"UDHA E KRIPËS" , poezi të Isuf SHERIFIT
nga Mehmet BISLIMI
Edhe në përmbledhjet e tij poetike më të hershme, por edhe në këto më të vonshme poeti Isuf Sherifi, lexuesit i jap diçka më shumë e më përtej mendimit dhe imagjinatës së tij krijuese. Tashmë, është bërë gati e zakonshme që nga një dorë krijuesish dyert e poezisë të hapën ca më "vonesë", nga se në rrugën e tyre krijuese valët e jetës kishin goditur dhe trazuar rëndë ëndrrat e bukura rinore. Ata qenë detyruar t'i mbanin të fshehura thellë në gji dëshirat dhe aspiratat e tyre të fuqishme nëpër qelitë e errëta të pushtuesit serb, për të shpërthyer ato një ditë fuqishëm me ngjyrat migjeniane, që nuk do të shuhen kurrë! Edhe krijuesin e ri Isuf Sherifin e përcolli fati i njëjtë, fati i luleve të atdheut i cili në moshë të re u përlesh me peshën e mureve dhe grilave të robërisë, ai dha nga vetja e tij diçka në shërbim të atdheut, si edhe të gjithë ne, pra të gjithë nga pak, më ndjenjën e lartë që atdheut mos t'i hymë në hak!...
Poeti i ri Isuf Sherifi, atdheut dhe kulturës sonë në përgjithësi i dha muzën e shpirtit të tij krijuese në lëmin e poezisë, por edhe të prozës në veprat e tij që ka botuar deri me tani ( 5 përmbledhje poezish dhe 2 monografi), shumë nga poezitë e Sherifit janë të botuara edhe në botime të veçanta antologjike.
Për ta thënë fjalën e bukur artistike, nuk është edhe aq e lehtë, nga se atë duhet ta veshim edhe me petkat e kuptimit të saj filozofik, estetik, alegorik, retorik dhe metaforik... Duhet ta veshim me qartësinë, porosinë dhe përmbajtjen e saj letrare në rrafshin kombëtare pa dyshim, por mbi të gjitha me atë porosinë e urtë njerëzore.
Ndoshta pa dashur, por më duhet që para së të flas për mes letrash me autorin e kësaj përmbledhje t'i uroi atij ecje vertikale dhe të matur, të kujtohet për atë që e kemi harruar ne, gjeneratat e më hershme! Kjo për ne, ani pse është një kujtesë e hidhur, vërtetë për brezin tonë ka shumëçka të kujtojmë dhe duhet të kujtojmë: Robërinë që na kishte zënë derën me ferrë, vuajtjet, torturat, internimet, vrasjet e mizoritë e mbi të gjitha varfërinë shpirtërore të disa "intelektualëve" të pa kurriz, burgjet erë myku, shokët e rënë në fushën e nderit dhe vargjet e tyre- amanet, përgjysmë lënë!...
Poeti Sherifi, objektin e poezisë e ka futur brenda vetës në mënyrë që të përpëlitet me shpirtin e tij krijues e luftarak drejt marshimit për të pushtuar majat më të larta të muzave, të zanave, të shtojzovalleve, të idileve, të odave dhe të bukurisë artistike që ai e përjetëson në letrat tona. Mos të harrojmë, sot letrave tona të shkruara më shumë së kurrë i duhet poezia që rrëzon shkëmbinj, që ndez zjarr zemrat djaloshare, që shembë diga e kufij, poezia që ka shpirt, poezia që të futë thellë në rrugët e aspiratave tona kombëtare, poezia që të ngritë në këmbë! Në këtë pikëvështrim si pikë reference edhe tek poeti Sherifi kërkohen fuqishëm gjëra të reja, që thuhen me shpirt e zemër, gjëra të pa pritura e të pa përsëritshme që në thelb ruajnë lidhjen e tyre të ngushtë të shprehjes dhe të bashkëjetesës sonë me hutën dhe ashpërsinë e saj, por edhe me muzën e butë dhe me tingujt e bukur të çiftelisë nëpër dasmë e po edhe në mort! Morti nuk duhet të na i pres udhët tona dhe qëllimin final të tyre, dhe kurrë nuk ka arritur të na i pres!... Është kjo poezia e Isuf Sherifit " Udha e Kripës", titulli me të cilin autori pagëzon rrugëtimin e tij në këtë përmbledhje drejt ecjeve tjera në liqenin e tij krijues.
Poezia e Isuf Sherifit karakterizohet për formën e saj depërtuese, për përmbajtjen, për shkurtësinë e vargut kuptimplotë, që në të shumtën e rasteve fletë më shumë se një shkrim i tërë proze! Kjo e bënë poetin Sherifi, më të fuqishëm më të kapshëm dhe më të madh në kuptimin e filozofisë së mendimit që e zbërthen dhe e vë në letër të kapshëm dhe të prekshëm për lexuesin e çdo rang renditje e niveli përgatitor, këtu qëndron edhe madhështia e tij, bie fjala tek poezia. "Kllapat"
Në orë të matematikës/ mësuesi Alimani/ na pati mësuar/
si hyjnë dhe si dalin/ numrat në kllapa...
Më vonë, kur u rrita/ mësova se/ numrat dhe njerëzit/
nuk paskan fort dallim/ kur atyre u vihen kllapat/ ata mbesin të njëjtë/
numra!...
Poeti Sherifi, e zbërthen në mënyrë kaq të përkryer filozofike nocionin njeri dhe dykuptimësinë e njeriut numër- njëkohësisht të numrit njeri, tek poezia "Kllapat", në të dyja rastet kur njeriu humbë peshën deri në zvenitjen e një numri para kllapave dhe njëkohësisht kur numri rritë vlerat e shumëzimit të tij me vetveten. Poeti Sherifi, duke qenë edhe vet personazh dhe numër brenda kllapave, ai së bashku me gjeneratën e tij, nuk e vejnë veten në rolin e aktorëve mburravec, por as të atij zhgënjyes të vetëdijshëm për filozofinë e kuptimit të kësaj loje brenda e jashtë kllapave, që në vete ngërthen sakrificat më sublime mbi të cilat poeti dhe brezi i tij numrat, megjithatë i baras vlerësuan me njerëzit në mënyrën më triumfale! Poeti në këtë poezi, si edhe në dhjetëra poezi tjera e zbret madhështinë e metaforës në luadhin e krijimtarisë sonë letrare, duke e ulur atë këmbë kryq në kullën e krenarisë dhe të rezistencës kombëtare, që në fakt gjatë rrugës sonë të përgjakjes numrat dhe njerëzit ishin shkrirë në një bashkëdyzim të fuqishëm duke i ndrydhur dhimbjet e shpirtit me dhëmbë!...
Poeti Sherifi, çështjet e shtruara në vargun e tij, nuk i shpreh vetëm formalisht ( sa për t'i krijuar), ai ka ritmin e vet të rrjedhës, të metrikës, të figurës, të koloritetit, fjalorin e tij të pasur, metaforën e fuqishme, rimën e cila herë- herë qëndron mbi poezinë e tij, ka intonacionin i cili në të shumtën e rasteve shprehet fuqishëm, duke zbuluar nostalgjinë e tij shpirtërore për diçka të humbur rrugëve të gjata të sakrificave dhe labirinteve të shumta që poetit dhe popullit të tonë i kishin dalë pengesë në rrugët e tija. Gjëra këto nga të cilat pak krijues kanë mundur të lirohen, fundi i fundit edhe jeta është e pa kuptimtë, nëse vërtetë njeriu nuk ndjen nostalgji për të kaluarën, për shokët, për natyrën, për vendlindjen, për rininë e dashurinë, për idil e cila fshihet diku thellë, madje edhe mes heshtjes, edhe mes vuajtjeve, edhe mes jetës së lumtur,por edhe mes sakrificave për te arritur atje- përtej së madhërishmes!
Duke uruar që fuqia e mendimit të poetit Sherifi të hapëroi më tej, së bashku me kohën e duhur pjellore futur thellë mes imagjinatës krijuese, dua që zilia ime, por edhe e krijuesve tjerë të shtohet edhe me për vargun e tij kuptimplotë!
|
|
|