Shoqëria Shqiptare ILIRIA
Lyon - FRANCË
Kryesia e Shoqërisë Shqiptare "Iliria" në Lion të Francës, e mbledhur më datën 11 maj 2007, mori vendim të bëjë këtë:
Deklaratë për opinion
Shoqëria Shqiptare "Iliria" në Lion të Francës, është shumë e zemëruar me autoritetet ndërkombëtare dhe ato vendore të Kosovës, që po tallen me një nga figurat e para të demokracisë së kulluar europiane, me një nga desidentët e parë politik dhe me një nga pishtarët e parë të demokracisë europiane të këtij fillimshekulli. Prandaj, kërkojmë me forcë nga autoritet qeverisëse vendore dhe atyre ndërkombëtare në Kosovë që ta rishikojnë edhe njëherë qëndrimin e tyre, lidhur me djaloshin Albin Kurti, pishtarin e lirisë dhe të demokracisë në Kosovë e për Kosovën!
Dje, sipas informacioneve të mediave të ndryshme, disidenti politik, Albin Kurti, doli nga burgu. Të gjithë simpatizantët e tij dhe jo vetëm të tij, u gëzuan shumë për lirimin e tij. Edhe ne, Shoqëria jonë shqiptare "Iliria" u gëzuam për lirimin e tij. Ne u gëzuam, sepse menduam se më në fund pas dy muajsh të avullimit të demokracisë në Kosovë nga eskadronët vrastarë të Rumanisë, të Ukrainës e të Polonisë, po rikthehet demokracia.
Agjensi të ndryshme lajmesh, RTK, ALSAT, TVSH e shumë agjensi të tjera informative po jepnin pandërprerë lajmin për lirimin e Albin Kurtit. Një nga disidentët e parë politik në vitet e demokracisë së "kulluar evropiane". Askujt nuk i ka shkuar mendja se pas vendosjes së forcave të NATOS në Kosovë, do të përsëritet ligji famkeq - ligji për agjitacion dhe për propagandë, neni 133, alinea 1, në bazë të të cilit, shqiptarët e Kosovës, ishin gjithnjë viktimë të këtij ligji verbal, i cili për shqiptarët parashikonte dënimin deri me 10 vjet heqje lirie. Prandaj, ne Shoqëria Shqiptare "Iliria" në Lion, jemi të shqetësuar se çfarë po ndodhë në Kosovë? Po mbushen, gati 8 vite dhe në vend që të sundoj ligji dhe demokracia, ku më së shumti i ka munguar popullit shqiptar të Kosovës, ajo, sot po përballet me kundërvlera të demokracisë evropiane, për mendimin e lirë, për fjalën e lirë, për shprehjen e lirë, për protestën e lirë, e drejtë kjo e garantuar me kushtetutën e secilit vend demokratik, një e drejtë që është e garantuar edhe me KARTAT NDËRKOMBËTARE. Për neve është, plotësisht i paqartë aplikimi i vlerave dhe i kundërvlerave brenda natës apo brenda ditës. Sa u tha, nga mjetet e informimit se u lirua Albin Kurti, pas pak vinë informacione të tjera, se riarrestohet Albin Kurti. Çfarë komedie apo tragji-komedie?! Një lojë e antivlerave, një lojë me ligjet dhe vlerat demokratike. Ky nuk mund të quhet ndryshe veçse një shëmtim, një çoroditje e vlerave të demokracisë, për të cilën ne kemi patur nevojë më shumë se çdo popull tjetër në Evropë.
Që nga viti 1999 e deri në vitin 2007, populli shqiptar, jo më pak se tri herë po gjakoset rëndë nga forcat ndërkombëtare.
Ne që jemi të shpërndarë nëpër vende të ndryshme të Evropës Perëndimore, shpesh herë me sytë tanë kemi parë të rinjtë që për arsye të thjeshta, dalin dhe protestojnë nëpër rrugët e Parisit apo edhe të qyteteve të tjera. Shpesh herë me sytë tanë i kemi parë duke djegur e duke bërë shkrumb e hi vetura e objekte me vlerë kapitale. Por asnjëherë nuk kemi parë që policia t'i ketë vrarë apo burgosur demonstruesit e qetë.
Gjithashtu në rastin e Albin Kurtit, na çudit rasti i lirimit me arrest shtëpiak! Kjo praktikë, dikur vinte nga shtete diktatoriale, me regjime komuniste e që aplikonte këto metoda kundër disidentëve politikë, kur ndodhnin festat kombëtare si ato të Nëntorit apo ndonjë lëvizje e vogël e masave. Disidentët duheshin të mbylleshin në burg shtëpiak. Kjo praktikë e regjimeve komuniste, në kohën totalitarizmit komunist ishte e kuptueshme atëherë. Neve na habit fakti, se si është e mundur që vendet me një demokraci shumë të përparuar si Shtetet Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Italia, Franca e vende të tjera që aktualisht janë vendosur në Kosovë, lejojnë një ngulfatje të kulluar të fjalës së lirë e të protestave të qeta e paqësore porsi ato që zhvillohen në vendet e tyre. Loja me një djalosh të ri, siç është rasti me Albin Kurtin, është një lojë me vlerat e demokracisë. Këtë duhet ta dinë të gjithë. Sot, po luhet me figurën e Albin Kurtit, nesër do të luhet me figurën e dikujt tjetër. Mendimi ndryshe, në vendet demokratike është mëse i domosdoshëm, mëse i natyrshëm. Sidomos, këmbëngulja për mendimin ndryshe, në vendet demokratike, është kulmi i demokracisë. Pikërisht, pse flitet ndryshe, pikërisht pse mendohet e veprohet ndryshe i thonë pluralizëm demokratik!.
Nuk ka vend, sot, në Evropë, që nëpërmjet mendimit ndryshe, nëpërmjet veprimit evolutiv apo edhe nëpërmjet grevave, pakica ka fituar pas një kohe simpatinë e shumicës. Dhe sot, në shumë prej këtyre vendeve mbahen ditë përkujtimore, për protesta, për udhëheqësit e tyre që kanë arritur suksese në një fushë apo në disa fusha të caktuara. Mos ta harrojmë çekosllovakinë, Hungarinë, Francën e vitit 1968, Kosovën e 1981 e 1989 dhe shumë e shumë të tjera që të drejtat e tyre legjitime i arritën me armën e Albin Kurtit.
Shoqëria jonë u bënë thirrje autoriteteve ndërkombëtare dhe atyre vendore që udhëheqësi i lëvizjes VETëVENDOSJE të lirohet menjëherë! Duhet të keni guxim dhe kurajo, Ju, zotërinjë, udhëheqës ndërkombëtar dhe vendor, që t'i lini kohës të vërtetojë se në anën e kujt është e drejta? Në anën e Albinit, që dyshon për të ardhmen e Kosovës "me perspektivë"(!), apo në anën tuaj, që premtoni një "perspektivë të qartë për Kosovën"!
Nëse ju, zotërinj ndërkombëtarë, jeni të sigurtë në perspektivën e Kosovës së Pavarur, përse keni nevojë të frikësoheni nga mendimi ndryshe i Albin Kurtit?!
Koha është shumë e shkurtër. Brenda pak ditëve statusi i Kosovës do të qartësohet. Populli ynë do ta prekë së shpejti - "perspektivën" e ofruar nga ju ndërkombëtarët ose "perspektivën" për të cilën druan djaloshi sypatrembur, Albin Kurti!
12 maj 2007 Lion - Francë