PAFYTYRËSIA E "DEMOKRACISË" UNMIKISTANEZE NUK NJEH KUFI !
Shkruan: Sejdi Veseli
Më pak është e rrezikshme diktatura e hapur, se ajo e maskuara me petkat e demokracisë, ngase ajo e maskuara për nga karakteri i saj është shumë më e ligë dhe shumë më e egër. E tillë është "demokracia" e ndërtuar sipas recetave të ekspertëve unmikistanez, ajo që po zbatohet që 8 vjet mbi shpatullat e shqiptarëve të Kosovës, natyrisht e ndihmuar nga disa që hiqen si kinse drejtues të popullit( mujshar, në raport me shtresën liridashëse të tij), por në realitet shërbëtor skajshmërish të dëgjueshëm të monarkut të kurorëzuar nga OKB.
Për këtë është shkruar dhe vazhdon të shkruhet nga shumë pena liridashëse shqiptare dhe nga analist vërtetë demokrat ndërkombëtar.
Pa dyshim, se njëra prej hallkave kryesore të kësaj "demokracie", e cila po shtrëngohet përditë e më shumë përreth qafës së popullit liridashës shqiptar është edhe "drejtësia" e saj.
Që prej kohës kur në Kosovën tonë të shumëvuajtur u instalua administrata ndërkombëtare, përveç krimeve ordinere u kryen edhe shumë krime politike. Njëri prej këtyre krimeve ishte edhe vrasja e dy protestuesve paqësor dhe plagosja e mbi 80 shokëve të tyre, në Protestën Paqësore të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, me 10 shkurt 2007. Ky krim nuk u krye nga askush tjetër, pos nga eskadronët vrastare rumune nën flamurin e OKB.
Pritej me të drejtë se autorët e këtyre krimeve do të zbuloheshin dhe do të nxirreshin para drejtësisë, në këtë drejtim qonin deklaratat pompoze të zyrtarëve ma të lartë unmikistanez dhe ato të servilëve të tyre vendor
Këto deklarime e amortizonin dhembjen e familjeve të goditura dhe të popullit në përgjithësi. Por, si edhe herëve tjera ndodhi zhgënjimi!
Ashtu, siç nuk u zbuluan .... vrasësit e dhjeta shqiptarëve në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës,... vrasësit e tre fëmijëve shqiptar të fshatit Çabër të Mitrovicës, ... vrasësit e dhjeta shqiptarëve gjatë protestave të marsit 2004..., nuk po zbulohen as vrasësit e Dëshmorëve të Kombit Arben Xheladini dhe Mon Balaj dhe ata që plagosen mbi 80 shokë të tyre...
Raporti i Prokurorit Ndërkombëtar në lidhje me epilogun e "hetimeve" për ngjarjet tragjike të 10 shkurtit 2007, i cili u prezantua gjatë një konference për mjetet e komunikimit masiv. është pasqyrimi më i mirë i pafytyrësisë dhe njëanshmërisë së kësaj " drejtësie!"
Me 02 korrik 2007, nga i ashtuquajturi prokuror ndërkombëtar, Robert L. Dean, në cilësinë e kryesuesit të procesit hetimor për ngjarjet tragjike të 10 shkurtit të këtij viti, u prezantua një shkresurinë e cila prej tij konsiderohej pjesa e dytë e raportit hetues të prokurorit ndërkombëtar.
Në realitet kjo shkresurinë nuk ishte gjë tjetër pos një pamflet i zbehtët politik, ofendues për familjet dhe shokët e dëshmorëve, si dhe informim i rrejshëm për popullin.
Vërehej qartë se pretendimi i këtij "eksperti" të "drejtësisë" unmikistaneze ishte, të bindej populli, se gjoja ai paska zhvilluar një proces të gjithanshëm dhe të paanshëm hetimor dhe se gjatë këtij procesi paska ardhur në përfundim, se në mungesë të fakteve dhe dëshmive të mjaftueshme është e "pamundur", të veçohen personat përgjegjës për vrasjen e 2 protestuesve dhe plagosjen e 80 të tjerëve, si dhe të ngritët aktakuzë ndaj dikujt.
Ky zotëri në funksion të krijimit të përshtypjes në opinion, se vërtetë qasja e tij ndaj këtij procesi paska qenë e profesionale, e pavarur dhe e paanshme, konstaton, "se humbja e jetëve të demonstruesve me 10 shkurt ka qenë e paarsyeshme, e pa nevojshme dhe faktet kanë dhënë arsye për një dyshim të bazuar për vepër penale brenda zyrtarëve të policisë rumune..."(citim nga Epoka e Re,3 korrik 2007, faqe 2).
Kulmin e skandalit e arrin me deklarimin, se ja paska konstatuar se përdorimi i municioneve me predha prej "gome" nga eskadroni vrastar i inkuizitorëve unmikistanez me përkatësi rumune(jo pak prej tyre ish pjesëtar të "Securitatea" dhe me përkatësi nacionale serbe), nuk paska qenë i planifikuar për ta goditur dhe shkallmuar Protestën e Lëvizjes Vetëvendosje, as për të gjetur pretekst për të arrestuar dhe dënuar drejtuesit e saj (nëse u shpëtojnë efekteve vrastare të këtyre plumbave), por si pasojë e mosmarrëveshjes ndërmjet komandantëve mujshar unmikistanez dhe atyre rumun
Gjatë prezantimit të tij, ky zotëri përveç tjerash tregon edhe "injorancën" e vetë në raport me punën që i është ngarkuar, kur konstaton se tejkalimi i afatit të përdorimit të këtyre municioneve paska qenë para 13 vjetësh( dihet botërisht, se municionet me afat të tejkaluar të përdorimit as që mund të shkrepen!), duke e lënë anash faktin i cili mund të nxirret nga filmimet, se largësia e shumicës së grykëve të armëve nga të cilat është shkrepur ky municion, ishte jo më e madhe se 10 metra nga masa e cila ishte vu në shënjestër nga eskadroni vrastar.
"Injoranca" e këtij "eksperti" ndërkombëtar lakuriqësohet edhe më tepër, kur ky anashkalon faktin, se ndaj protestuesve paqësor (sidomos ndaj të rinjve të përzgjedhur) janë përdorur predha të kalibrit 40 mm, të mbushura me lëndë paralizuese nervore luftarake të shkrepura edhe nga armë me shumë tyta.
Nuk përjashtohet mundësia, se kjo lëndë kimike luftarake, të ketë qenë nga arsenali i dikurshëm i Paktit të Varshavës, anëtare e të cilës ishte aleatja serbo-ruse Rumania.
Nëse edhe i ashtuquajturi prokuror ndërkombëtar "nuk" paska arritur ta gjej dhe të përqendrohet "...në një individ për përgjegjësi penale...", ai me siguri ka pas mundësi të sigurojë të dhëna zyrtare, se cilët polic i kanë pasur në ngarkim armët, nga të cilat mund të shtihet me këtë municion dhe kush ka komanduar-urdhëruar për hapjen e zjarrit?
Nëse as këtë të dhënë nuk paska arritur ta sigurojë, atëherë faktohet katërçipërisht, se policia unmikistaneze nuk qenka polici e rregullt, por një bandë kriminale paramilitare që udhëhiqet nga anarkia!
Pa dyshim, po të kishte pas qëllim të sinqertë z.Dean, për zbulimin e të vërtetës në lidhje me këtë krim të shëmtuar dhe nxjerrjen e autorëve të tij para drejtësisë, që në hapat e parë të punës së tij në këtë rast, është dashtë:
-Që njëkohësish me kërkesën për heqjen e imunitetit të OKB-së për ish Komisarin e policisë Stephan Curtis dhe eskadronin vrastar të policisë rumune, të urdhërojë ndalimin e largimit të tyre nga Kosova (nëse jo edhe paraburgimin e tyre), deri në përfundimin e hetimeve;
-Të fillojë dhe t'i kryej hetimet ndaj të gjithë atyre që urdhëruan pengimin e personelit mjekësor për t'u ofruar ndihmën e parë protestuesve të plagosur si dhe autoambulancat për t'i transportuar deri në Emergjencën e QKUK-së.
Të fillojë dhe t'i kryej hetimet ndaj atyre që urdhëruan pozicionimin e forcave të policisë unmikistaneze dhe të SHPK-së në lokalet e emergjencës së QKUK-së, të ngarkuara me detyrë (të ngjashme me ato të milicisë së pushtuesve serbo-çetnik), për të arrestuar protestuesit(siç dhe ndodhi), menjëherë pasi u jepej ndihma mjekësore, si dhe për eliminimin e dëshmive të krimit policor ( për të mbledhur predhat e "gomës"dhe "kauçukut" të cilat i nxirrnin kirurgët nga trupat e të plagosurve dhe të vdekurve);
Pas prezantimit të këtij raporti nga z.Robert L. Dean, krijohet përshtypja, se mos ky "ekspert" i përzgjedhur nga drejtësia unmikistaneze ose "nuk" i paska të ditura, as gjërat elementare të cilat duhet t'i dijë edhe një hetues fillestar ose paska qenë i penguar nga mujsharët ndërkombëtar dhe vendor, për të ndërmarrë veprimet e domosdoshme për përmbushjen e njërës prej "përgjegjësive" të tij profesionale dhe ligjore; se kaçiku profesional dhe sidomos etika morale e z. Robert L. Dean, nuk janë as për së afërmi të atyre përmasave, çfarë thuhej gjatë prezantimit të tij nga zëvendësi i monarkut unmikistanez Stiven Shook, si gjoja njëri nga prokurorët e njohur ndërkombëtar, shumë i aftë, i përpiktë, i drejt dhe shumë i rreptë; se ky zotëri është vetëm një pion në duart e risheljeve unmikistanez, por i paguar mirë për mbulimin e krimeve të kryera prej tyre, ndaj demonstruesve të Protestës paqësore të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, me 10 shkurt 2007 .
Prishtinë, 07 korrik 2007
|