KOSOVA SHTET I PAVARURnga Mehmet BISLIMI
Krejt natyrshëm, krejt lirshëm dhe arsyeshëm, vetëkuptohen emocionet e shqiptarëve në Kosovë, Shqipëri, Greqi, Maqedoni, Serbi, Mal të Zi, në Amerikë e Australi, në Evropë e Azi, dhe kudo ku janë ata nëpër botë!
Që nga kohët e mes historisë e mitologjisë, që nga koha kur kronikët e rastit kanë lënë diçka të shkruar në gurë e letër për ne, që nga Lufta e Kosovës e në vazhdim, nga lufta e Gjergj Kastriotit, e Ali Pashë Tepelenës, e Lidhjes së Prizrenit e Rilindjes dhe independencës së një copë tokash shqiptare e deri tek lufta heroike e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, në krye me Komandantin tonë Legjendar Adem Jasharin edhe me tej deri tek ditët e sotme, kur Kosova u shpall shtet i pavarur, kanë kaluar shekuj të rëndë robërie për ne, të cilët kanë lënë po aq plagë të thella në shpirtin tonë.
Shekuj qëndrese për liri, shekuj lumenjsh me gjak, me lot, me plagë, me sakrifica sublime, që populli ynë i ka bërë për lirinë e vet, më rënie e ngritje heroike...
Shqiptarët rezistuan shekuj dhunimi, burgosje, persekutime, shtypje e mjerimi. Këta shekuj të gjatë robërie, ishin shekuj qëndrese e pathyeshmërie, shekuj triumfi e ngadhënjimi deri tek realizimi i pjesshëm i aspiratave të popullit tanë! Kjo rrugë e gjatë, shqiptarët nuk i lodhi, nuk i zmbrapsi, nuk i tjetërsoi, nuk i asimiloi, nuk i nxori nga uni i vet, pra ne, as edhe një herë nuk mohuam përkatësinë tonë kombëtare. Kjo rrugë e trasuar breza me radhë, që nga koha kur u krijua dielli e këtej, ne e kemi thënë gjithmonë e me krenari: Jemi shqiptarë e të tillë do mbesim!...
Kjo krenari kombëtare na mbajti gjallë e të fortë si shkëmbi gjatë udhëtimit tonë nëpër shtigjet e lirisë, shqiptarët me punë e sakrificë, më luftë e përpjekje triumfuan mbi të ligën, mbi të ultën, mbi të zezën robëri që kaq gjatë na kishte ngërthyer!
Data, 17 shkurt 2008, mbase, shpejt e me kohë, do t'i takojë të kaluarës së lavdishme, ashtu sikur i takon sot 28 nëntori i vitit 1912. Pa dyshim se shqiptarët do ta kenë një datë më të madhe një ditë! Për këtë, duhet punë e përkushtim, meqë sot bota është më ndryshe, është demokratike e liridashëse, ka vizion tjetër më të qartë e më të avancuar për lirinë e popujve, me çka ia shton lumturinë dhe shpresat për ditë më të mira njerëzimit. Prandaj, shqiptarët kudo që janë, duhet të jenë shumë të përkushtuar për të ndërtuar dhe përparuar shtetin e vet- URIME KOSOVË!
Sot, jemi këtu ku jemi, nuk duhet të harrojmë për as një çast ndihmën e nënës Shqipëri që bëri nder shekuj për bijtë e saj. Bëri aq sa mundi, që nga qeveria e Ismail Qemalit e deri tek kjo e Salih Berishës. Nëna Shqipëri, pranoi dhe u dha strehë bijve të saj, i ndihmoi ata me bukë e kripë, me përkrahje morale e materiale, më ngritjen e fuqishme të zërit, për të na mbrojtur, me vepra konkrete, po për aq sa ishin mundësit e saj. Ajo nuk i mohoi bijtë e vet as një herë, dhe u përpoq që obligimet të ligjshme t'i kryej me nder ndaj popullit të saj, mbetur peng të hipotekave të fuqive të mëdha, madje të ndarë edhe nga trungu i vet. Sot mes Shqipërisë dhe Kosovës u thye edhe një mur në Evropë, që ishte vu, si ai i Berlinit dikur, pra u thye muri që Serbia kishte ngritur mes popullit shqiptarë për rreth një shekull me radhë- URIME SHQIPËRI, URIME SHQIPTARË!
Nuk duhet të harrojmë as edhe një herë, bijtë e bijat më të mirë të kombit, që gjakun e tyre të njomë e derdhen në altarin e lirisë së atdheut; Ushtria Çlirimtare e Kosovës i vuri themelet përfundimtare të lirisë së Kosovës, liri kjo e përpjekjeve tona shekullore, që mbi kështjellën e vet si simbol mbanë të bardhë si dëborë plisin e Komandantit Legjendar Adem Jashari!
Për as një çast nuk duhet harruar miqtë tanë të botës përparimtare, të cilët ngritën fuqishëm zërin e arsyes për të mbrojtur popullin shqiptarë të Kosovës nga gjenocidi dhe shfarosja, që aparati diktatorial i pushtetit Serb- Millosheviqian po ushtronte mbi ne.
Bota përparimtare mbështetur fuqishëm nga forcat alete në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglisë, Francës, Gjermanisë dhe tërë Evropës, më në fund shqiptarëve ua njohën të drejtën për të jetuar të lirë në tokat e veta, dënuan pushtuesin Serb gjakatar, dhe kështu sollën në vend të drejtën morale e cila ishte shkelur para më se një shekulli, me të dyja këmbët, po nga vet disa prej këtyre fuqive të mëdha!
Ky gabim u përmirësua, pa çka se haraçin e madh e paguan shumë shtrenjtë shqiptarët!
Kosova, sa herë që do të kujtojë pavarësinë e saj, për herë e me respektin më të madh për qëndrimin e tyre njerëzor përballë çështjes sonë kombëtare, do të kujtoi: Bill Klintonin, Toni Blerin, Medlin Ollbrajt, Xhorxh Bushin, Uesli Klarkun, Ulliam Walkerin, Shein, Hollbrukun, e dhjetëra personalitete tjerë të botës së lirë e të civilizuar dhe demokratike, që dhunës serbe i prenë rrugën.
Sot Shqipëria dhe Kosova kanë për obligim dhe detyrim moral, demokratik e kombëtar, që vëllezërit tanë, të mbetur ende peng i kohës, t'i mbrojnë e t'i përkrahin në të drejtat e tyre legjitime për të jetuar të lirë e të pa cenuar në tokat e tyre, t'i përkrahin në të drejtën e tyre në shkollim, emancipim, të drejtën e tyre historike për integrim kombëtare, të drejtën e tyre për komunikim ndër shqiptarë, në synimeve e tyre drejt bashkësisë së familjes së madhe Evropiane, të drejtën e tyre për të jetuar të lirë, dhe ta ngrehin kurdoherë zërin e arsyes në mbrojtje të tyre, në të gjitha kohërat dhe rrethanat, kur atyre ju cenohen të drejtat më elementare.
Serbia, as sot nuk po bindet me realitetin e ri, por po e vazhdon rrugën e ish diktatorit, sipas devizës: "Serbia kundër të gjithëve!". Ata, urrejtjen e tyre patologjike e zbrazën në mënyrën më të vrazhdët, kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës, Kosovës, që kushtoi edhe me miliona jetë! Edhe sot, kjo urrejtje e trashëguar, sikur i ka verbuar ata: Serbia, proteston e shfaqë dhunë kundër Amerikës, Francës, Anglisë, Gjermanisë, Austrisë, Holandës!... vallë kaq thellë i paska rrënjët urrejtja serbe kundër të gjithë të tjerëve?! Serbia, do të duhej të pranonte një herë e mirë se ambiciet e së kaluarës për të mbajtur popuj të tjerë të shtypur e të pushtuar janë anakronike, ajo ëndërr e trishtueshme duhet t'i takojë së kaluarës, po aq të trishtueshme. Këtë trishtim që Serbia e mbolli tek të tjerët për vite me radhë, tani më është koha që ajo ta vejë në muzeun e turpit të kombit të vet. Ky trishtim i takon asaj, dhe vetëm asaj!... Serbia, se më parë do të duhet që ta njoh shtetin e ri të Kosovës, sa më parë do të duhej që popullit shqiptar t'i kërkojë falje për dhimbjet dhe vuajtjet që i ka shkaktuar për më se një shekulli rresht.
Shqiptarët, duke qenë shumicë absolute në shtetin e Kosovës, duhet të tregojnë mençuri dhe pjekuri politike, dhe të sillen me dinjitet ndaj të gjitha pakicave në Kosovë. Kush më shumë se ne shqiptarët në lëkurën tonë e kemi përjetuar tmerrin dhe dhunën, vuajtjet dhe padrejtësitë mbi kurriz, prandaj shqiptarët nuk guxojnë në as një rast, që atë të cilën e kanë urryer deri dje, dhe atë që e kanë luftuar e dënuar deri dje më shumti, sot ta zbrazin mbi serbet, apo mbi të tjerët të cilët, po e njohin ngadalë dhe do ta njohin realitetin e ri në shtetin e Kosovës e cila është e zotuar se do të jetë shtet i të gjithëve dhe i barabartë për të gjithë.
Pa dyshim se ligji do të zotëroi në Kosovë, dhe duhet të jetë shumë i pa mëshirshëm ndaj të gjithë kriminelëve, hajdutëve, keq përdoruesve, dhe rrënuesve të imazhit të mirë të Kosovës.
Populli i Kosova, si kurrë më parë, në mënyrën më dinjitoze dhe në mënyrën më të civilizuar, pa as më të voglin ekses, ka shpallur dhe ka festuar shtetin e vet të shumëpritur me shekuj.
Kosova do të jetë shtet, ku popujt e saj do të ndihen të qetë dhe të lirë në shtëpitë e veta dhe në tërë territorin e saj. Andaj mos harroni, dhe mos u gënjeni, deri të shteti i mirëfilltë i Kosovës, ka edhe shumë për t' u bërë!
Fati historik!
Shumë kush do të thotë se; ishte fati historik, ishin koincidencë edhe emrat e përveçëm, ku rastisi që të mbesin në historinë më të re të Kosovës! Jo, kjo nuk qëndron.
Historia e Kosovës nuk ka mbaruar, ajo sa po ka filluar, Kosova ka rrugë të gjatë për të bërë drejt shtet bërjes së vërtetë, drejt zhvillimit, përparimit, drejt integrimit ndërkombëtarë, por edhe brendakombëtarë e territorial, gjithandej ku shtrihen shqiptarët, për të jetuar ata të qetë e të lirë, për të zhvilluar e mëkëmbur qenien e tyre!
Ishin këta, pra pikërisht këta, bartësit e luftës Çlirimtare në rrafshin kombëtar, që nga Lidhje e Prizrenit, edhe më tej e deri te gjeneratat e sotme, të cilët nën kushtrimin e Komandantit Legjendar Adem Jashari u rreshtuan dhe vepruan devotshëm në ballë të tyre edhe Kryeministri Hashim Thaçi, Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi e qindra bijë të tjerë të shqiptarisë, në mesin e të cilëve sot, shumë i ka marrë përjetësia shqiptare në gjirin e vet valë!
Ka ndërgjegje, ka moral, ka drejtësi, ka ligj, ka zot, ka vetëdije, taban kombëtar dhe të gjitha këto bënë që mos të mallkohet historia, prandaj do të ishte e pamundur që të ndodhet ndryshe.
Atë ditë, po fliste gjaku i derdhur i shqiptarëve për liri, në emër të këtij gjaku dhe të aspiratave të popullit tonë, që pa dyshim se u realizuan pjesërisht, atë ditë, pra me 17 shkurt 2008, në zemër të Kosovës, po fliste Kryeministri i shtetit të Kosovës- Hashim Thaçi!
Kosova shtet i lirë dhe i pavarur, urime shqiptarë kudo që jeni!
22. 2. 2008
Mehmet BISLIMI