshirë e Rilindëseve mendjendritur u kurorëzua me 1879, kur Vaso Pasha së bashku me atdhetarët dhe intelektualet e kohës krijuan "Shoqërinë e shkronjave shqipe" dhe nxorën edhe fletushkën e parë me emrin "Alfabetarja".
Vaso Pasha, ishte njëri ndër frymëzuesit me rëndësi për themelimin e Lidhjes së Prizrenit. Ai përkrah Abdyl Frashrit u shqua si njeri prej personaliteteve të çmuara të Komitetit të Stambollit për mbrojtjen e tokave shqiptare i cili ndërhyri shumë herë pranë Qeverisë Turke dhe pranë fuqive të mëdha. Një kapitull të veçantë të Pashkos zënë edhe shkrimet e tija publicistike në gjuhën shqipe, por edhe në disa gjuhë të huaja në mjetet publike të kohës për ta bërë të njohur qëndrimin e shqiptarëve. Vaso Pasha për këtë qëllim ka të botuara dy libra në gjuhën Frënge, njëra prej të cilave mbanë titullin:" E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarë", e cila më pas u përkthye edhe në gjuhën ¨Gjermane, Italiane, Greke dhe Turqishte. Ai në këtë vepër denoncoi propagandën e huaj në veçanti atë Greke dhe Serbe që ushtrohej kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve, ku shkroi: " A mos është krim që ta duash vendin tënd? Ajo që është një cilësi dhe një virtyt për të tjerët, s'ka se si të jetë gjë tjetër për ne. Dëshira jonë e madhe për të parë vendin tonë të lirë e bënë vullnetin tonë edhe më të fuqishëm, edhe më të shenjtë dhe të pandalshëm"...
Vaso Pasha është autor i një varg veprash me karakter politik, historik, letrar e publicistik në të cilat denjësisht e me përkushtim mbrojti çështjen shqiptare. Ai shkroi edhe një gramatikë "Për të zënë të huajt shqipen", siç ishte shprehur ai. Shkroi romanin "Bardhat e Temalit",- "Barda de Temal" me 1980 Paris, që është një nga romanet e para shqiptare. Botoi edhe përmbledhje poezish në gjuhën Italiane me titull:" Pose e spine"- "Trëndafila e gjemba", madje shkroi edhe disa poezi shqipe të cilat nuk u botuan, si dhe një libër historik për Skënder Beun i cili me sa duket nuk gjeti publicitetin e duhur. Një ndër shkrimet më të mira dhe më interesante të Vaso Pashës mbetet vjersha me titull: " O moj Shqipni", e cila edhe pas kaq vitesh, nuk e ka humbur porosinë dhe vlerën e saj kombëtare! Kjo vjershë është njëra ndër vjershat më të mira të letërsisë sonë që i përket Rilindjes Kombëtare e cila duke qarkulluar dorë me dorë u bë si të thuash kushtrim i asaj kohe, u bë himni kombëtar, ku bëhej thirrje për bashkim kombëtar dhe rezistencë të fuqishme kundër lakmive pushtuese të fqinjëve tanë hegjemonist. Mesazhi i vjershës kulmon me kërkesën për dënimin e ndasive fetare e krahinore, ku ngritët zëri dhe u dha kushtrimi për kryengritje të armatosur kundër pushtueseve të tokave tona. Aty flitet për burrat e Shqipërisë që i shtinin dridhmën tërë Rumelisë!
... Kujt i ban zemra me e lan me dek
Kët farë trimneshe qi sot asht mek
Kët nanë të dashtun a do e lam
Që njeri i huej ta shklas me kambë
çonju shqyptar prej gjumit çonju
Të gjith si vllazën ne nji besë shtrëngoju
E mos shikoni kisha e xhamia
Fe e shqyptarit ashtë shqiptaria
Qysh prej Tivarit deri në Prevezë
Gjithkund lëshon dielli vap` edhe rrez
Ashtë toka jonë të parët na e kanë lan
Kush mos na e prek se desim t'tanë...
Vaso Pasha ishte dhe mbeti një ndër figurat më komplekse në historinë e Lëvizjes sonë Kombëtare. Ai ishte intelektuali, historiani, publicisti, romansieri, diplomati dhe atdhetari i shquar i cili tërë jetën e vet e vuri në shërbim të atdheut. Kombi ynë për herë do të mburrët për fatin e mirë që në gjirin e vet mbanë me xhelozi figurat markante si Vaso Pashë Shkodranin. Jeta dhe vepra e Pashkos, janë bërë pjesë e pandashme e historisë dhe e letërsisë së popullit shqiptar.
17, shtator 2007
Mehmet BISLIMI