DIOKSINA, BURIM KANCEROGJEN PËR POPULLIN E KOSOVËS
Shkruan: Sejdi Veseli
Po mbushen tetë vjet të plota nga përfundimi i luftës tonë të armatosur çlirimtare dhe deri në ditët e sotme, në raport me eliminimin e pasojave të shkaktuara nga veprimet vandale të pushtuesit, nuk kemi qenë në nivel të detyrës. Ka qenë detyrë ndër detyrat parësore e "pushtetarëve" kosovar dhe e askujt tjetër, që të organizojnë dhe të ndërmarrin veprimet e duhura dhe konkrete për eliminimin pasojave të luftës, shumë të rrezikshme për të ardhmen e këtij vendi. Duhet të konstatojmë me dhembje në shpirt, se edhe ato pak veprime teknike, gjoja nën drejtimin e "pushtetarëve"kosovar, të cilat janë ndërmarrë në terrenet ku nga veprimet vandale të pushtuesve ishin djegur dhe rrafshuar me tokë shtëpitë shqiptare, deri në ditët e sotme, ato ishin gjysmake dhe shkel e shko. Ndërsa në rastet, kur bëhej fjalë për shtëpitë e minoritarëve serb, këto u bënë për mrekulli. "Pushtetarët" tanë as që e lodhen mendjen, se shumica e këtyre shtëpive, jo vetë se kishin shërbye si kazerma për paramilitarët, por ato ishin djegur nga vetë pronarët gjatë tërheqjes së tyre bashkë me ushtrinë serbo-çetnike, të bindur se pas krejt atyre mizorive që kishin ushtruar ndaj fqinjëve të tyre shqiptar, nuk i kanë lënë vetes vend për t'u kthye më. Nuk përjashtohet mundësia, që edhe paramilitarëve serbo-çetnik t'u kenë ndërtuar shtëpi moderne dhe t'ua kenë mobiluar ato me mobile të reja, thjesht t'ua kenë siguruar një jetë më komfore se ajo që e kanë pasur para luftës. Ndërsa shumicën e luftëtarëve të lirisë dhe familjet e shumta shqiptare, të cilave pushtuesit ua kishin djegur shtëpitë, i kanë lënë qe 8 vjet, pa kulm mbi kokë, të ballafaqohen me acarin e dimrave dhe lagështinë nën plastmasë. Është e ditur se përveç plaçkitjeve, djegieve, përdhunimeve, masakrimeve dhe vrasjeve, në pasojat e luftës banë pjesë edhe ndotja e ambientit me mjete radioaktive, kimike dhe biologjike, pra shkrimi im ka për qëllim të shpalosë problemin e ndotjes me njërin prej mjeteve më të rrezikshme kimike që parqet rrezik të madh për shëndetin, jo vetëm për gjeneratat e sotme, por edhe për ato që do të vinë. Fjala është për kontaminimin e truallit tonë me dioksinë. Jemi dëshmitar të kohës, se deri në ditët tona, nga të ashtuquajturit kompetent për shëndetësi dhe për mbrojtjen e ambientit, që figurojnë si zyrtar të lartë të kinse IPVQK (që në realitet nuk janë tjetër pos servile të unmikistanezëve...), jo vetëm se nuk është ndërmarrë as edhe një hap për eliminimin e këtij rreziku, por as që është diskutuar për te, ngase u kanë thënë shefat e tyre ndërkombëtar se ky rrezik nuk ekziston. Nëpërmes këtij shkrimi u bëjë thirrje publike, atyre që e konsiderojnë veten kompetent, për të ndërmarrë hapa konkrete për eliminimin e ndotësve të hapësirës kosovare me dioksinë, edhe ashtu të kontaminuar rendë gjatë periudhës së luftës, si nga veprimet luftarake të ushtrisë pushtuese serbo-çetnike, ashtu edhe nga fushata e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve strategjike të pushtuesit serb.
Çka është dioksina? Dioksina është njëri prej helmeve më të rrezikshme për njeriun dhe rrethinën. Shumë shkencëtarë me renome, gjatë hulumtimeve të tyre kanë arritur në përfundimin, se për njeriun, vetëm mbeturinat nukleare janë më të dëmshme se Dioksina.Dioksina është një përbërjeje e poliklor dyoksideve të karbonit. Më e rrezikshmja prej tyre, fshehët pas emërtesës 2,3,7,8-tetraklorodibenzo-p-dioksin ose pas shkurtesës TCDD. Deri në ditët tona janë identifikuar 419 lloje të ngjashme me dioksinën dhe vetëm 30 prej tyre konsiderohen me ndikim helmues për njeriun. Krijohen gjatë procesit të djegies së materieve organike-mbeturinave organike, por edhe si nusprodukte gjatë proceseve kimike në industrinë që ka për bazë kiminë organike. Ato gjenden në të gjitha pjesët e globit. Gjenden në ajër, ujë, tokë, në shtresimet e pluhurit dhe në ushqime, veçanërisht në prodhimet e qumështit, mish, peshk dhe guaca dhe janë shumë të qëndrueshme dhe të pa tretshme në ujë, por me afinitet për t'u tretur në masat dhjamore dhe në vajra, andaj s'ka se si të mos arrihet te përfundimi se këto përbërje kimike shumë toksike shtresohen me lehtësi në trupin e njeriut. Nëse këto helme futen në organizmin e njeriut nëpërmjet rrugëve orale, absorbimi i tyre sillet prej 50 e deri në 90 %, ndërsa shtresohen në mëlçi dhe në indet dhjamore. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh apo WHO), nëpërmjet botimeve dhe faqeve të saj në internet tërheq vërejtjen me seriozitetin më të madh, se nëse dioksina depërton në ambient apo futet në trupin e njeriut dhe gjallesave që shërbejnë për ushqim, për shkak të afinitetit të saj për t'u shtresuar në indin dhjamor dhe për shkak të stabilitetit kimik shumë të theksuar, ajo do të mbetet aty për një kohë të gjatë, mesatarisht më së paku për shtatë vjet. çka është për t'u shqetësuar edhe më tepër, akumulimi i dioksinës në vargun e gjërave ushqimore është gjithnjë në rritje. Mjafton një ekspozim i shkurtë i njeriut në një ambient të kontaminuar me përqindje të lartë të dioksinës dhe të shkaktohen tek ai akne klorike dhe pika me ngjyrë të zezë apo ngjyrë kafeje në lëkurë, si dhe çrregullime serioze në funksionimin e mëlçisë. Deri në ditët tona është verifikuar veprimi degjenerues në 9 lloje të gjeneve njerëzore. Përveç kësaj, këto helme shkaktojnë çrregullime serioze në metabolizmin e vitaminës K, përkatësisht mungesën e tij, dukuri kjo që shfaqet me gjakderdhje tek të porsalindurit. Ndikimi i këtyre helmeve tek fetuset shprehet me peshën e vogël tek të porsalindurit dhe në rritjen e shkallës së vdekshmërisë së embrioneve.Ekspozimi më i gjatë ndaj dioksinës shkakton çrregullimin e sistemit të imunitetit, çrregullime serioze në zhvillimin e sistemit nervor, sistemit endokrin dhe funksioneve riprodhuese. Ekspozimi i vazhdueshëm i botës shtazore ndaj dioksinës mund të shkaktoj edhe disa lloje të kancerit. Doza vdekjeprurëse e këtyre helmeve është shumë vështirë të përcaktohet, sepse një dozë e këtyre helmeve që është vdekjeprurëse për një gjallesë, tjetrës nuk i shkakton asnjë simptomë të intoksikimit. Por, dihet se dioksina është 11.000 herë më helmuese se cianidi i natriumit dhe që vepron në koncentrimin prej 100.000.000 herë më të ulët.Gjithashtu është vërtetuar se për nga vetitë e saj kancerogjene, dioksina radhitet menjëherë pas uraniumit të fisnikëruar. Çka është edhe më keq, është një përbërje kimike praktikisht e pa neutralizueshme. Është vërtetuar se Dioksina shkakton efekte të ndryshme në organizëm, përfshirë këtu kancerin e mushkërive, të buzëve dhe hundës, të gjëndrës së hipofizës dhe të atyre mbi veshkore, të timusit, mëlçisë dhe shpretkës , të indit nën lëkuror dhe lëkurës, defektet tek të posa lindurit. Nga Agjencia ndërkombëtare për hulumtimin e sëmurjeve malinje është bërë edhe hulumtimi i ndikimit të Dioksinës (TCDD), në shfaqjen e tyre. Duke u shërbyer edhe me raportet statistikore epidemiologjike, kjo agjenci ka ardhur në përfundim, se dioksina është njëri nga shkaktarët e kancerit te njeriu. Në këtë drejtim, më të rrezikuarit janë fëmijët e pa lindur dhe të porsa lindurit. Sipas udhëzimeve të OBSh-së, mbrojtja më e mirë nga kontaminimi me dioksinë nëpërmjet ushqimit është përdorimi sa më i vogël i yndyrave me origjinë shtazore dhe produkteve nga qumështi me yndyrë të plotë, si dhe përdorimi sa më i madh i pemëve, perimeve dhe drithërave. Gjithashtu ekspertet e preventives mjekësore porosisin, që gjatë larjeve dhe pastrimeve t'u iket sa më shumë, të gjitha detergjenteve dhe sapunëve të cilat si pjesë përbërëse të emrit të tyre e kanë edhe fjalën "kloro". Si zëvendësim të tyre, mundësisht të përdorin ato të prodhuara në bazë të oksigjenit.
Kosova është shumë e rrezikuar nga diksina!Si pasojë e bombardimeve dhe granatimeve nga ushtria pushtuese serbe dhe nga fushata e bombardimeve të NATO-s ndaj pozicioneve dhe objekteve me rëndësi strategjike të ushtrisë serbe, si p.sh. kazermat, mjetet luftarake, depot e armëve (në të cilat kanë qenë të deponuara edhe predhat me mbushje kimike) dhe rezervuarve të karburanteve për forcat tokësore dhe ato ajrore, me që rast gjatë djegieve të materieve të ndryshme, si piraleni nga trafo-stacionet, zhiva, dioksinet e ndryshme, nafta, benzina, kerozina, instalimet elektrike dhe PTT (të izoluara me lëndën PVC), gomat e automjeteve luftarake është liruar sasi e madhe e dioksineve. Andaj, edhe mund të arrihet në përfundim, se popullata në territorin e Kosovës është shumë më e rrezikuar, se sa ajo e regjioneve tjera. Me djegien e hidrokarbureve lirohen përbërje shumë të dëmshme kimike. Nën ndikimin e dritës së diellit dhe faktorëve tjerë, nga këto përbërje kimike lirohen edhe dioksinet, të cilat ndikojnë fuqishëm për shfaqjen e formave të ndryshme sëmundjeve malinje(sëmundjeve kanceroze). Shkalla e rrezikshmërisë nga këta ndotës është më serioze, se ajo që pranohet zyrtarisht nga institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e njerëzimit dhe të ambientit nga ndotësit e rrezikshëm. Për dekontaminimin kimik të hapësirës kosovare, nga substanca të ndryshme helmuese, duke filluar nga metalet e rënda, plumbi e zhiva, mandej nga amoniaku, piraleni dhe shumë tjera, kërkohen veprime sistematike, profesionale, përkushtim, si dhe mjete të mëdha financiare. Sipas, asaj çka është vërejtur në terren, mund të dyshohet me bazë, se diçka e tillë as që mund të pritet nga institucionet "përgjegjëse" në Kosovë. Ato, nuk ishin në gjendje të sigurojnë mjetet e domosdoshme, as për dekontaminimin biologjik të territorit të Kosovës, për të cilin ishin përgatitur projektet menjëherë pas përfundimit të luftës dhe për të cilat nuk kërkoheshin mjete të mëdha financiare.
Vazhdon ndotja e Kosovës me dioksinë Për të dëshmuar se vazhdon kontaminimi i Kosovës me dioksinë, e shohë të mjaftueshme të përshkruaj vetëm një burim kontaminimi. E konsideroj, se ky shembull është shumë domethënës, ngase lokacioni i tij gjendet në rrethin që frekuentohet, jo vetëm nga ajka e mjekësisë kosovare, por edhe nga fakti se më pak se 100 metra prej saj gjendet selia e OBSh-së për Kosovën, Instituti Kombëtar për Shëndetin Publik të Kosovës, Dekanati i Fakultetit të Mjekësisë, Instituti i Pato-fizës dhe Instituti i Mjekësisë Familjare. Fjalën e kam për krematoriumin i cili shërben për djegien e mbetjeve spitalore të krijuara në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Mund të dyshohet me bazë, se jo vetëm nuk është marrë pëlqimi i ekspertëve të këtyre institucioneve superiore shkencore nga spektri i preventives shëndetësore, por as që janë përfillua reagimet e tyre. Ky burim i ndotjes, i ndërtuar menjëherë pas përfundimit të luftës, mund të dyshohet edhe pa leje ndërtimi, në mes dy restoranteve ku ushqehen një numër i madh i punëtorëve shëndetësor, vizitorëve të pacientëve nëpër klinika dhe studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, me vendimin e drejtorit të atëhershëm të QKUK dhe të zyrtarëve unmikistanez që vranin dhe kthjellnin në Departamentin për Shëndetësi të ashtuquajturit Këshilli i Përkohshëm Administrativ (H. Vori dhe bishtat e tij vendor). Në këtë krematorium digjen të gjitha mbetjet spitalore të krijuara në klinikat e QKUK-së, pa u bërë ndonjë seleksionim i tyre dhe pa u kontrolluar procesi i djegies së tyre, shkalla e ndotjes së ambientit, me gazrat shumë të rrezikshëm që lirohen dhe emitohen jashtë, nëpërmjet tymtarit lartësia e të cilit është nën nivelin e objekteve më të ulëta shëndetësore dhe restoranteve që gjenden përreth tij. Këto mbetje krijohen gjatë diagnostifikimit dhe kurimit të pacientëve, si psh. Fashat e përdorura nëpër sallat e operacioneve, shiringa plastik, gjilpërat, ndofta edhe pjesët e amputuara, qeset plastike për ruajtjen e gjakut të konservuar, fashat prej gipsi, kemikatet dhe barërat e skaduara, kemikatet e përdorura dhe… Tymi që lirohet gjatë djegies se mbetjeve spitalore ka një aromë asfiksuese, identike me atë të dioksinës dhe furaneve dhe të shumë njerëz vërehen vështirësi në frymëmarrje. Ndotja kimike që shkaktohet nga ky krematorium paraqet një shkallë të lartë të rrezikshmërisë, si për shëndetin e personelit mjekësor, për pacientet shumtë dhe vizitorët e tyre, për studentet e F.M. dhe SHMM dhe ashtu popullatën e regjioneve deri ku depërton tymi që lirohet gjatë punës së këtij krematoriumi.është për t'u alarmuar se deri në ditët e sotëm nuk dihet se është krye ndonjë matje e sasisë së komponentëve kancerogjenë dhe mund të dyshohet me bazë se manaxhuesi i këtij ndotësi nuk posedon aparatin për matjen e tyre. Siç mund të vërehet në institucionet terciare të shëndetësisë kosovare-QKUK, mund të nxirret përfundimi, pa u frikësuar se po u hyjmë në hak sistemit drejtues të tyre, se është jo adekuat i tërë menaxhimi me mbeturinat që krijohen brenda klinikave. Përkundër faktit se trajtimi i mbeturinave është shumë larg standardeve të menaxhimit të pranueshëm shëndetësor dhe ekologjik. Për korrigjimin e këtij defekti nuk kujdesen as inspektorët sanitar. Është për t'u "çuditur" se për këtë problem nuk mërziten as unmikistanezët, sidomos evropianët në përbërje të tyre, kur dihet se në legjislativin e BE ekzistojnë një mori rregullash dhe direktivash të cilat përshkruajnë mënyrat për menaxhimin e mbeturinave, deri në eliminimin e plotë të tyre.
Prishtinë, 03 06 2007
|